Shteti Islamik zapton qytetin e lashtë Palmira

Militantët e Shtetit Islamik në Siri kanë marrë nën kontroll qytetin e lashtë Palmira dhe hynë në zonën ku ndodhen rrënojat historike.
 
Observatori Sirian që monitoron grupin deklaron se ende nuk ka të dhëna për shkatërrimin e ndonjë artefakti. 
 
Ai thotë gjithashtu se, ISIS kontrollon edhe bazën ajrore aty pranë, burgun dhe selinë qendrore të shërbimeve të inteligjencës. 
 
Nga ana tjetër, qeveria siriane ka pranuar se ka tërhequr trupat pro-qeveritare nga qyteti.
 
Më parë, militantët e ISIS kanë shkatërruar zonat e lashta në Irak që datojnë përpara periudhës së Islamit. 
 
Mediat shtetërore siriane deklaruan se trupat zyrtare janë tërhequr nga Tadmuri, siç njihet në kohët moderne Palmira, një trashëgimi kulturore e UNESCO-s, pasi u sigurua për evakuimin e pjesës dërrmuese të banorëve të tij. 
 
Korrespondenti i BBC në Beirut, Jim Muir, deklaron se popullsia lokale arrin deri në 70 mijë banorë, por kohët e fundit ajo është shtuar nga zhvendosja e banorëve të zonave të përfshirë nga luftimet e ashpra. 
 
Burimet mediatike njoftojnë më tej se ISIS ka marrë përforcime dhe po përpiqet që zonën e lashtë ta përdorë si bazë. Edhe Muir deklaron se për momentin nuk ka asgjë që mund të ndalojë vendosjen e militantëve atje. 
 
Ndërkohë, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut deklaroi më tej se, mbi 100 ushtarë të trupave qeveritare mbetën të vrarë gjatë natës në përleshjet e verifikuara në rrethinat e Palmirës. 
 
Qindra statuja nga qyteti janë zhvendosur për në një vend të sigurtë, por monumentet e mëdha nuk mund të zhvendosen.
Artikulli paraprak“Kumanova”, Rama përshëndet kërkesën e Gjermanisë për hetim ndërkombëtar
Artikulli vijuesProvimi i Maturës, Palët Përplasen për Pragun