SI TË FALESHA KUR NUK DIJA AS SI T’IA FILLOJA

SI TË FALESHA KUR NUK DIJA AS SI T’IA FILLOJA
Nga Fehmi Maloku/ Labinot Krasniqi,foto

May 25, 2006, 09:23

Intervist me ish Kengtarin Ferki Shala – TNT

JAVA: S’na treguat se si filluat me namazin, pasi braktisët alkoolin?

Ferki Shala: Po…duke lexuar literaturën islame, një mëngjes të hershëm, sepse atë natë qëndrova thujase pa pikë gjumi, lexoja i vetëm në banesën time kur, befas, po e dëgjoj Ezanin e Sabahut. Kur dëgjova tingujt e fjalës All-llahu Ekber (Zoti është më i madhi), kjo gjë më tërhoqi vemendjen. Mendova me vete: hajt ta fali edhe unë një sabah, të paktën. U zgjova dhe mora abdest…por si të falesha kur nuk dija as si t’ia filloja. Shkova te kompjuteri dhe e shkrova krejt mënyrën e faljes së namazit. E bëja me shkronja të mëdha dhe të dallushme krejt atë mënyrën teorike të namazit, dhe ia fillova ngadalë. Ende ashtu vetëm, që të mos më shihte askush. Në këtë mënyrë, pra, deshi All-llahu dhe mësova se si duhet ta fali namazin.

Pastaj erdhi shoqja së bashku më vajzat nga familja e saj. Ajo nuk dinte ende asgjë për këtë ndryshim timin. Deshi All-llahu dhe menjëherë edhe shoqja ime filloi me të pesë kohët e namazit, bile pa i thënë fare unë se duhej të falte namazin, ajo vetë pranoi. 

JAVA: Shoqja juaj, ka falur ndonjëherë namaz apo jo?

Ferki Shala: Jo, asnjëherë. Por, atëherë filluam të bëjmë gara në mes veti më tërë familjen. Fillova menjëherë të shkoj në xhami dhe të mësoj shkronjat e Kur’anit në gjuhën arabe, dhe në këtë mënyrë fillova të mësoj edhe leximin e Kur’anit në gjuhën arabe. Kur kthehesha në shtëpi, ua përcillja edhe familjes sime ato mësime. Ishte shumë interesante atmosfera në familjen tonë. Merrja letra të mëdha dhe e shfrytëzoja derën në shtëpi, për t’i shkruar shkronjat e Kur’anit, ndërsa familja ime i mësonte.

Kështu m’u ba jeta shumë interesante, m’u ndërrua krejt ambienti familiar. Në fillim kisha ngapak reagime në familjen time. Vajzat më thoshin shpesh: “Babi, pse po e lë rakinë, kur ke qenë njeri i mirë, nuk ke bërë asnjëherë probleme”, e kështu me rradhë. Por, tash kur e kanë parë ndryshimin e plotë të ambienitit tonë, ku vazhdimisht ndëgjohen Ilahitë, televizori nuk është më i destinuar për gjërat që i përdornim përpara. Por, tash rrjedhat kanë ndryshuar tërësisht kahjen e tyre. Jeta në familje na është bërë një jetë normale, shumë shumë normale. Edhe vajzat ia nisën menjëherë me falë namazin, jo pesë kohët, por aq sa po munden. Janë duke shkuar me hapa shumë të mirë dhe po e mbajnë qëndrimin e tyre të mirë në Islam. E lus All-llahun që t’ju ndihmojë edhe atyre dhe ta praktikojnë tërësisht fenë Islame. Nuk e kam ndërmend të bëj presion mbi to, sepse e kam kuptuar tash se Islami nuk e duron presionin dhe nuk mund të imponohet, sepse ne e dimë se feja nuk shkon më dhunë dhe me imponime. Edhe All-llahu thotë në Kur’an “Nuk ka dhunë në fe”.

