Sistemet e energjisë në Kosovë dhe Shqipëri janë komplementare

Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në fushën e energjisë elektrike ka filluar të konkretizohet.
 
Mungesa e kapaciteteve dhe llojshmëria e tyre ka bërë që Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Kosovës dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë e Shqipërisë të themelojnë tregun e përbashkët të energjisë, si një zonë të vetme tregtare.
 
Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, Blerand Stavileci, bashkë me ministrin e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, thanë sot se studimet që i kanë paraprirë këtij tregu të përbashkët të energjisë, kanë dëshmuar se themelimi i tij përpos që është teknikisht i mundshëm, është edhe ekonomikisht i leverdishëm për të dyja shtetet.
 
“Sistemet e energjisë në Kosovë dhe Shqipëri janë komplementare, sepse Kosova ka kapacitete termike, kurse Shqipëria kapacitete hidrike. Ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese në Kosovë dhe Shqipëri janë edhe imperativ i kohës, prandaj duke pasur parasysh objektivat tona për krijimin e një tregu të hapur e konkurrues, si dhe rëndësinë e iniciativave të bashkëpunimit rajonal për bashkimin e tregjeve nacionale, në mënyrë që t’i shfrytëzojmë burimet më të lira të energjisë, po e themelojmë edhe tregun tonë të përbashkët të energjisë elektrike”, ka thënë ministri Stavileci.
 
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë themeluar edhe Komitetin Drejtues të përbashkët të udhëhequr nga ministritë përkatëse dhe të përbërë nga përfaqësuesit e autoriteteve rregullatore dhe operatorëve të sistemit të transmetimit dhe tregut të energjisë.
 
Në këtë komitet të drejtë vote do të ketë ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, ministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, kryesuesi i Bordit të ZRRE së Kosovës, kryesuesi i Bordit të ERE së Shqipërisë, kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT të Kosovës dhe administratori i OST të Shqipërisë.
 
Ndërsa, pa të drejtë vote në përbërje të Komitetit Drejtues do të jenë edhe udhëheqësi i Departamentit të Energjisë i MZHE së Kosovës dhe udhëheqësi i Departamenti të Energjisë i MEI të Shqipërisë.kohaislame
Artikulli paraprakVuçiq: Nuk jemi të gatshëm ta njohim Kosovën
Artikulli vijuesIsh-komandantit të Brigadës 141 të Shalës nuk i njihet statusi i veteranit