Si u kthye teknologjia kundër të vërtetës

0
303

Mediat sociale kanë gëlltitur lajmin duke kërcënuar interesin publik në raportimet dhe drejtimin në një epokë të re, ku çdokush zotëron faktet e veta. Por pasojat e kësaj gjëje shkojnë shumë më larg gazetarisë.

Nga Katharine Viner, The Guardian

Një mëngjes të shtatorit të vitit të kaluar Britania u zgjua me një histori të çuditshme. Kryeministri, David Cameron, ka kryer një “akt të pahijshëm me kokën e një derri”, sipas Daily Mail. “Sipas pretendimeve nga një i njohur, prej kohës së Oxfordit, Cameron është bërë pjesë e një ceremonie mizore gjatë eventit Piers Gaveston, e cila kishte si pjesë të saj një derr të ngordhur” –raporton gazeta.

Piers Gaveston është emri i një darke rituale të një shoqërie nga Universiteti i Oxfordit, autorët e historisë së shkruar thonë se burimi i informacioneve të tyre është një ministër, i cili kishte edhe prova fotografike: “Ndër tregimet e tij një nga më të jashtëzakonshmet ishte se ai vendosi një nga pjesët më intime të trupit të tij brenda kafshës”.

Historia e shkëputur nga një biografi e re e Cameron shkaktoi një zhurmë të menjëhershme. Ishte vulgare, ishte një mundësi e shkëlqyer për të fyer një kryeministër të elitës dhe shumë veta menduan se ishte diçka që mund ta bënte një ish-anëtar i Club-it famëkeq të Bullingdon.

Brenda pak minutave “#Pigatte dhe #Hameron” u kthyen në një trend të ri në Twitter, madje një pjesë e politikanëve të lartë u bënë pjesë e lojës. Nicola Sturgeon tha se deklaratat kishin argëtuar të gjithë vendin, ndërsa Paddy Ashdoun u tall duke thënë se Cameron po “pushtonte titujt e parë”. Në fillim BBC refuzoi të përmendte akuzat ndërsa “10 Downing Street” tha se nuk të ndihmonte që kjo histori të zmadhohej më tej duke u përgjigjur, por më vonë u detyrua të kundërpërgjigjej duke mohuar çdo gjë.

Në këtë mënyrë, një njeri i fuqishëm u turpërua me një skandal seksual në një mënyrë që nuk kishte të bënte aspak me politikat e tij ndarëse dhe në një mënyrë që ai nuk mund të përgjigjej. Por kujt i intereson kjo? Ai mund ta mbajë. Më vonë pas një dite të mbushur me argëtime në internet ndodhi diçka tjetër. Isabel Oakeshott, gazetarja e Daily Mail, e cila kishte bashkëpunuar për shkrimin e biografisë së Lord Ashcroft, një biznesmen miliarder, bëri një dalje në TV për të pranuar se as ajo vet nuk e dinte nëse skandali që kishte publikuar ishte i vërtetë. E vënë nën trysni për të dhënë prova mbi pretendimet e bujshme Oakeshott pranoi se nuk kishte asnjë të tillë.

“Ne nuk mundëm të shkonim deri në fund për të kontrolluar ato që na tha burimi”, tha ajo për Channel 4. “Pra ne e raportuam informacionin ashtu siç e morëm nga burimi ynë .. Ne nuk themi që i besojmë dhe që është i vërtet”.

Me pak fjalë nuk kishte asnjë provë se kryeministri i Britanisë dikur kishte “futur një pjesë intime të tij” në gojën e një derri të ngordhur – një raportim i pasqyruar në dhjetëra gazeta dhe e përsëritur në miliona twitter dhe statuse të Facebook-ut, të cilën shumë njerëz ende vazhdojnë ta besojnë.

Oakeshott shkoi edhe më tej duke shfajësuar veten nga çdo akuzë gazetareske: “Është në dorë të njerëzve të tjerë (lexuesve) nëse duhet t’i japin kësaj historie kredibilitet apo jo”, përfundoi ajo. Sigurisht që kjo nuk ishte hera e parë ku pretendime të çuditshme ishin publikuar në bazë të provave filmike, por në këtë rast kjo ishte një mbrojtje jashtëzakonisht e dobët. Duket se gazetarëve nuk ju kërkohej më të besoheshin në historitë që sillnin edhe nëse kishin prova për një gjë të tillë. Në vend të saj çdo gjë varej nga lexuesit, të cilët nuk kishin asnjë ide për burimin e informacionit për të vendosur mbi këtë histori. Bazuar në çfarë? Instinktin e brendshëm, apo gallatën?