JAVA: Emrat e vajzave tuaja, Illda dhe Rejallda, janë emra muslimanë apo jo?
Ferki Shala: Po, janë emra muslimanë, të cilët i patëm zgjedhur. Si thashë edhe me parë, unë edhe në atë periudhën e injorancës, kam duruar gjithçka, veç në Islam nuk kam duruar të më prek dikush, pra, kam pasur gjithmonë respekt për fenë Islame?

Fillova të jem euforik…

JAVA: Ky ndryshim i madh që ndodhi me juve dhe familjen tuaj, si interpretohej pastaj nga të afërmit tuaj?

Ferki Shala: Thënë të drejtën mua xhemati në xhami më çortonte ngapak, duke me konsideruar si shumë radikal, sepse unë fillova vërtet të bëhem euforik në çështjen e fesë. Shkoja në shtëpi dhe thosha ose duhet krejt të falemi këtu ose duhet të dilni jashtë. Oooo… kjo interpretohej koxha e rëndë dhe për këtë mua më tërhiqnin vërejtjen kryesisht vëllezërit në xhami.

JAVA: Nga i morët këto motive euforike, nga mësimet fetare të Islamit?

Ferki Shala: Jo, absolutisht nuk e kam marrë këtë qëndrim nga leximet e literaturës fetare Islame, por më buronte nga shpirti im kjo eufori. Prandaj edhe xhemati në xhami më çortonte duke më thënë se nuk guxoj të bëhem i vrazhdë dhe euforik në Islam. Ata më thoshin vazhdimisht se duhet të bëhem i qetë dhe korrekt maksimalisht. Por, All-llahu deshi dhe ja tash menjëherë ambienti im familiar u shndërrua krejtësisht dhe për këtë ndihem shumë krenar. Euforia ime ka pasur rezultate shumë të mira në këtë rast. Ndërsa Islami nuk e ka kështu, por unë e bëra nga temperamenti im. Kam qenë i vetëdijshëm edhe atëherë edhe tash se Islami nuk e duron as mënyrën e të shprehurit radikal, dhe as dhunën. Ne El-hamdulilal që nuk kemi nevojë të kemi as idole dhe as ndërmjetësues ndërmjet nesh dhe All-llahut. E kemi shumë të qartë lidhjen dhe rrugën drejt All-llahut, është shtjelluar shumë mirë kjo rrugë përmes Kur’anit Famëlartë dhe praktikës së Muhammedit alejhi selam (Sunnetit), dhe nuk kemi nevojë për asgjë tjetër. Përballë këtyre dy kritereve ne mund të vlerësojmë më së miri veten se ku jemi dhe a jemi duke shkuar në rrugën e duhur apo jo. Nuk kemi nevojë për asgjë tjetër.

Kisha me u veshë si Cat Stevens, por nuk po më lënë vëllezërit emi të fesë

JAVA: Dukej paksa e çuditshme ndryshimi radikal edhe në pamjen tuaj. Nga një këngëtar me flokë më të gjata, me disa vathë në vesh, u shndërruat në një personalitet krejt tjetër. Tash keni edhe mjekërr të plotë sipas Sunnetit të Muhammedit alejhi selam. Si u bë kjo?

Ferki Shala: Ah t’kisha mujt me ba edhe ma tepër. Me kënaqësinë më të madhe e kam lëshuar mjekrrën, kështu sipas traditës Islame (sipas Sunnetit të Muhammedit alejhi selam). Për këtë, natyrisht se ndihem shumë krenar, sepse e zbatoj praktikën e Pejgamberit tonë – Muhammedit alejhi selam, asgjë më tepër.

Nuk po më përkrahin as hoxhollarët këtu në Mitrovicë dhe as vëllezërit muslimanë, sepse me gjithë dëshirë do të ndërroja stilin edhe në të veshurit tim. Sa po kam dëshirë të vishem tash me ato rrobat tradicionale siç vishen muslimanët në Mekkë e në Medinne, por nuk po më lëjojnë vëllezrit muslimanë.

JAVA: Mendoni se për të qenë musliman më i mirë duhet të ndryshoni edhe stilin e veshjes?!

