Sun Tzu mbi Artin e Luftës

Përpilimi i Planeve

1. Arti i luftës është me rëndësi jetike për Vendin.

2. Është çështje mes jetës dhe vdekjes, rrugë e cila shpie në siguri ose në shkatërrim. Kështu që, kjo është pyetje në të cilën asnjë llogari nuk bën të lihet anash.

3. Arti i luftës udhëhiqet nga pesë faktorë konstantë, të cilët merren parasysh atëherë kur duhet të paracaktohen kushtet në fushë.

4. Këta janë: (1) Ligji i Moralit; (2) Qielli; (3) Toka; (4) Komandanti; (5) Metoda dhe Disiplina.

5, 6. Ligji i Moralit i shtyn njerëzit të jenë në harmoni të plotë me udhëheqësin e tyre, kështu që, ata do ta pasojnë atë pa marrë parasysh jetërat e tyre, të patrembur përballë çfarëdo rreziku.

7. Qielli prezanton natën dhe ditën, të ftohtit dhe vapën, kohët dhe stinët.

8. Toka përfshin largësitë; të mëdha e të vogla; rrezikun dhe sigurinë; fushat e hapura dhe grykat e ngushta; mundësitë e jetës dhe të vdekjes.

9. Komandanti paraqet virtytet e diturisë, sinqeritetit, zemërgjerësisë, kurajës dhe rregullit.

10. Me Metodë dhe Disiplinë, kuptohet rregullimi i ushtrisë në grupe, shkallët e gradave mes oficerëve, mirëmbajtja e rrugëve përmes së cilave bëhet furnizimi i ushtrisë, dhe kontrollimi i shpenzimeve të ushtrisë.

11. Këto pesë pika duhet të jenë mirë të njohura për secilin gjeneral; ai i cili i di ato do të jetë fitues; ai i cili nuk i di do të dështojë.

12. Prandaj, në shqyrtimet tuaja, kur kërkoni ti caktoni kushtet ushtarake të luftimit, përdorni ato si bazë për krahasime, si në vijim:

13. (1) Cili nga dy sunduesit është i inspiruar dhe i përmbahet Ligjit të Moralit? (2) Cili nga dy gjeneralët është më i aftë? (3) Kush e ka përparësinë nga Qielli dhe Toka? (4) Cila anë është më e disiplinuar? (5) Cila ushtri është më e fortë? (6) Në cilën anë janë oficerët dhe njerëzit më të trajnuar? (7) Cila anë ka më tepër besnikëri në shpërblime dhe në dënime?

14. Në bazë të këtyre shtatë konsideratave mund të parashikohet fitorja ose humbja.

15. Gjenerali i cili i dëgjon këto këshilla dhe vepron sipas tyre: le të jetë ai i cili duhet ta mbajë komandën! Gjenerali i cili nuk i dëgjon këto këshilla e as nuk vepron sipas tyre, do të pësojë humbje: le të jetë ai larg nga komanda!

16. Përderisa përfitoni nga këshillat e mia, ndihmojeni vetveten me çdo rrethanë, mbi ose përtej rregullave të përgjithshme.

17. Nëse rrethanat janë të favorshme, planet duhet të ndryshohen.

18. Çdo luftë bazohet në mashtrim.

19. Kështu që, nëse jemi të aftë për sulm, duhet të dukemi si të paaftë për të; kur e përdorim forcën, duhet të dukemi si joaktivë; kur jemi afër duhet ta detyrojmë armikun të besojë se jemi larg; kur jemi larg, duhet ti bindim ata se ne jemi afër.

20. Përdorni karrem për ta joshur armikun. Aktroni kinse jeni të parregullt, dhe shkatërroni armikun.

21. Nëse ai është i sigurt në të gjitha pikat, përgatituni për të. Nëse është me fuqi më të madhe, shmangiuni atij.

22. Nëse oponenti është gjaknxehtë, irritoni atë edhe më tepër. Pretendoni se jeni të dobët, kështu që ai do të bëhet arrogant.

