Policia greke u përpoq të arrestonte në muajin janar Abdelhamid Abaaoud, i dyshuar si koordinator i sulmeve të Parisit, por operacioni dështoi. Ky informacion zbulohet nga britanikja BBC, që citon një burim të antiterrorizmit belg.
Abaaoud mbeti i vrarë gjatë përleshjes së armatosur me policinë franceze, 5 ditë pas sulmeve terroriste të Parisit, ku humbën jetën 130 persona. Operacioni grek ishte parashikuar të zhvillohej para atij që u krye nga forcat e sigurisë në Verviers të Belgjikës, më 15 janar, ku dy xhihadistë u vranë.
Autoritetet greke kishin rënë në gjurmët e Abaaoud dhe besonin se ai drejtonte celulën belge me telefon nga Athina. Burime të Antiterrorit thanë për BBC se, një zyrtar i lartë i policisë belge kishte shkuar në Athinë për të koordinuar operacionin për gjetjen e Abaaoud me kolegët grekë, para ofensivës në Verviers.
Por, nuk bëhet e qartë sesi terroristi kishte mundur t’i shpëtonte rrjetës greke. Mund të ketë pasur përpjekje për gjurmimin e tij përmes sinjalit të telefonit celular, por kjo nuk ka funksionuar. Autoritetet greke nuk kanë konfirmuar detajet dhe gjithçka dihet, është se ai mundi të arratisej.
Policia e zhvilloi operacionin antiterrorist dy ditë pas ofensivës në Verviers, më 17 janar, duke bastisur dy apartamente. Pikërisht në të njëjtën ditë, media belge raportoi se autoritetet atje po kërkonin Abaaoudin, një banor i Brukselit me origjinë marokene, që besohej se fshihej në Greqi.
Një shtetas algjerian u ekstradua në Belgjikë, por ai që më vonë do të bëhej koordinatori i sulmeve të Parisit nuk u gjet. Një qytetar grek, që banonte pranë apartamenteve tha se, e kishte parë Abaaoudin në rrugë, të paktën në dy raste.
Marokeni ishte i përfshirë në 4 prej 6 sulmeve të parandaluara nga autoritetet franceze gjatë pranverës dhe, sipas ministrit të Brendshëm francez, Bernard Cazaneuve, ishte dënuar në mungesë me 20 vite burg. Abaaoud nuk është lidhja e vetme mes Greqisë dhe sulmeve të Parisit.
Edhe Salah Abdeslam, njëri prej dy atentatorëve vetëvrasës që sulmuan “Stade de France” më 13 nëntor, kishte udhëtuar me traget nga Italia për në Greqi më 1 gusht, duke u larguar vetëm 3 ditë më vonë. Ai është ende në arrati. Detajet e reja kanë ngritur pyetjet për mënyrën sesi mund të shkëmbehen më mirë informacionet, e të zhvillohen operacione më të koordinuara mes autoriteteve antiterroriste në vende të ndryshme të Europës.