Ferki Shala: Jo, jo, jo…Absolutisht nuk e pata këtë qëllim. E ndiej në shpirt këtë dëshirë time dhe është vetëm mendim imi personal, nuk e kam këtë nga të kuptuarit e parimeve islame, sepse nuk është e thënë kështu. Thjesht, po dua të praktikoj sa të mundem më shumë Islamin, dhe po dua të vishem sikur vishen musliamanët në vendin prej nga edhe ka ardhur Islami, prej vendit ku ka lulëzuar Islami. Pra, është vetëm dëshirë personale imja dhe nuk thotë as Islami një gjë të tillë. Ndërsa, reagimi i njerëzve po më pengon, sepse ata edhe në fillim kur nisa të praktikoj fenë dyshonin në sinqeritetin tim, çuditeshin se si ka mundësi që Ferki Shala, një ish-këngëtar krejt i shfrenuar, e ka lëshuar mjekrën dhe i ka flakur vathët nga veshët, por ja që unë me ndihmën e All-llahut dhe më mëshirën e Tij dola i sinqertë dhe serioz.

Kam pasë vathë e kam qenë idiot i vërtetë…Inshallah Zoti më fal!

JAVA: Përmendët vathët që keni mbajtur një kohë të gjatë, me çfarë motivesh i mbanit tërë ata vathë?

Ferki Shala: Po, është e vërtetë se kam pasur nja 4-5 copa vathë, kam pasur po ashtu mjekërr të çoroditur dhe flokë të gjata, zingjirë në qafë e gjithçka tjetër. Një idiot i vërtetë. As vetë nuk e di se pse i kam bërë këto gjëra, pra, nuk kam pasur as motive të qarta dhe as arsye. Çka mund të jetë tjetër përveç injorancës sime dhe arrogancës që kisha atëherë. Inshallah Zoti më fal. S’po di ç’të them tjetër?

JAVA: A mos po turpëroni kur po ju bëjmë këso pyetjesh për të kaluarën tuaj?
Ferki Shala: Paj…po ngushtohem pak Vallah. Ju gazetarët e këni shprehi t’i ngucni në pika të dobëta njerëzit. Megjithatë, unë e kam biografinë time të shprehur publikisht dhe për fat të keq atë e dinë të gjithë njerëzit, prandaj nuk mund ta mohoj. Mirëpo, tash El-hamdulilah që jam kthyer në rrugën e Zotit dhe për këtë jam krenar shumë. Zatën pa e shijuar atë injorancën time që kam pasur në të kaluarën ndoshta as Islamit tani nuk do t’ia ndieja vlerën e vërtetë që ka, siç jam duke ia ndier tash pasi i jam kthyer. El-hamdulilah që Zoti e ka mëshirën e madhe dhe është i Plotëmëshirshëm. Kështu që ai na i falë të gjitha mëkatet tona nëse ne i kërkojmë sinqerisht falje dhe i kthehemi Atij, shpresoj inshallah që edhe mua do të m’i falë të gjitha mëkatet që i kam bërë në të kaluarën, dhe përpiqem natyrisht që tash të bëhem sa më serioz në praktikimin e Islamit.

Pikërisht për ta përmbushur këtë amanet që ia kam vendosur vetes, unë jam duke bërë përpjekje maksimale. Vizitoj xhaminë rregullisht dhe i fali namazet me rregull, i jam rrekur mësimit të Kur’anit më të gjitha mundësitë e mia dhe lus All-llahun që të më ndihmoj në këtë rrugë të re që e kam filluar. 

Xuxi, Vullnet Sefaja, Ermal Fejzullahi…është mirë që e falin namazin. Por duhet ta lënë edhe muzikën…

JAVA: Ju kanë krahasuar me këngëtarin e famshëm britanik Cat Stevens (tash Yusuf Islam). Edhe ai pati bërë një veprim identik me juve. Në kohën kur ishte në kulminacionin e muzikës dhe të karrierës, baraktisi muzikën dhe u bë musliman i devotshëm. A ndiheni i nderuar me këtë krahasim?

