Sistem paralajmërimi kundër infeksioneve bakteriale

Gati 15.000 njerëz vdesin në Gjermani çdo vit nga infeksionet me baktere multirezistente. Një sistem i hershëm paralajmërimi synon zbulimin e shpejtë të infeksioneve dhe trajtim optimal.
Për një kohë të gjatë antibiotikët konsideroheshin si armë magjike kundër infeksioneve. Por rastet e dështimit të tyre janë të shumta. Vetëm në spitalet gjermane çdo vit infektohen me baktere rreth 600.000 pacientë. Kur një bakter mëson të shkatërrojë jo vetëm një tip antibiotiku, por edhe dy edhe tri tipe, atëherë flitet për “baktere multirezistente”. Arsyeja përse antibiotikët shpesh nuk kanë efekt është përdorimi i tyre i vazhdueshëm në të gjithë botën. Kështu bakteret kanë mundësi “të ushtrohen” se si të nxjerrin jashtë loje antibiotikët.
Studime për luftimin e infeksioneve bakteriale
Studim i baktereve në një laborator të institutit Robert Koch.
Konstatimi sa më i shpejtë i infektimit bakterial të një plage është objekt i kërkimeve të Katharina Landfester-it dhe ekipit të saj në Institutin Max Planck për studime të polimereve në Mainz. “Ne kryejnë studime me plastikën”, shpjegon drejtoresha e institutit. Pasi plastika është më shumë se tubat e pastës së dhëmbëve dhe tubat të shkarkimit. Ekipi i studiueses Landfester nga Mainz-i ka zhvilluar kapsula shumë të vogla nga acidi ialuronik, të ashtuquajtur “nano-kontejnerë”. “10.000 nano-kontejnerët të vendosur në radhë japin një milimetër”, shpjegon Landfester dimensionet e grimcave.
Kontejnerët e mbushur me ngjyrë shpërndahen në numër të madh në fashon që mbulon plagën. Nëse në plagë janë mbledhur baktere, nis një reaksion kimik, shpjegon drejtuesja e projektit, Renate Förch: “Bakteret emetojnë toksina të cilat sulmojnë kapsulat e vogla dhe i tresin.” Gjatë këtij procesi çlirohet lënda e ngjyrosur dhe fashoja merr ngjyrë blu, të kuqe ose të gjelbër. Për mjekët dhe infermierët kjo do të thotë “alarm bakteresh!”
Shtim i baktereve rezistente në të gjithë botën
Numri i baktereve të tipit multirezistent po shtohet në të gjithë botën.
Një sistem paralajmërimi i hershëm, i cili tregon fillimin e një infeksioni, është shumë i rëndësishëm pasi mund të reduktohet sasia e antibiotikëve të nevojshëm. Prej dekadash antibiotikët përdoren si mjet magjik në të gjithë botën dhe bakteret po bëhen gjithnjë e më rezistente, çka ka pasoja fatale: “Bakteret rezistente kanë përparësinë e mbijetesës dhe për këtë arsye përhapen shumë fort”, shpjegon mekanizmin e rrezikshëm eksperti për infeksionet, Martin Mielke, nga instituti Robert Koch.
Në gjurmë të një sistemi paralajmërues
Ekipi i studiuesve nga instituti Max Planck duket se është në gjurmë të një sistemi funksionues paralajmërues: “Sapo fasha e plagës merr ngjyrë blu, të kuqe apo të gjelbër, duhet të fillojë lufta kundër baktereve”, bën të qartë domosdoshmërinë e ndërhyrjes së shpejtë, Katharina Landfester. Nganjëherë pak orë janë vendimtare për shërimin e plagës apo helmimin e gjakut.
Terapia funksionon sipas të njëjtit parim si sistemi i alarmit, vetëm se nga kapsulat e vogla nuk del ngjyrë por lëndë mjekuese. Medikamenti është zakonisht një antibiotik pasi edhe kur infeksioni zbulohet shpejt, ai duhet të trajtohet me një medikament. Dhe në shumicën e rasteve këto janë antibiotikë. Por kur inflamacioni nuk ka përparuar shumë, mjaftojnë sasi më të vogla antibiotiku.
Ngjyra e bardhë tregon mungesën e rrezikut
Renate Foerch nga instituti Max-Planck
Çdo mundësi për shmangien e përdorimit të antibiotikëve duhet të shfrytëzohet: “Argjendi dhe zinku njiheshin që në kohën e grekëve dhe romakëve për veprimin e tyre antibakterial”, tregon Renate Förch për përvojat e së kaluarës. Nanoteknologjia lejon “arritjen e një veprimi optimal me sasi shumë shumë të vogla medikamentesh”, shpreh bindjen studiuesja Landfester.
Nëse nanokontejnerët mbeten të pacenuar dhe fasha e plagës plotësisht e bardhë, ky është një informacion i rëndësishëm që thotë “Gjithçka në rregull!” dhe i kursen pacientit procedurën e dhimbshme të ndërrimit të fashës për të parë nëse plaga po shërohet si duhet apo nëse është infektuar.

Artikulli paraprakCarla del Ponte: Haradinaj është liruar sepse kanë munguar dëshmitë
Artikulli vijuesKorea Veriore uron 100 vjetorin e pavarësisë