23. Nëse ai lirohet dhe kërkon pushim, mos e lejoni aspak. Nëse forcat e tij janë të bashkuara, përçani.

24. Sulmoni aty ku është i papërgatitur, paraqituni atje ku nuk ju presin.

25. Këto mjete ushtarake, që shpiejnë përpara në fitore, nuk duhet të tregohen më herët.

26. Gjenerali që do ta fitojë betejën është ai i cili i ka bërë llogaritë më herët në tempullin e tij, para se të zhvillohet beteja. Gjenerali i cili do të humbë i ka bërë vetëm disa llogaritje para betejës. Pra shumë llogaritje shpiejnë në fitore, dhe pak llogaritje në humbje: e edhe më keq është pa kalkulime fare! Është e vëmendshme se në këtë pikë mund të parashikohet se kush do të fitojë ose kush do të humbë.
II. Zhvillimi i Luftës

1. Në operacionet e luftës, ku në fushë janë njëmijë karroca të shpejta, po aq karroca të rënda, dhe njëqind mijë ushtarë me mbulesë, me furnizime të mjaftueshme që ti shpiejnë ata deri në njëmijë li, shpenzimet në shtëpi dhe në front, duke përfshirë zbavitjen e mysafirëve, gjëra të imta si ngjitës dhe ngjyrë, dhe shumat e shpenzuara në karroca dhe armatim, do të arrijë si total prej njëmijë monedha prej argjendi në ditë. Ky pra është çmimi për ta ngritur një ushtri prej 100,000 vetash.

2. Kur të angazhoheni drejtpërsëdrejti në luftime, nëse fitorja arrihet por koha është e gjatë, atëherë armët e njerëzve do të topiten dhe vullneti i tyre do të bie deri në dëshpërim. Nëse e rrethoni ndonjë qytet, do ta zvogëloni fuqinë tuaj.

3. Përsëri, nëse fushata është e zgjatur, resurset e vendit nuk do ta përballojnë këtë ngarkesë.

4. Pastaj, kur armët janë të topitura, vullneti i rënë, fuqia e shterur dhe pasuria e shpenzuar, të tjerë udhëheqës do të paraqiten për ti shfrytëzuar dobësitë. Pastaj asnjë njeri, sado i mençur, nuk do të mund ti shmanget pasojave që do ndodhin.

5. Prandaj, edhepse kemi dëgjuar për nxitime të çmendura në luftë, mençuria kurrë nuk është shoqëruar me vonesa të gjata.

6. Nuk ka asnjë rast të një vendi që ka përfituar nga luftimet e stërzgjatura.

7. Është vetëm ai që është plotësisht i njoftuar me të këqijat e luftës që plotësisht ta kuptojë mënyrën më të dobishme për ta udhëhequr atë.

8. Ushtari i shkathtë nuk do ta ngrisë taksën e luftës dy herë, e as nuk janë vagonët e tij të furnizimit të ngarkuar më tepër se dy herë.

9. Sillni materialet për luftë me vete nga shtëpia, por edhe kërkoni për furnizime mbi armikun. Ashtu që ushtria të ketë mjaft ushqime për nevojat e veta.

10. Varfërimi i thesarit të Vendit do ta detyrojë ushtrinë që të mbahet nga kontributet e largëta. Duke kontribuar për ta mbajtur ushtrinë në largësi do ti detyrojë njerëzit që të varfërohen.

11. Në anën tjetër, afërsia e ushtrisë do ti detyrojë çmimet të ngriten. Dhe çmimet e larta do ti detyrojnë zotërimet e njerëzve që të shterren.

12. Kur zotërimet e tyre të jetë shterrur, qytetarët do të dëmtohen me kërkesa të mëdha.

13,14. Me humbjen e zotërimeve dhe shterrjen e fuqisë, shtëpitë e njerëzve do të zbulohen nga kulmi, dhe tri të dhjetat e të ardhurave të tyre do të shkapërderdhen. Përderisa shpenzimet e Qeverisë për karrocat e dëmtuara, kuajt e lodhur, gjoksoret dhe helmetat, harqet dhe shigjetat, ushtat dhe mburojat, veshjet mbrojtëse, qetë dhe vagonët e rëndë, do të shkojnë deri në katër të dhjetat e të gjithë të të ardhurave.

15. Prandaj gjenerali i mençur duhet ta gjejë mënyrën ta shfrytëzojë furnizimin nga preja e luftës. Një sasi nga furnizimet e armikut është sa njëzet të vetat.

16. Për ta mbytur armikun, njerëzit tanë duhet të jenë me zemërim të ngritur; në mënyrë që të kenë përfitim nga mundja e armikut ata duhet ti kenë shpërblimet e veta.