A ka më rëndësi e vërteta?

Nëntë muaj pasi Britania u zgjua nga të qeshurat e skandalit hipotetik të intimitetit me derra të Cameron, vendi u zgjua në mëngjesin e 24 qershorit nën vështrimin e vërtetë të kryeministrit, i cili qëndronte në këmbë jashtë Downing Street në orën 8 të mëngjesit për të dhënë dorëheqjen e tij.

“Populli i Britanisë votoi për t’u larguar nga BE-ja dhe vullneti i tyre duhet të respektohet” deklaroi Cameron. Ishte një vendim që nuk u mor me lehtësi, jo shumë i lehtë sepse u thanë shumë gjëra nga shumë organizata të ndryshme mbi rëndësinë e këtij vendimi. Në këtë mënyrë nuk mund të ketë asnjë dyshim mbi këtë vendim.

Shumë shpejt u bë e qartë ajo për të cilën shumë kishin dyshim. Në fund të fushatës e cila dominoi lajmet e të gjithë muajit ishte e dukshme se pala fituese nuk e kishte asnjë plan se kur apo si Mbretëria e Bashkuar do të linte BE ndërkohë që pretendimet e pavërteta të palës që donte të qëndronte u shpërbënë papritur. Në orën 6:31 të premten e 24 qershorit vetëm një orë pasi rezultatet e referendumit ishin bërë të qarta, një nga drejtuesit e ekipit Nigel Farage arriti në përfundim se post-Brexit nuk do të kishte 350 milionë paund rezervë në javë për të shpenzuar në NHS- një pikë kyçe e Brexiteers, e cila shfaqej edhe në reklamimet e autobusëve të fushatës që ishte pro largimit. Disa orë më vonë eurodeputeti konservator Daniel Hannan deklaroi se emigracioni nuk do reduktohej një prej premtimeve të shumta të Brexit.

Nuk ishte hera e parë që politikanët dështuan në atë çfarë premtuan, por ndoshta ishte hera e parë që ata pranuan në mëngjesin pas fitores se të gjitha premtimet ishin false. Ky ishte votimi i parë madhor në epokën e post të vërtetave politike: shqetësimi i fushatës pro qëndrimit ishte se i duhej të luftonte fantazinë me fakte, por shumë shpejt kuptoi se bursa e të vërtetës ishte ulur shumë.

Faktet shqetësuese dhe ekspertët e shqetësuar të proqëndrimit u hodhën poshtë duke u cilësuar si “Projekti i frikës” dhe u neutralizua shumë shpejt me “kundërfakte”: Në qoftë se 99 ekspertë thanë se ekonomia do të rrëzohej, dhe një ekspert nuk ishte dakord, BBC na tha se secila palë ka një pikëpamje të ndryshme të situatës.

(Ky është një gabim katastrofik që përfundon duke errësuar të vërtetën dhe i bën jehonë mënyrës se si disa raportojnë ndryshimet e klimës). Michael Gove deklaroi në Sky News se “njerëzve në këtë vend u kanë ardhur në majë të hundës ekspertët”. Ai gjithashtu krahasoi 10 fituesit e çmimit Nobel për ekonominë të cilën nënshkruan një letër anti Brexit me shkencëtarët nazistë të cilët ishin besnikë të Hitlerit.

Për muaj të tërë, shtypi euroskeptik trumbetoi me të madhe çdo dyshim të kotë dhe u tall me çdo paralajmërim nga ekspertët duke mbushur faqet e para me tituj anti-emigrimi, shumë prej të cilëve janë korrigjuar më vonë në heshtje në brendësi të faqeve në shënime të vogla. Një javë para votimit, në të njëjtën ditë kur Nigel Farage zbuloi posterin e tmerrshëm të “Breaking Point” dhe deputetja e partisë Laburiste Jo Cox e cila kishte bërë fushatë pa pushim për refugjatët u qëllua për vdekje – kopertina e Daily Mail paraqiti një pamje të emigrantëve në pjesën e prapme të një kamioni që hynte në Mbretërinë e Bashkuar, me titull: “Ne vijmë nga Europa, na lini të hyjmë”. Ditën tjetër “Mail” dhe “Sun” që gjithashtu mbuloi ngjarjen u detyruan të pranojnë se udhëtarët në të vërtetë ishin nga Kuvajti dhe Iraku.

Mosrespektimi i pacipë që u bëhej fakteve nuk ndali as pas referendumit: vetëm këtë fundjavë kandidatja për liderë jetëshkurtër e konservatorëve Andrea Leadsom, e freskët nga roli jo i vogël në fushatën për largimin nga BE-ja, demonstroi fuqinë në rënie të provave.

