Në trillerin hollivudian “Lazarat Burning”, prodhuesit dhe trafikantët shqiptarë të hashashit do të jenë në varësi të një organizatë të madhe të drejtuar nga krimi i organizuar amerikan.
Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Krauford, një prej ideuesve dhe financuesve të këtij filmi, ka “dekonspiruar” detaje mbi skenarin e filmit, që është përkufizuar si projekti më i madh Hollivudian në Shqipëri.
“Është i frikshëm dhe nuk ka lidhje me politikën. Do të ketë edhe disa aspekte nga ’97-a, nga çfarë ka ndodhur me hashashin në rajon dhe në Evropë. Do të bëjmë diçka ku shqiptarët janë heronj dhe të tjerët të jenë të këqij”, tha Krauford për “Report TV”, shkruan Shekulli.
Sipas tij, trupa e aktorëve do të përfshijë edhe emra të njohur nga Amerika, Italia e Rusia, mes të cilëve edhe Raul Bova.
Xhirimet do të nisin në gushtin e këtij viti, ndërsa filmi do të shfaqet në vitin 2017.