17. Prandaj në luftën me karroca, kur dhjetë ose më tepër karroca janë marrë, ata të parët që i kanë marrë duhet të shpërblehen. Flamujt tanë duhet të vendosen në vend të atyre të armiqve, dhe karrocat të përzihen dhe të përdoren bashkë me tonat. Ushtarët e zënë rob duhet të trajtohen mirë dhe të mbahen.

18. Kjo quhet, përdorimi i armikut të pushtuar për ta rritur forcën tonë.

19. Në luftë, atëherë, le të jetë qëllimi i madh fitorja, e jo fushatat e gjata.

20. Pra duhet të dihet se udhëheqësit të ushtrive i takon fati i njerëzve, nga duart e tij varet se a do të jetojë populli në paqe e qetësi ose në krizë e rrezik të vazhdueshëm.

 

III. Sulmi me Strategem

1. Sipas artit praktik të luftës, gjëja më e mirë është ta merrni tërë vendin e armikut të plotë dhe të paprekur (pa dëmtuar); ta copëtoni dhe ta shkatërroni atë nuk është aq mirë. Pra, gjithashtu, është më mirë ta kapni ushtrinë e armikut të plotë se sa ta shkatërroni atë, ta kapni një regjiment, njësi ose kompani të plotë se sa ti shkatërroni ato.

2. Kështu që të luftoni dhe të pushtoni në të gjitha betejat nuk është ndonjë shkëlqësi e madhe; shkëlqësia supreme është ta thyeni rezistencën e armikut pa luftime fare.

3. Pra strategjia më e lartë e gjeneralit është ti anulojë planet e armikut; pas kësaj më së miri është ta parandalojë bashkimin e forcave të armikut; pas kësaj me rend është ta sulmojë ushtrinë e armikut në fushëbetejë; dhe më e keqja metodë e të gjithave është ti rrethojë qytetet e fortifikuara.

4. Rregulla është, mos të rrethohen qytetet e fortifikuara nëse mundësisht mund të anashkalohen. Përgatitja e rrobave mbrojtëse, bujtinave lëvizëse, dhe zbatimet e ndryshme të luftës, mund të marrin të plotë tre muaj; dhe grumbullimi i kodrave pranë dhe kundër mureve do ti marrë edhe tre muaj tjerë.

5. Gjenerali, në pamundësi për ta kontrolluar durimin e tij, do ti lëshojë ushtarët e tij në sulm sikurse zulmi i anzave, me rezultat që një e treta e ushtarëve të tij do të jenë të vrarë, përderisa qyteti ende do të mbetet i papushtuar. Kështu janë efektet shkatërruese të rrethimit.

6. Prandaj, udhëheqësi i shkathtë i mund trupat e armikut pa luftuar fare; ai i kap qytetet e tyre pa i rrethuar; ai e përmbys mbretërinë e tyre pa operacione të gjata në fushë.

7. Me forcat e tij të paprekura ai do ta vë në dyshim aftësinë e tërë një perandorie, dhe kështu pa humbur asnjë njeri, triumfi i tij do të jetë i plotë. Kjo është metoda e sulmit me strategem.

8. Është një rregull në luftë, nëse forcat tona janë dhjetë për një të armikut, duhet rrethuar atë; nëse janë pesë me një, duhet sulmuar; nëse jemi dyfish më shumë, duhet ta ndajmë ushtrinë tonë në dy pjesë.

9. Nëse jemi të barabartë, mund të futemi në betejë; nëse jemi më pak në numër, mund ti shmangemi armikut; nëse jemi të pabarabartë në çfarëdo mënyre, mund të ikim nga ai.

10. Kështu që, edhepse një luftim kokëfortë mund të bëhet me forcë të vogël, në fund do të kapet nga forca më e madhe.

11. Tani, gjenerali është beden i Vendit; nëse muri mbrojtës është i plotë në të gjitha pikat; Vendi do të jetë i fortë; nëse muri mbrojtës është defektoz, Vendi do të jetë i dobët.

12. Janë tri mënyra se si sunduesi mund të sjellë fatkeqësi në ushtrinë e tij:

13. (1) Duke e komanduar ushtrinë përpara ose në tërheqje, dhe duke mos kuptuar se nuk mund ti bindet. Kjo quhet lidhje e ushtrisë.

14. (2) Duke provuar ta udhëheqë ushtrinë sikurse e administron mbretërinë, duke mos kuptuar kushtet të cilat mbizotërojnë në ushtri. Kjo shkakton lodhje në mendjet e ushtarëve.