Pasi tha për revistën Times se të qenurit nënë do ta bënte atë një kryeministre më të mirë se rivalja e saj Theresa May, akuzoi gazetën se kishte shtrembëruar fjalët e saj edhe pse ajo vet e kishte thënë këtë dhe fjalët e saj ishin të regjistruara në kasetë. Leadsom është një politikane e post të vërtetës edhe për të vërtetat e veta.

Kur faktet i shkojnë përshtat pohimit se çdo gjë që ju mendoni është e vërtetë, bëhet e vështirë për çdokënd të dallojë diferencën mes fakteve të vërteta dhe “fakteve” që nuk janë.

Fushata e largimit ishte e vetëdijshme për këtë, ndaj përfituan avantazh të plotë, duke e ditur që Autoriteti i Standardit të Reklamave nuk ka fuqi mbi pretendimet politike. Pak ditë pas votimit, Arron Banks, donatori më i madh UKIP dhe financuesi kryesor i fushatës Leave, tha për Guardian se skuadra e tij e dinte se faktet nuk do ta fitonin ditën. “Për këtë morëm një qasje sipas stilit amerikan për median”, tha Banks. “Ajo çfarë thanë që në fillim ishte se ‘faktet nuk bëjnë punë’ dhe kjo ishte. Ndërkohë fushata pro-qëndrimit paraqiti vetëm fakte, fakte, fakte, fakte. Thjesht nuk mund të funksionojë. Të duhet të lidhesh emocionalisht me njerëzit. Ky është çelësi i suksesit për Trump”. Nuk ishte surprizuese sesi disa njerëz u shokuan nga rezultati pasi zbuluan se Brexit mund të kishte pasoja serioze dhe shumë pak nga përfitimet e premtuara. Kur “faktet nuk bëjnë punë” dhe votuesit nuk u besojnë mediave, gjithkush beson të vërtetat e veta dhe rezultatet sikurse i keni parë, mund të jenë shkatërruese.

Si përfunduam këtu? Si mund ta rregullojmë?

Njëzet e pesë vjet pasi u krijua website i parë online është më se e qartë që ne po jetojmë në një periudhë tronditëse tranzicioni. Për 500 vjet pas periudhës së Gutenbergut dominimi i informacionit ishte në faqet e printuara : njohuritë u dhanë kryesisht në një format të caktuar për t’i inkurajuar lexuesit në të vërtetat e qëndrueshme që ishin vendosur aty.

Tani jemi të kapur mes shumë betejash konfuze dhe forcash kundërshtuese: mes të vërtetës dhe gënjeshtrës, fakteve dhe thashethemeve, mirësisë dhe mizorive, mes të pasurit pak dhe shumë gjëra, mes bashkimit dhe tjetërsimit, mes një platforme të hapur në web sikurse arkitektët parashikuan dhe mbylljen e portave në mure në Facebook dhe rrjete të tjera sociale, mes një publiku të informuar dhe një turme të udhëhequr gabim.

Ajo çfarë është e përbashkët në këto beteja dhe që e bën urgjente nevojën për t’i zgjidhur ato është se ato të gjitha përfshijnë zvogëlimin e së vërtetës. Kjo nuk do të thotë se nuk ekzistojnë të vërtetat. Do të thotë se ashtu sikurse është bërë e qartë edhe këtë vit ne nuk mund të biem dakort mbi këto të vërteta dhe se kur nuk ka konsensus për të vërtetën dhe asnjë mënyrë për ta arritë atë shumë shpejt është kaosi ai që na ndjek.

Ajo që duket si fakt në shumicën e herëve është pikëpamja e dikujt për të vërtetën dhe teknologjia e ka bërë shumë të lehtë që këto “fakte” të qarkullojnë me një shpejtësi që ishte e paimagjinueshme në kohën e Gutenberg (ose edhe një dekadë më parë ). Një histori të dyshimtë në lidhje me Cameron dhe një derr që shfaqet nëpër tabloidët që prej mëngjesit deri në pasdite ka bërë xhiron e botës nëpër rrjetet sociale duke u kthyer në lajm të besuar. Kjo mund të duket si një çështje e vogël, por pasojat e saj janë të mëdha.

