Spitalet nuk vrasin njerëz, media po

Alfred Aga

Rasti tragjik i katër jetëve të humbura si pasojë e një zjarri në Spitalin Amerikan, të hedhur nga një prej pacientëve pas një episodi fatal, ka tronditur një pjesë të mirë të opinionit publik, por më së shumti ka tronditur vetë personelin e spitalit, i cili është përballur nga afër me ngjarjen. Si pjesë e stafit të mjekëve të këtij spitali e kam përjetuar me trishtim këtë ngjarje, e cila askujt nuk do t’i kish shkuar ndër mend. Çdokush do të tronditej nëse do të bëhej dëshmitar i një vrasjeje në institucionin ku punon, dhe është akoma më e rëndë kur ky institucion është ngritur për t’i shpëtuar njerëzit nga vdekja.

Por, si për të mos mjaftuar kjo, jemi detyruar këto ditë të përballemi me akuza e shpifje nga më të ultat, fillimisht nga mediat, e për pasojë edhe nga qytetarë të shumtë, të ndikuar prej tyre. Një lumë lajmesh e shkrimesh, pa kurrëfarë profesionalizmi e madje pa kurrfarë dëshire për të zbardhur të vërtetën, vërshuan këto ditë kundër Spitalit Amerikan, duke ngritur akuza të pabaza, me të cilat kanë ndërsyer mijëra njerëz kundër institucionit dhe punonjësve të tij. Tituj bombastikë, si p.sh. “spitali i vdekjes”, “spitali e çoi në buzë të vdekjes” etj., kanë mbushur faqet e gazetave dhe portaleve për ditë me rradhë, duke hedhur baltë mbi punën tonë si dhe profesionalizmin e dinjitetin e stafit mjekësor. Kjo lloj gazetarie, e ekzistuese vetëm për skupin dhe interesat, e aspak për të vërtetën, është një prej sëmundjeve më të rënda të kësaj shoqërie, dhe në fakt nuk ka spital që e merr përsipër.

Si pjesë e stafit mjekësor të këtij spitali, ku punojnë me përkushtim mjekë nga më të mirët e vendit dhe shumë mjekë të huaj të shkëlqyer, ndjej detyrimin moral të bëj disa sqarime, për të vënë në vend dinjitetin e nëpërkëmbur.

Fillimisht, më duhet të theksoj se nëse Spitali Amerikan ka përgjegjësi për sistemin e shuarjes së zjarrit këtë duhet ta verifikojnë organet kompetente dhe të marrin masat nëse ka fajtorë. “Ekspertët” zjarrfikës, piromanë e piroteknikë të facebook-ut apo hapësirës kibernetike shqiptare janë të lutur ta shfryjnë dufin e tyre për të shuar zjarrin e brendshëm dhe mllefin që i ka kapur pas kësaj ngjarje, pasi një pjesë duket se janë entuziazmuar së tepërmi për këtë fatkeqësi.

Për sa i përket padive, normal që çdo spital në botë ka me dhjetëra e qindra të tilla. Kjo si për shkak të gabimeve mjekësore të personelit, por më shumë si shkak i fushatave mashtruese që bëjnë zyra të ndryshme avokatie ku u premtohen përfitime kolosale pacientëve të “keqtrajtuar” edhe “nëse nuk kanë mundësi të paguajnë shpenzimet e avokatëve”. Kjo lloj klime dhe fushata e orkestruar me mjeshtëri, ka bërë që Italia, p.sh, të aprovojë para 2 muajsh një ligj që e bën tepër të vështirë të padisësh doktorët pa prova të qarta. Kjo, pasi u shfaq problemi që rastet e vështira edhe nëpër spitalet shtetërore ku mjeku është i siguruar plotësisht, nuk i operonte më askush (mjekësi difensive), për shkak se gjyqet e pafund ua bëjnë punën kirurgëve të pamundur. Në vende të tjera ka ndodh që shumë doktorë të akuzuar padrejtësisht, pasi kanë dalë të pafajshëm, kanë hedhur në gjyq pacientët që i kanë akuzuar me të padrejtë, duke iu kërkuar atyre dëmshpërblim për dëmtim të imazhit apo stresit të shkaktuar. Kjo në Shqipëri nuk ka filluar akoma, por shumë shpejt do të kemi edhe ne raste të tilla.

Ju siguroj që në spitalin tonë vijnë raste nga më ekstremet të cilat refuzohen apo janë keqtrajtuar në spitale të tjera, si brenda dhe jashtë vendit. Mund të diskutojmë gjatë nëse duhet apo nuk duhet t’i marrë përsipër një spital privat raste të tilla, por dëshira për t’i ndihmuar këto njerëz që nuk kanë më alternativë tjetër pos vdekjes dhe sjellja e eksperiencës apo teknikave bashkëkohore nga kolegë që kanë studiuar jashtë Shqipërisë bëjnë që ne, duke treguar qartë rreziqet dhe shancet për kurim, së bashku me pacientin, t’i marrim përsipër këto raste. Në shumë prej tyre ia kemi dalë t’i kurojmë apo t’i përmirësojmë cilësinë e jetës pacientëve, në disa raste nuk ia kemi arritur, por kjo nuk na bën kriminelë.

“Kriminalizimi” i figurës së mjekut në veçanti apo institucioneve spitalore në përgjithësi nuk sjell asgjë të mirë për vendin. Në këtë klimë tensioni dhe urrejtjeje ndaj bluzave të bardha dhe me ritmet e largimit të brezave të rinj të mjekëve, në pak vite rrezikohet të mbetemi pa mjekë të përgjithshëm e jo më specialistë. Një gjë te tillë po e vuajnë sot më së shumti vendet e Europës lindore, të cilat ka disa vite që janë “integruar” në Bashkimin Europian dhe e gjithë elita (të paktën ajo mjekësore) është larguar drejt vendeve më të zhvilluara të BE-së.

A kemi ne si mjekë dhe personel gabime dhe kusure?! Normal që po, por ju siguroj që mundohemi gjithmonë të bëjmë më të mirën dhe këtë mund ta vërtetojnë me qindra pacientë. Në spital trajtohen me mijëra njerëz dhe disa raste të supozuara, disa të vërteta të plota apo të pjesëshme të konsideurara si malpractice nuk mund të nxijnë imazhin dhe punën tonë.

Raportimi i shtypit pa marrë qendrimin e të dyja palëve, pa ditur detajet reale, të cilat shumë herë bëjnë diferencën në krijimin e opinionit publik ndaj një fatkeqësie që i ka ndodhur dikujt, janë vetëm tendencioze dhe dashakeqëse. Kjo nuk bëhet kursesi për hir të së vërtetës apo mbrojtjes së pacientëve, por vetëm për gjobvënie ose baltosjen e punës së tjetrit. Më mbetet të them vetëm se nëse ne mjekët nuk po e bëjmë plotësisht detyrën për t’i shëruar njerëzit, kjo lloj gazetarie po punon në perfeksion për t’i sëmurur ata.

______________________

Kirurg në Spitalin Amerikan

Artikulli paraprak311 ushtarë turq ende po fshihen pas tentimit për grusht shtet
Artikulli vijuesPapa Françesku: Është e padrejtë që Islami të identifikohet me dhunë