15. (3) Duke vendosur oficerë në ushtri pa zgjedhje të mirëfilltë, përmes mosdijes së principit ushtarak të adaptimit ndaj rrethanave. Kjo e lëkund besimin e ushtarëve.

16. Por kur ushtria është e lodhur dhe me besim të lëkundur, telashet patjetër do të vijnë nga sunduesit e tjerë. Kjo thjeshtë është futje e anarkisë në ushtri, dhe hedhje e fitores në mbeturina.

17. Kështu ne mund ta dimë se janë pesë parakushte esenciale për fitore: (1) Do të fitojë ai, i cili di kur të luftojë e kur mos të luftojë. (2) Do të fitojë ai, që di ti udhëheqë të dy forcat: superiore dhe inferiore. (3) Do të fitojë ai, ushtria e të cilit e ka shpirtin e njëjtë në të gjitha shkallët. (4) Do të fitojë ai, i cili e ka përgatitur vetveten dhe pret ta kap armikun të papërgatitur. (5) Do të fitojë ai, i cili ka kapacitet ushtarak dhe nuk pengohet nga Sunduesi.

18. Prandaj edhe thuhet: Nëse e njeh armikun dhe e njeh vetveten, nuk duhet të frikësohesh nga rezultati i njëqind betejave. Nëse e njeh vetveten por jo edhe armikun, për çdo fitore do ta përjetosh edhe një humbje. Nëse nuk e njeh as armikun as vetveten, do të pësosh humbje në çdo betejë.
IV. Dispozitat Taktike

1. Luftëtarët e mirë e të vjetër së pari e vendosnin veten e tyre përtej mundësisë për të humbur, e pastaj e pritnin mundësinë për ta mundur armikun.

2. Për ta siguruar veten tonë nga humbja varet nga vetë duart e tona, por mundësia për ta mundur armikun sigurohet nga vetë armiku.

3. Prandaj luftëtari i mirë është i aftë ta sigurojë veten e tij nga humbja, por nuk mund ta sigurojë vetveten për ta mundur armikun.

4. Kështu ka ardhur edhe deri te thënia: Dikush mund të dijë si të fitojë edhe pa qenë në gjendje ta bëjë këtë.

5. Siguria kundër humbjes nënkupton taktikat defensive; mundësia për ta mundur armikun nënkupton marrjen e ofensivave.

6. Duke qëndruar në defanzivë nënkuptohet fuqia e pamjaftueshme; duke sulmuar nënkuptohet forca e tepërt.

7. Gjenerali i shkathtë, në mbrojtje, fshihet në të çarat më të fshehta të tokës; ai i cili është i shkathtë në sulm shkrepet nga majat më të larta në qiell. Kështu në njërën anë duhet ta kemi aftësinë për ta mbrojtur vetveten; dhe në tjetrën, një fitore e cila është e plotë.

8. Për ta parë fitoren, vetëm atëherë kur është brenda perceptimit të të gjithëve, nuk është kulmi i shembullores.

9. As nuk është kulminacioni i shembullores nëse lufton dhe e pushton tërë perandorinë dhe thua “shumë mirë përfundoi”.

10. Ta këputësh gjethin në vjeshtë, nuk është shenjë e forcës; ta shohësh diellin dhe hënën, nuk do të thotë se është shenjë e syrit të mprehtë; ta dëgjosh zhurmën e bubullimës, nuk do të thotë se është shenjë e të dëgjuarit të kujdesshëm.

11. Atë që të vjetrit e kanë quajtur luftëtar të urtë, është ai i cili di, jo vetëm të fitojë, por edhe shkëlqen në mënyrën e të fituarit me lehtësi.

12. Kështu që fitoret e tij as nuk i sjellin reputacion për mençuri e as trimëri shtesë.

13. Ai i fiton betejat e tij duke mos e bërë asnjë gabim. Mosbërja e gabimeve është ajo që e bën fitoren e sigurt, sepse nënkupton pushtimin e armikun që veç është i humbur.

14. Kështu që luftëtari i shkathtë e vendos vetveten në pozitë në të cilën është e pamundur humbja, dhe nuk e huq rastin për ta mundur armikun.

15. Pra, në luftë, është fitues ai strateg i cili e kërkon betejën vetëm pasiqë fitorja është e arritur, përderisa ai i cili është i gjykuar për të humbur së pari lufton e pastaj kërkon fitore.

