Siri, dhjetra viktima në 48 orë

Tjetër ditë të përgjakëshme në Siri. Mbi 70 persona, ushtarë dhe civilë kanë humbur jetën nga luftimet e regjistruara 48 orët e fundit në vend.

Agjencia shtetërore e lajmve, Sana publikoi lajmin se 43 ushtarë dhe 3 anëtarë të forcave të sigurisë u vranë nga luftimet në periferi të Damaskut, Homs, Aleppo, Idlib dhe Daraa që të gjitha këto zona të njohura sit ë nxehta, ku konflikti zgjat prej më shumë se 1 viti.

Ndërkohë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe eksponentë të opozitës siriane në mërgim flasin për të tjera viktima ndër civilë të regjistruara ditën e shtunë. Mbi 20 persona kanë mbetur të vrarë nga përleshjet mes rebelëve dhe forcave qeveritare në lindje të vendit. Lajmi konfirmohet edhe nga monitoruesit e Ligës Arabe për të drejtat e njeriut.

OKB thotë se mbi 15 mijë persona kanë humbur jetën nga konflikti në Siri, konflikt i pranuar nga ndërkombëtarët si një luftë civile. Përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës vazhdojnë. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët ngulmojnë për largimin e Assad dhe kërkojnë kalimin e një rezolute në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që lejon ndërhyrjen ndërkombëtare. Por kjo rezolutë kundërshtohet fort nga Rusia dhe Kina, dy anëtaret e përhershme me të drejtë vetoje në këtë Këshill.

Por përvec përplasjes diplomatike, Moska dhe Uashingtoni përplasen edhe në terren. Gazetat amerikane flasin për një grup agjentësh të CIA-s të cilët kanë zbarkuar në lindje të Turqisë për të identifikuar eksponentët e opozitës siriane të cilët do të armatosen nga Uashingtoni, ndërsa Moska nga ana e saj ka pranuar se po shtet armë, përfshirë këtu edhe helikopterë ushtarakë për regjimin e presidentit Bashar al Assad.

Asadi mbështetet te Irani dhe Rusia, aleatët e vetëm. Moska ka një personel ushtarak në Siri, një stacion përgjimi në veri të vendit, jo shumë larg nga kufiri me Turqinë. Një bazë për të vëzhguar aktivitetin e kryengritësve dhe mbështetësit e tyre. Larg brigjeve siriane janë dy luftëanije, të cilave mund t’i bashkohen edhe tre anije të tjera.

Rusia pranoi se anija “Alaed” transporton helikopterë luftarakë për regjimin. Pasi kompania britanike e sigurimit e detyroi të ndalonte në veri të Skocisë, rusët gjetën një zgjidhje të shpejtë. Anija do të mbërrijë në Murmansk për të ndërruar flamur dhe do të mbajë flamurin rus. Pas kësaj do të niset drejt Sirisë dhe sipas Moskës askush s’mund ta zbulojë. E gjitha kjo bën që konflikti në Siri të shihet si një episod i Luftës së Ftohtë./tch/kohaislame

Artikulli paraprak37 të vdekur nga vërshimet në Afganistan
Artikulli vijuesPër reformë zgjedhore, e presin Gjykatën