Srebrenicë, sot u jepet lamtumira e fundit edhe 127 viktimave të gjenocidit

Në Varrezat Përkujtimore në Potoçari pas namazit të drekës do të varrosen 127 viktima të tjerë që humbën jetën në gjenocidin e Srebrenicës, që pas Luftës së Dytë Botërore llogaritet si tragjedia më e madhe njerëzore në Evropë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në orët e hershme të këtij mëngjesi Potoçari është vërshuar nga mijëra njerëz nga shumë shtete të cilët kanë shprehur dëshirë të jenë pranë të afërmve të këtyre viktimave në këtë ditë të hidhur.

Të afërmit e viktimave që gjenden në varrezën përkujtimore u lutën me lotë në sy pranë varreve të të dashurve të tyre.

Lotët dhe dhimbja ishin të pranishme edhe pranë arkivoleve që mbrëmë u transferuan deri në varreza nga ish-fabrika e akumulatorëve që gjatë viteve të luftës u përdor si bazë nga ushtarët e OKB-së. Familjarët e viktimave u afruan pranë arkivoleve duke u dhënë lamtumirën e fundit të rënëve.

Ndryshe, ishte bërë e ditur se nga 127 viktimat që do të varrosen këtë vit, 12 kanë qenë nën moshën 18-vjeç kur ishin vrarë, prej të cilëve më i riu në moshën 14-vjeç me emrin Avdija Memiç, ndërsa personi më i moshuar ishte në moshën 77-vjeçare me emrin Mustafa Haxhoviç.

Ndërkaq, numri i viktimave të varrosur në Varrezat Përkujtimore në Potoçari sot do të rritet në 6.504.

Në ceremoninë e këtij viti në emër të Turqisë do të marrë pjesë edhe ministri i jashtëm turk Mevlut Çavushoglu.

Artikulli paraprakMoskujdesi ndaj personave me probleme mendore vë në rrezik jetën e qytetarëve
Artikulli vijuesTETOVA GËZOHET EDHE ME NJË HAFIZ TË RI