Shqipëria është e pamposhtur në Grupin I kualifikues, një “kockë e fortë” për këdo, edhe për Portugalinë, por historia e përballjeve mes këtyre dy kombëtareve favorizon luzitanët.
Portugezët mund të vulosin biletën e finaleve të “Euro 2016” të hënën në mbrëmje, nëse fitojnë në Shqipëri dhe Danimarka humbet në Armeni.
Ronaldo s’i ka shënuar asnjë gol Shqipërisë, Cana, njeriu me më shumë ndeshje (katër) në duelin e këtyre kombeëtareve
Të besuarit e Fernando Santosit kanë një seri prej pesë fitoresh radhazi në kualifikuese, pas një fillimi të keq, pikërisht përballë shqiptarëve, me të cilët Portugalia humbi 1-0 në Aveiro. Ja disa fakte dhe shifra mbi ndeshjet Shqipëri-Portugali: Ky është takimi i gjashtë midis këtyre dy ekipeve. Luzitanët kanë tri fitore kundër një të tillë të shqiptarëve. Barazim ka pasur në një rast, në Braga, transmeton telesport.
Portugalia fitoi në të dyja ndeshjet e luajtura në Shqipëri, 3-0, në vitin 1996, dhe 2-1, në vitin 2009. Katër lojtarë nga ekipi kombëtar aktual portugez, të rreshtuar në triumfin e vitit 2009; Ricardo Carvalho, Pepe dhe Cristiano Ronaldo, ishin titullarë asokohe, ndërsa Nani luajti si zëvendësues. Në tri ndeshjet e luajtura në vitin 2015, Shqipëria nuk ka humbur: ka marrë dy fitore dhe një barazim.
Shqiptarët kanë humbur vetëm një nga nëntë ndeshjet e fundit të luajtura, zyrtare dhe miqësore. Humbja e fundit ishte kundër Italisë, në një ndeshje miqësore, të zhvilluar në nëntor të vitit të kaluar. Asnjë nga 23 lojtarët që kanë udhëtuar me skuadrën e Portugalisë drejt Tiranës nuk kanë shënuar gol ndaj Shqipërisë. Lorik Cana, kapiteni i ekipit kombëtar shqiptar, është lojtari me më shumë ndeshje të luajtura mes dy skuadrave (katër).