Ferki Shala: Nuk është gjë e vogël që të më krahasojnë më një njeri të madh siç është Yusuf Islami (Cad Stevensi i dikurshëm). Natyrisht se ndiej nder dhe kënaqësi të madhe nëse krahasohem me një yll të tillë, siç është tash vëllai ynë Yusuf Islami, Ket Stivensi i famshëm që ishte dikur. Nuk e kam lakmi në aspektin e karrierës së tij të bujshme që pati, por po ndiej nder që krahasohem me një njëri që bëri revulucion të madh në qenien e tij shpirtërore, sepse për nga aspekti i famës, popullaritetit edhe unë kam qenë mjaft i njohur. Megjithatë duhet thënë se Yusuf Islami vërtet ka bërë hap të madh në jetën e tij, ka bërë shumë më shumë sesa unë – revolucion të vërtetë në veten e tij. Ai ka qenë krishter dhe ka ndërruar fenë – është bërë musliman i përkushtuar, ndërsa unë kam qenë musliman gjithmonë, por fatkeqësisht kam qenë injorant deri më tash dhe nuk e kam praktikuar fenë time. Tashmë e kam kthyer natyrshmërinë në qenien time. 

JAVA: Siç dihet, Estrada kosovare ka edhe disa emra të tjerë, të cilët edhe falin namazin rregullisht, por në të njëjtën kohë merren aktivisht me muzikë. P.sh. Xuxi, Vullnet Sefaja, Ermal Fejzullahi, etj. A mendoni se ata kanë të drejtë në këtë rast?

Ferki Shala: Kam shumë respekt për të gjithë ata që përmendët. Kam marrë përgëzime nga ta kur unë vendosa ta braktisi muzikën përfundimisht. Mendoj se edhe ata duhet ta bëjnë një gjë të tillë, herët ose vonë. Është shumë mirë nga ta që e falin namazin me rregull, dhe i përmbahen parimeve të fesë të cilën e kanë zgjedhur. Rruga e tyre në profesinon të muzikës – muzikës që ata e bëjnë tash për tash, është një gabim, dhe besoj se këtë gabim ata do ta kuptojmë me kohë. Është mirë qe e falin namazin, sepse namazi me të vërtetë i largon njerëzit nga gjërat e kota. Unë ju kisha rekomanduar atyre që vetëm ta ndiejnë më tepër përgjegjësinë e tyre ndaj Zotit dhe parimeve të fesë islame dhe çdo gjë do të jetë në rregull. Ta kenë edhe frikë-respektin ndaj Zotit si Kriijues dhe vetvetiu do të tërhiqen. Pa marrë parasysh atë famën, suksesin dhe popullaritetin apo edhe përfitimet që mund të fitohen me muzikën e shfrenuar, ju them se Vallahi nuk ka asgjë prej kësaj. Edhe nëse dikush arrin të bëjë kapital të madh më këtë formë, le ta dijë se asgjë nuk do t’i duhet. Pasha një All-llah, asgjë të mirë nuk ka prej kësaj rruge. Krejt ato fitime dhe ndere që mund t’i fitojë dikush, nuk do të kenë kurrëfar hajri prej tyre.

JAVA: Dhe, cili është komenti juaj për fund – keni për të shtuar edhe diçka ju?
Ferki Shala: Po pa dyshim se ju përshëndes dhe ju falënderoj për interesimin.Vërtet ishte kënaqësi e madhe për mua në këtë bisedë të gjatë që bëmë. Më vjen shumë mirë që JAVA, për dallim prej të tjerave, kohëve të fundit është duke mbajtur një qëndrim shumë dinjitoz edhe ndaj ne muslimanëve, dhe kjo natyrisht se e dallon nga të tjerat. Edhe unë kam filluar ta lexoj “Javën” para një kohe dhe vërtet po më pelqen përmbajta dhe gjuha e saj, sepse unë më gjuhën kam shumë probleme, meqë nuk kam qëndruar shumë në Kosovë, por thuajse vetëm jashtë Kosove. 

Selam Alejkum të gjithëve!

Artikulli paraprakTrajneri i njohur francez i futbollit dhe gruaja e tij konvertohen në Islam
Artikulli vijuesFRANCK RIBERY NË ISLAM