Shqetësuese siguria në punë

Sipas të dhënave të grumbulluara nga Qendra për Politika dhe Avokim (QPA), numri i punëtorëve të cilët kanë vdekur në vendin e punës deri në muajin shtator ka qenë 8, kryesisht nga sektori i ndërtimtarisë.

Në kuadër të projektit “Fuqizimi i sundimit të ligjit – Promovimi i të drejtave të punëtorëve” përkrahur nga Olof Palme International Center (OPIC), Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) ka zhvilluar një hulumtim lidhur më sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, transmeton Koha.net. Ky segment është i sanksionuar me Ligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe Ligjin e punës.

Për të garantuar zbatimin e këtij legjislacioni, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale së bashku me Inspektoratin e Punës në prill të vitit 2015 kishin nisur fushatën sensibilizuese për vetëdijesimin rreth sigurisë dhe shëndetin në vendin e punës. Krahas kësaj fushate ishte paraparë intensifikimi i inspektimeve me qëllim të përmirësimit të sigurisë në vendin e punës.

Me gjithë këto masa të ndërmarra nga institucionet për zbatimin e ligjit, numri i punëtorëve të cilët kanë gjetur vdekjen në vendin e punës dhe të atyre që kanë pësuar lëndime të rënda trupore mbetet shqetësues. Sipas raportit të Inspektoratit të Punës për muajt janar-gusht 2016 dhe të dhënave të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), 31 të punësuar kanë pësuar lëndime të rënda, ndërsa 6 kanë pësuar me fatalitet. Sipas BSPK-së numri i rasteve të tilla është shumë herë më i madh, mirëpo punëtorët nuk i raportojnë ato nga frika se të njëjtit mund të largohen nga puna

Në anën tjetër nga të dhënat që QPA ka grumbulluar, numri i punëtorëve të cilët kanë vdekur në vendin e punës deri në muajin shtator ka qenë 8, kryesisht nga sektori i ndërtimtarisë.

Gjendja e sigurisë në vendin e punës nuk është përmirësuar krahasuar me vitin paraprak, përkundrazi sipas statistikave ajo vetëm sa është përkeqësuar. Për të njëjtën periudhë kohore vitin e kaluar ishte raportuar se 5 punëtorë kishin vdekur, ndërsa 26 kishin pësuar lëndime të rënda.

Shqetësuese është edhe moskompensimi i lëndimeve të punëtorëve nga punëdhënësit, janë shumë të rralla rastet kur punëdhënësi ka mbuluar shpenzimet e mjekimit. Andaj është shumë i nevojshëm fuqizimi i Ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Artikulli paraprakErdogan: Kush investon në Turqi nuk pendohet kurrë
Artikulli vijuesDrejtori i ATK-së: Zbulova 36 zyrtarë të dyshimtë të Administratës Tatimore