Shoqëria e mirë

Shoqëria e mirë
Autor: Shejh Selim el-Hilali

Vërtet të gjitha falënderimet dhe lavdërimet tona i takojnë vetëm All-llahut fuqiplotë, ndërsa paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dërguarin e tij Muhammedin, mbi familjen dhe shokët e tij, si dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Shoqëria e mirë, të zgjedhurit e shoqërisë së mirë, shoqërimi me njerëz të mirë, të gjitha këto kanë një rëndësi jashtëzakonisht të madhe për shumë arsye si edhe në aspekte te shumta. Njeriu nuk mund të rri i vetëm. Çdo individ patjetër duhet te jetojë dhe të bashkëveprojë me të tjerët. Ata njerëz me të cilët ju uleni dhe shoqëroheni patjetër se i përkasin dy kategorive: ose ata janë individë të mirë të cilët ju udhëzojnë dhe ju inkurajojnë drejt asaj çka është e mirë dhe dobiprurëse, për të cilën na ka urdhëruar Allahu, ose ata do të jenë te atillë që ju inkurajojnë ta bëni atë me të cilën shejtani është i kënaqur, gjë që ju çorienton dhe ju drejton drejt zjarrit.

Kur Pejgamberi, alejhi selam, u dërgua për ta komunikuar fenë islame, ai nuk ishte i vetmi në këtë drejtim. Për më tepër, Allahu zgjodhi për të shokë (sahabët) te cilët e shoqëruan atë dhe së bashku e mbartën mesazhin Islam përderisa u kompletua i tëri. Këto tri aspekte tregojnë për rëndësinë e shoqërisë së mirë, shokë të cilët janë Salih (te mirë). Shokët e tillë të ndihmojnë drejt punëve te mira dhe jua kujtojnë Allahun, ju urdhërojnë për të mirë dhe ju ndalojnë nga e keqja. Ata gjithashtu jua tërheqin vërejtjen nga rreziku i shoqërisë së keqe. Shoqëria e keqe patjetër do të ketë ndikim negativ tek ju. Ata ju nxisin që të bëni vepra me të cilat Allahu nuk është i kënaqur dhe që ju drejtojnë drejt zjarrit – Allahu na ruajt prej një dënimi të tillë.

Pejgamberi, alejhi selam, na ka shpjeguar lidhur me shoqërinë e mirë, kështu që nuk ka vend për dyshime ose konfuzion, kur ai ka thënë: “Personi është në fenë e halilit të tij [shokut të ngushtë], kështu që shikoni se me kë po shoqëroheni”. [Ebu-Davud, Trimidhiu]

Nga kjo nënkuptojmë se personi është në menhexhin (metodologjinë) e shokut të tij, në rrugën e njëjtë, kanë natyrë te njëjtë, si dhe sjellje të ngjashme me shokun e tij. Ne duhet te jemi shumë te kujdesshëm se me kë po shoqërohemi. Është një fjale arabe: “Shoku juaj është ai qe ju tërheq drejt diçkaje”. Pra nëse shoku juaj është i mirë ju tërheq drejt të mirës, por nëse është i keq ju tërheq drejt gjërave të liga. Pra ne duhet që me kujdes të madh t’i zgjedhim shokët, t’i zgjedhim ata cilët janë të sinqertë, të cilët na urdhërojnë drejt gjërave të mira dhe na ndalojnë nga e keqja. Nëse ai na vëren se ne jemi duke bërë mëkate, patjetër që do të na paralajmërojë për një gjë të tillë. Nëse i sheh të metat tona, na i mbulon, e nëse e sheh ndonjë gabim na këshillon. Lidhur me këtë, Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit. Ai as nuk e tradhton, as nuk e gënjen e as nuk e poshtëron”. [Trimidhiu]

Pra po që se e shihni një gabim tek vëllai juaj do të dëshironit që ta largoni atë nga ai, duke mos e shfaqur tek njerëzit. Kjo është ajo çka kërkohet nga vëllazëria, gjë që tregon për vlerën e zgjedhjes se shoqërisë së mirë të cilët ecin drejt rrugës së drejtë, që janë dhe të cilët jua mbulojnë te këqijat dhe njëkohësisht ju urdhërojnë për të mirë dhe ju ndalojnë nga e keqja, te cilët qëndrojnë pranë jush dhe ju përkrahin si dhe bashkëpunojnë me ju në punë të mira.