“E vërteta” sikurse Peter Chippindale dhe Chris Horrie shkruajnë historinë e tyre në gazetën “The Sun” , “është një deklaratë tullace të cilën çdo gazetë e publikon me të keqen e vet”. Janë zakonisht disa të vërteta kontradiktore mbi një subjekt të dhënë, por në epokën e shtypit të shkruar fjalët në një faqe fiksoheshin aty edhe nëse ishte të vërteta ose jo. Informacioni ishte njësoj si e vërteta, të paktën deri ditën e nesërme kur sillej një informacion i ri ose një korrigjim dhe ne kështu ndanim një grup të dhënash të përbashkëta.

E vërteta e qëndrueshme është e vendosur zakonisht nga lart: një e vërtetë e përforcuar dhe e fiksuar në një vend të caktuar nga një institucion. Kjo nuk ishte një marrëveshje pa të meta: shpesh shtypi shfaq një paragjykim ndaj status quo-së dhe respektit ndaj autoritetit dhe ishte e vështirë për njerëzit e zakonshëm të sfidonin fuqinë e shtypit. Tashmë njerëzit nuk besojnë ato që paraqiten si fakte – veçanërisht nëse faktet në fjalë janë të pakëndshme ose janë jashtë sinkronit të pikëpamjeve të tyre në të njëjtën kohë, një pjesë e këtij mosbesimi është e vendosur keq, një pjesë tjetër nuk ekziston.

Në epokën digjitale është shumë më e thjeshtë të publikohen informacione të rreme që mund të shpërndahet shpejt dhe të merret si e vërtetë – sikurse e shohim nëpër situata emergjente, të cilat lajmet i sjellin në kohë reale. Duke marrë një shembull mes shumë të tillëve përgjatë nëntorit të 2015 gjatë sulmeve terroriste në Paris përmes thashethemeve u përhap se Louvre dhe Qendra Pompidou ishin goditur dhe se po ashtu François Hollande kishte pësuar një goditje në tru. Organizata të besuara të lajmeve janë të nevojshme për të përgënjeshtruar lajme të tilla.

Ndonjëherë thashetheme të tilla përhapen për shkak të panikut ndonjëherë nga keqdashja, dhe ndonjëherë nga manipulimi i qëllimshëm, një qeveri ose regjim paguan njerëz për të shpërndarë mesazhe të tilla. Cilido të jetë motivi, gënjeshtrat dhe faktet tani përhapen në të njëjtën mënyrë, me atë mënyrë që akademikët e quajnë një “ujëvarë informacioni”. Danielle Citron, studiues ligjor dhe ekspert i ngacmimeve online pohon se “Njerëzit mbështeten në atë se çfarë të tjerët mendojnë edhe nëse informacioni është jo i vërtetë, çorientues, dhe jo i plotë ata përsëri mendojnë se kanë mësuar diçka të vlefshme”. Ky cikël përsëritet, dhe para se ju ta kuptoni, kaskada ka marrë vrull të pandalshëm. Ju ndani një postim të një mikut tuaj në Facebook për të treguar se ndani të njëjtin mendim me të, por ndërkohë ky postim bëhet i dukshëm edhe për të tjerët duke rritur ndjeshmërinë te të tjerët. Algoritme të tilla sikurse është ajo që fuqizon shpërndarjen e lajmeve përmes Facebook-ut janë të dizenjuara për të na dhënë më shumë nga ajo se çfarë ne mendojmë se duam në të vërtetë, që do të thotë se versioni i botës hasim çdo ditë në rrjedhën e jetës personale është kuruar në mënyrë të padukshme për të përforcuar besimet tona të mëparshme. Kur Eli Pariser, bashkë-themelues i Upuorthy, shpiku termin “filter bubble” në vitin 2011, ai ishte duke folur për mënyrën se si web-i i personalizuar dhe veçanërisht funksioni i kërkimit të personalizuar të Google që do të thotë se asnjë kërkim nuk është i njëjtë në dy njerëz – kjo do të thotë se t’i je më pak i ekspozuar ndaj informacioneve që sfidojnë pikëpamjet e tua, por nuk shmang ekspozimin ndaj informacioneve false që të tjerët kanë shpërndarë.

Justifikimi i Pariser në atë kohë ishin ato që platformat e mediave sociale duhet të siguronin se “algoritmet e tyre kishin si prioritet pikëpamjet e kundërta dhe lajmet më të rëndësishme jo thjesht gjërat që po ktheheshin në trend dhe po bëheshin më popullore”. Por në më pak se pesë vjet falë fuqisë së pabesueshme të disa platformave sociale “filtrat e flluskës” që Pariser përshkruan janë bërë shumë më ekstreme.

