Si e humbi në të vërtetë Perëndimi Zotin: një teori e re mbi shekullarizimin

Teza sekulariste pretendon se entuziasmi fetar në perëndim ka pasur kulmin e tij në Mesjetë dhe pas kësaj periudhe ka nisur rënia e tij.

Deri disa dekada më parë, ky qe mendimi konvencional i sociologëve, shumica e tyre besonin se pasoja e modernitetit në zvenitjen e religjionit ishte e pashmangshme. Puna e Emile Durkheim është qendrore në këto baza të tezës shekullare; ai e përfaqësonte funksionin fetar të traditës si një simbol i identitetit të komunitetit- një metaforë të rregullit social. Max Weber pohonte se “rutinizimi i karizmës” dhe rritja e pushtetit të shkencës do ta shkatërronte fenë. Por, sociologu Peter Berger në esenë e tij klasike në First Things, “Secularization Falsified” (Shekullarizmi i përgenjështruar) pretendon se “feja nuk ka pësuar rënie. Në të kundërt, në shumë vende të botës ka pasur një shpërthim të vërtetë të fesë[1] dhe ndonëse verpat e sociologut Rodney Stark’s në tërësinë e tyre vënë në dyshim idenë e një rënie lineare të fesë – kjo bazuar në evidencat që pjesëmarrja në kisha është rritur dhe jo zvogëluar përgjatë shekujve – gjithsesi shumë sociologë pretendojnë se shekullarizimi vazhdon, veçanërisht në Perëndim.

Mary Eberstadt, një lektore në Qendrën Publike për Politikë dhe Etikë, e shtrin më tej debatin përsa i takon rënies së fesë në librin e saj “Si e humbi në të vërtetë Perëndimi Zotin”. Duke paraqitur argumente se rënia e fesë në perëndim është e vërtetë dhe e faktuar, Eberstadt e kundërshton hapur “urtësinë” konvencionale sociologjike duke hedhur tezën se faktori më i madh pas rënies së fesë duhet parë në rënien e familjes.

Në të vërtetë, sociologjia konvencionale ka prodhuar postulatin se rënia e fesë – dmth. procesi i shekullarizmit – çon në rënien e familjes duke qenë se njerëzit fillimisht humbasin përkushtimin e tyre ndaj fesë dhe më pas zgjedhin të mos formojnë familje apo të mos kenë fëmijë. Ka shumë të dhëna sociologjike që mbështesin idenë se pjesëmarrja në kishë është shumë e lidhur me të qenurit i martuar. Çdo sociolog e di se vëzhgimi sociologjik tregon se ata që janë të martuar kanë më shumë mundësi të marrin pjesë në meshat e Kishës se sa ata të cilët janë beqarë; dhe ata që janë të martuar dhe me fëmijë janë më të gatshëm për të shkuar në Kishë se sa ata që janë të pamartuar dhe të martuarit pa fëmijë. Lidhja është e ngushtë. Por, Eberstadt na tërheq vëmendjen se kjo lidhje shkakësore mund të mos jetë ajo çfarë shumë prej nesh hamendësojmë.

Duke kthyer përmbys teoritë sociologjike konvencionale, Eberstadt argumenton se në vend se të hamendësojmë se venitja e fesë ka sjellë shpërbërjen e familjes do të ishte më e saktë të pohonim se rritja e tendencës për të mos formuar familje apo për të pasur familje të prishura, që ka ndodhur duke nisur nga viti 1960, është shkaku që solli rënien e frekuentimit të kishave. Duke përdorur imazhin e përdorur nga shkencëtarët James D. Watson dhe Francis Crick, zbuluesit e strukturës së ADN, teza qendrore e Eberstadt është se besimi dhe familja përbëjnë atë që ajo e quan “spirale e dyfishtë” ku secila spirale e ka të nevojshme spiralen tjetër në mënyrë që të riprodhohet. Ajo na sugjeron se “familja dhe besimi janë spiralet e dyfishta dhe të padukshme të shoqërisë – dy spirale që kur janë të lidhura me njëra-tjetrën mund të riprodhohen në mënyrë të suksesshme, por që fuqia dhe momentumi varet nga njëra tjetra” (f.22).

Si provë, Eberstad analizon Europën perëndimore – më konkretisht Skandinavinë – ku ideja e formimit të familjes perëndimore pa qenë nevoja për martesë u bë realitet për herë të parë. Danimarka dhe Suedia janë dy nga vendet më pak fetare në botë, ndërkohë që banorët e këtyre vendeve janë më pak të predispozuarit për të krijuar familje. Duke cituar studime sociologjike prej këtyre vendeve, Eberstadt nënvizon se “vetëm 10 përqind e danezëve dhe suedezëve besojnë në ferr, fjala vjen… përqindja më e ulët në botë; pjesëmarrja javore në kishë është ndër më të ultat në të dy vendet se në çdo vend tjetër.” Thuajse askush nga pjesëmarrësit në studim nuk është shënuar të ketë pohuar që të besojë se Bibla është hyjnisht e frymëzuar” (f. 45). Ndërkohë që 68.8 përqind e suedezëve i përkasin Kishës së Suedisë (një rënie prej 95 përqind që nga 1940), dhe 90 përqind e gjithë suedezëve varrosen ende përmes shërbimeve kishtare, por shumë pak prej tyre i ndjekin këto rituale. Vetëm 400 mijë nga thuajse 6.6 milion anëtarë të Kishës së Suedisë pohojnë se marrin pjesë në shërbimet e kishës së paku një herë në muaj dhe më pak se 15 përqind e anëtarëve të kishës thonë se besojnë tek Jezu Krishti. Në një shkrim të postuar nga Living Church, H. B. Hammar, ish-dhjak i Skara Cathedral, shprehet se “nga 3,384 kisha në Suedi, vetëm 500 përdoren dhe shumica e tyre një herë në muaj.”[2]