Pejgamberi, alejhi selam, e shpjegon me tutje këtë princip, në një transmetim tjetër, ku thotë: “Mos u shoqëroni me askënd tjetër pos me besimtar dhe mos e ushqeni askënd pos atij që ka takva (devotshmëri/frikë) ndaj Allahut”. [Ebu Davudi, Tirmidhiu]

Kjo veti ka një rëndësi të madhe nga aspekti se si duhet ndërtuar feja dhe nga ajo se çka është vëllazëri dhe çka duhet bërë për të. Në të vërtetë, arsyeja përse personi zgjedh shokë të mirë është për ta ndërtuar Islamin e tij dhe për ta ndihmuar atë ta adhurojë Allahun. Ne gjejmë një shembull shumë te mirë tek Musai të cilin Allahu e zgjodhi që t’i flasë. Kur Allahu e dërgoi Musan tek Faraoni, ai tha: “Ma cakto ndihmës nga familja ime Harunin, vëllain tim, dhe ma shto fuqinë me të si dhe bëje të ketë pjesë në detyrën time e të lavdërojmë Ty shumë” [20: 29-34]. Musau deshi që vëllai i tij ta ndihmojë, ta përkrahë dhe ta shoqërojë atë. Kjo është ajo çka duhet bërë besimtarët për njëri-tjetrin. Pra gjëja që i bashkon besimtarët dhe i bën ata vëllezër është Imani (Besimi). Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Kush i posedon këto tri cilësi do ta shijojë ëmbëlsinë e imanit: Që Allahu dhe i dërguari i Tij të jenë më të dashur për te sesa çdo gjë tjetër, që ta dojë ndonjë person vetëm për hir të Allahut dhe ta urrejë kthimin në mosbesim sikurse e urren që të hidhet në zjarr”. [Buhariu dhe Muslimi]

Pra lidhja mes besimtarëve bazohet në Iman (besim) dhe në vëllazërinë e sinqertë. Ji i kujdesshëm se mos po shoqërohesh me dikë duke u bazuar në diç tjetër pos gjërave që i përmendëm më lart, dhe nëse do veproni kështu, atëherë do t’i kafshoni duart tuaja nga pikëllimi, ashtu sikurse zullumqarët do t’i kafshojnë duart e veta në pikëllim në Ditën e Gjykimit, duke thënë: “Ah! Sikur ta kisha ndjekur rrugën e pejgamberit! Sikur të mos e kisha pasur filan mik! Ai në të vërtetë ishte që më largoi nga kujtuesi (Kurani) pasi me erdhi mua” [25:27]

Allahu i Madhërishëm thotë: “Dhe kushdo që largohet nga kujtimi i të Mëshirshmit, Ne i caktojmë atij shejtanin që të jete për të shok e mik i ngushtë”.

Pra e tërë shoqëria që është përreth teje dhe e cila bazohet në diç tjetër pos imanit do te zhduket në atë Ditë dhe do të jetë burim i mjerimit dhe ndëshkimit. Allahu thotë se ata të cilët e duan njëri-tjetrin jo për hir të Allahut do të jenë armiq të njëri-tjetrit në Ditën e Gjykimit.

Vetëm vëllazëria që është e bazuar në iman dhe devotshmëri është vëllazëri e vërtetë dhe e pafund. Të gjithë ata që bashkohen për arsye materiale ose për shkak të ngjyrës së fytyrës, nacionalitetit ose për çfarëdo arsye tjetër do të jenë armiq të njeri-tjetrit, përveç mutekinëve (ata që janë të devotshëm). Ata të cilët kanë takva (devotshmëri) dhe e duan njëri-tjetrin vetëm për atë se janë në rrugë të drejtë të Allahut, ata kanë zgjedhur rrugën e Pejgamberit, salallahu alejhi selam, dhe të paraardhësve të drejtë. Pra, ji i kujdesshëm para se t’i ekspozohesh ndonjë fitneje të cilën as që e ke imagjinuar më parë, për shkak se nuk ke qenë i kujdesshëm se kë e ke zgjedhur për mik.

Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Shembulli i shokut të mirë dhe shokut të keq është sikurse ai i shitësit të parfumeve dhe i farkëtarit. Sa i përket shitësit të miskut, ai ose do të të jep diç nga misku ose së paku do të dalësh nga ai me aromë të mirë. Ndërsa farkëtari ose do t’i djegë rrobat tuaja, ose së paku do të dalësh nga ai duke ndier një erë te neveritshme”. [Buhariu dhe Muslimi]

Kjo tregon se shoku i mirë është i drejtë dhe ai di të të ndihmojë që ta përkujtosh Allahun. Nëse të vëren se po bën mëkat, ai të këshillon dhe të përkrah që të largohesh nga ai mëkat, ndërsa miku i keq do të të harrojë, duke të lënë atëherë kur më së shumti të duhet.

Shoku i keq është shejtan nga mesi i njerëzve dhe shejtanë janë që të dy, njerëzit dhe xhinët. Nganjëherë dëmi që vjen nga shejtani që është nga mesi i njerëzve është më i madh, sesa dëmi që vjen nga shejtani që është nga mesi i xhinëve. Dhe si rrjedhojë shejtani nga mesi i njerëzve sigurisht do t’ia mësojë disa gjëra shejtanit nga xhinët, aso gjëra që nuk i ka ditur më parë.

Hadithi i sipërpërmendur, ku Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë se shoku i mirë është sikurse shitësi i miskut (një lloj i veçantë i parfumit, një nga më të mirët), do të thotë se ju ose do të merri diç nga ai, ose së paku do ta merrni me vete aromën e këndshme me vete. Pra nga shoku i drejtë ju mund të merrni vepra të mira ose këshilla të drejta nga shembulli i tij, duke iu bindur Allahut, sepse edhe ai vepron kësisoj dhe ju përkrah në këtë, duke ju urdhëruar për të mirë dhe duke ju ndaluar nga e keqja, si dhe duke përfituar karakteristika dhe cilësi e dije të dobishme. Ose nëse ai vëren se imani juaj po dobësohet do t’ju këshillojë dhe do t’ju ndihmojë.

Një shembull të tillë mund ta gjejmë tek pejgamberi, salallahu alejhi ve selam, i cili ishte i pastruar nga mëkatet. Ai nuk u largua nga Meka derisa e zgjodhi shokun që do ta shoqëronte në rrugën që do ta ndërmerrte. Ebu Bekri, radiallahu anhu, pranoi që ta shoqëronte pejgamberin, alejhi selam, për hixhret, mirëpo pejgamberi e urdhëroi që te priste derisa Allahu ta lejonte për një gjë të tillë. Kjo tregon se fakti pse Ebu Bekri do ta shoqëronte pejgamberin, alejhi selam, për hixhret ishte zgjedhje nga Allahu, e që ishte një zgjedhje e duhur dhe e bekuar, për çka Allahu flet në Kur’anin fisnik:

“Në qoftë se ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin a.s.), është Allahu që vërtet e ndihmoi atë, kur mohuesit e dëbuan. I dyti prej tyre, kur ata ishin në shpellë, i tha shokut të tij (Ebu Bekrit r.a.):’Mos u mërzit. Me të vërtetë Allahu është me ne'”. (9:40)

Pejgamberi, alejhi selam, tha: “Me të vërtetë Allahu është me ne”, e nuk tha:”me mua”, meqë Ebu Bekri e kishte ndihmuar pejgamberin, alejhi selam, në themelimin e Dinit (fesë) të Allahut, kështu qe ai morri të drejtën që të përkrahet nga Allahu gjithashtu. Ebu Bekri – një shok besnik dhe i mirë, që ishte në gjendje në çdo kohë të sakrifikonte çdo gjë për hir të Allahut dhe që të jetë në shërbim të të Dërguarit të Allahut, me gjakun e tij, pasurinë e tij, djersen e tij, lotët e tij, dhe çdo gjë që ai posedonte e dha për hir të Allahut. Ebu Bekri es-Siddik, Allahu qoftë i kënaqur me të dhe ai qoftë i kënaqur me Allahun, Halifja i parë pas pejgamberit, alejhi selam, dhe shoku i tij më i ngushtë, më i miri nga ummeti i tij, për ne është një shembull se si është shoku i mirë, që është si parfumi i shitësit.

Artikulli paraprak“Perparesia” e mashkullit ndaj femres”
Artikulli vijuesMUHAMEDI, NJE PERPJEKJE PERENDIMORE PER TE KUPTUAR ISLAMIN