Në ditën pas referendumit të BE-së, në një postim në Facebook, aktivisti britanik dhe themeluesi i mySociety, Tom Steinberg solli një ilustrim për të treguar fuqinë e “filtrit të flluskave” dhe pasojat serioze civile për një botë ku informacioni rrjedh nëpërmjet rrjeteve sociale: “Unë jam duke kërkuar në mënyrë të vazhdueshme në Facebook njerëz të cilët janë duke festuar për fitoren e largimit nga Brexit por “filtri i flluskës” është kaq i fortë dhe shtrihet në shumë gjëra si për shembull kërkimi në Facebook ku unë nuk mund të gjej asnjë të lumtur pavarësisht faktit se gati mbi gjysma e vendit është duke festuar në mënyrën më të gëzuar dhe pavarësisht faktit se unë jam duke kërkuar të dëgjoj çfarë ata thonë për këtë gjë. Ky problem i Eco-dhomave është kaq shumë i rëndë dhe kaq shumë kronik saqë unë mundem vetëm t’i lutem ndonjë prej miqve të mi të cilët kanë punuar për Facebook ose rrjete të tjera t’ia adresojnë këtë problem drejtuesve të tyre”. Ne jemi duke u marrë me vende të tilla ku gjysma e një vendi nuk di asgjë për gjysmën tjetër. Por duke u kërkuar kompanive teknologjike të bëjnë diçka për “filtrat e flluskave” mund të supozojmë se ky problem nuk mund të jetë i lehtë – më tepër se një ide të rrjeteve sociale të cilat janë të dizenjura të të japin ty dhe miqve të tu atë çfarë doni të shikoni.

Facebook, i cili filloi vetëm në vitin 2004, tani ka 1.6 miliard përdorues në mbarë botën. Ai është bërë një prej alternativave kryesore përmes të cilës njerëzit kërkojnë lajme në internet dhe në fakt dominon nga mënyra e kërkimit të informacioneve edhe në krahasim me epokën e gazetës së shtypur. Emily Bell ka shkruar : “ Rrjete Sociale nuk kanë gëlltitur vetëm gazetarinë por gjithçka”. Ajo ka gëlltitur fushatat politike, sistemet bankare, historitë personale , kohën e lirë, madje edhe qeverinë dhe sigurinë.

Bell, drejtor i dy qendrave për gazetarinë digjitale në Universitetin e Kolumbias dhe një anëtar i bordit të Scott Trust që zotëron The Guardian ka përshkruar ndikimin sizmik të mediave sociale në gazetari. “Ekosistemi ynë i lajmeve ka ndryshuar në mënyrë dramatike këto 5 vjet” ka shkruar ajo në muajin mars “ndoshta më shumë se në 500 vitet e kaluara”. E ardhmja e botimit është duke u vënë në “duart e disave, të cilët tani kontrollojnë fatin e shumicës “. Botuesit e lajmeve kanë humbur kontrollin mbi shpërndarjen e punës së tyre, i cili për shumë lexues është tani “filtruar përmes algoritme dhe platformave të cilat janë të errëta dhe të paparashikueshme”. Kjo do të thotë se kompanitë e mediave sociale janë bërë jashtëzakonisht të fuqishme në përcaktimin e asaj se çfarë lexojmë dhe jashtëzakonisht fitimprurëse nga ana monetare për punën e njerëzve të tjerë. Siç vë në dukje Bell: “Ka një përqendrim shumë më të madh të pushtetit në këtë aspekt, i cili nuk ka qenë ndonjëherë në të kaluarën.”

Publikimet e kuruara nga redaktorët në shumicën e rasteve janë zëvendësuar nga informacione të zgjedhura nga miqtë, kontaktet familjare, ose të përpunuara nga algoritme të fshehta. Ideja e vjetër e një web-i të gjerë, të hapur – ku hiperlinqet e krijuara nga faqja në faqe do të krijonin një rrjet jo-hierarkik dhe të decentralizuar e informacionit – u zëvendësua kryesisht nga platforma të projektuara për të maksimizuar kohën brenda mureve të tyre, disa prej të cilave (të tilla si Instagram dhe Snapchat) nuk lejojnë lidhjet e jashtme. Shumë njerëz, në fakt, sidomos adoleshentët, tani shpenzojnë gjithnjë e më shumtën e kohës së tyre në chate të mbyllura, të cilat lejojnë përdoruesit të krijojnë grupe të ndara me mesazhe private – ndoshta për shkak se të rinjtë, të cilët kanë më shumë gjasa që të kenë ngacmime nga ballafaqimi në internet, janë duke kërkuar mbrojtje më të kujdesshme në hapësirat sociale. (Vijon në numrin e ardhshëm…)

Përktheu: Inva Hasanaliaj