Gjithsesi disa sociologë mund ta kundërshtojnë tezën e Ebstadt se feja dhe besimi kanë rënë në ato përmasa të sugjeruara nga ajo. Kisha e Amerikës, 1776-1990, nga Roger Finke dhe Rodney Stark, pohon në përgjithësi se pjesëmarrja në kishë është rritur ndjeshëm dhe nuk ka rënë në periudha të caktuara specifike përgjatë shekujve. Gjithsesi, Finke dhe Stark ndajnë mendimin e Eberstadt se disa kisha nuk do të mbijetojnë.

Kërkimi i tyre zbulon se sa më shumë një institucion komprometon me shoqërinë dhe botën, duke e zbehur identitetin apo mësimet dhe etikën e tij, aq më e madhe është rënia e tij. Kishat kryesore protestante që kanë rënë ndjeshëm që nga viti 1960 nuk i japin më kuptim anëtarëve të tyre. Nuk ka më arsye për t’i ndjekur apo për t’i besuar. Siç edhe libri i Ross Douthat, “Bad Religion: How We Became a Nation of Heretics”, nënvizon: “sot, ka më shumë myslimanë në Amerikë se sa Episkopalianë”.[3] Numri absolut i katolikëve ka qëndruar i lartë, por pjesëmarrja në mesha ka rënë ndjeshëm.

Eberstadt duket se bie dakord me Douthat— dhe në një kapitull të titulluar “Assisted Religious Suicide: How Some Churches Participated in Their own Downfall by Ignoring the Family Factor,” (Vetëvrasje e ndihmuar fetarsisht: Mënyra se si disa Kisha morrën pjesë në vetë-rënien e tyre), Eberstadt nënvizon bashkëfajësinë e kishave në rënien e tyre: “Njësoj si shkërmoqja dhe rënia e familjes në Europën Perëndimore kontribuoi në rënien e fesë, veçanërisht me përshpejtimin e këtij procesi në vitet 1960, ngjashëm disa kisha të krishtera u sollën në mënyrë të tillë që në retrospektivë duket se kanë qenë vetëshkatërryese, së paku nga pikëpamja e të mbajturit të grigjës së tyre. Ato nisën të kryenin ndryshime doktrinare të njëpasnjëshme që e dobësuan më tej lidhjen midis familjes dhe kishës – një proces që me siguri përshpejtoi akoma më shumë rënien” (f.140).

Në kapitullin e saj përmbyllës, Eberstadt thekson se SHBA-të janë sot aty ku Danimarka dhe Suedia kanë qenë disa dekada më parë duke qenë se më shumë se dyzet përqind e lindjeve në amerikë kryhen nga nëna të pamartuara. Në kapitullin me titull “The Future of Faith and Family: The Case for Pessimism,” (E ardhmja e besimit dhe familjes: çështja e pesimizmit), Eberstadt mbështetet në studime të ndryshme nga shkencat sociale për të treguar se në ditët tona gjithnë e më pak njerëz po martohen dhe akoma më pak prej tyre vendosin të kenë fëmijë, e akoma më pak prej atyre që vendosin të kenë fëmijë janë duke i rritur ata në familje me dy prindër. Ajo parashikon se nëse ky trend vazhdon, kjo bjerrje e vazhdueshme e familjes do të sjellë në dështimin e fesë. Apo ndoshta jo? Trendet nuk vazhdojnë përherë, madje dhe Eberstadt e pranon këtë në kapitullin e fundit “The Case for Optimism,” ku ajo parashikon mundësinë e ripërtëritjes. Ajo sugjeron se rigjenerimi mund të vijë “vetvetiu”, ku krizat ekonomike gjithnjë e në rritje mund të detyrojnë familjet që të rimarrin në zotërim disa nga detyrat që në ditët tona i janë transferuar shtetit social. Familja ka nevojë që të marrë edhe një herë në konsideratë trajtimin e të rinjve dhe të të moshuarve në çastin kur shteti nuk do të ketë më mundësi ta kryejë. Ose, në një rast më optimist, sugjeron Eberstadt, mund të kemi një kohë kur ne të fillojmë të vlerësojmë tjetrin edhe një herë duke u bazuar në respektin kristian mbi martesën dhe familjen si dhe shenjtërinë e jetës – përfshirë edhe jetën e të pa lindurit. Kjo do të jetë koha – dhe Eberstadt ofron një farë shprese kësaj here – kur ne do të përmbysim rënien e deritanishme.

Konspekti i kryer nga: Anne Hendershott, Franciscan University. Titulli në origjinal: Mary Eberstadt, How the West Really Lost God: A New Theory of Secularization (Philadelphia: Templeton Press, 2013). Artikulli është publikkuar më parë të faqja Erasmusi

Artikulli paraprak​Shteti nuk e heton më Ramiz Kelmendin për keqpërdorimin e 150 mijë eurove (Dokument)
Artikulli vijuesProjekti me emrin “ISIS”: fashizmi i veshur me petkun e Islamit