16. Udhëheqësi i aftë e kultivon ligjin e moralit, dhe në mënyrë rigoroze i përmbahet metodave dhe diciplinës; kështu në këtë është edhe fuqia e tij për ta kontrolluar suksesin.

17. Në respekt me metodat luftarake, ne kemi, së pari, Matjet; së dyti, Vlerësimi i Sasisë; së treti, Llogaritjet; së katërti, Balancimi i rasteve; dhe nën pesë, Fitorja.

18. Matjet varen nga Toka; Vlerësimi i sasisë nga Matjet; Llogaritjet nga Vlerësimi i Sasisë; Balancimi i rasteve nga Kalkulimet; dhe Fitorja nga Balancimi i Rasteve.

19. Ushtria fitimtare, për dallim nga ajo e humbura, është sikur peshë e rëndë e vendosur në peshore kundrejt një kokrre të vetme.

20. Mësymja e forcës pushtuese është sikur shpërthimi i tendës me ujë në përroje të thella në tokë.
V. Energjia

1. Kontrollimi i një force të madhe bëhet sipas të njëjtave principe sikurse kontrolla e disa njerëzve: është vetëm pyetje e ndarjes së numrave të tyre.

2. Komandimi në luftë i një ushtrie të madhe nuk është shumë ndryshe nga luftimi me një ushtri të vogël: është thjeshtë pyetje e përdorimit të shenjave dhe sinjaleve.

3. Për të qenë i sigurt se e tërë vija jote do të jetë në gjendje mos të shqetësohet nga sulmi i armikut dhe të mbetet e palëkundur – duhet kushtuar rëndësi rezultateve të manovrimeve direkte dhe indirekte.

4. Kjo përshtypje e ushtrisë mund të jetë sikur guri i mullirit kundër vesë – kjo arrihet nga shkenca e pikave të dobëta dhe të forta.

5. Në të gjitha luftimet, metoda direkte mund të përdoret për tu futur në betejë, por metodat indirekte do të duhen për ta siguruar fitoren.

6. Taktikat indirekte, kur aplikohen efektivisht, janë të nevojshme sikur Qielli dhe Toka, e pafund sikur rrjedhja e lumenjve dhe përrojve; sikurse dielli dhe hëna, që përfundojnë por dalin përsëri; sikurse katër stinët, kalojnë por vetëm për tu kthyer përsëri.

7. Nuk ka më tepër se disa nota muzikore, por kombinimi i tyre ngritet aq sa ka më shumë melodi se sa që do të mund të dëgjohen ndonjëherë.

8. Nuk ka më tepër se disa ngjyra (kaltër, verdhë, kuqe, bardhë, zi), megjithatë kombinimi i tyre sjell më tepër tone se që do të mund të shihen.

9. Nuk ka më tepër se pesë shije bazike (c, thartë, njelmët, ëmbël, hidhur), por kombinimi i tyre sjell më tepër ushqime se që do të mund të shijohen.

10. Në betejë, nuk ka më tepër se dy mënyra për të sulmuar – direkt dhe indirekt; megjithatë këto dy në kombinime mes veti ngriten në seri të pafundme të manevrimeve.

11. Direktja dhe indirektja e çojnë njëra-tjetrën përpara me rend. Është sikur ta lëvizësh një rreth – kurrë nuk do t’ia arrish fundin. Kush mund ti shtjerrë mundësitë e kombinimit të tyre?

12. Përgatitja e trupave për sulm është sikurse ngritja e stuhisë së fuqishme sa që edhe gurët i rrokullis përgjatë rrugës së vet.

13. Vlera e vendimit është sikurse zbritja e rrufeshme e petritit që i mundëson atij ta sulmojë dhe ta shkatërrojë viktimën.

14. Prandaj luftëtari i mirë do të jetë i tmerrshëm në sulm, më i shpejtë në vendime.

15. Energjia mund të krahasohet me lakimin e harkut; vendimi, me lirimin e shtizës.

16. Në mes të trubullimës së betejës, mund të ketë çrregullime të hapura dhe përsëri asnjë çrregullim fare; në mes të konfuzionit dhe kaosit, shtiza jote mund të jetë pa kokë ose pa bisht, dhe përsëri do të jetë dëshmi e jotja kundër humbjes.

17. Çrregullimi i aktruar paraqet disiplinën e përkryer, frika e aktruar paraqet trimërinë; dobësia e aktruar paraqet forcën.

18. Duke u fshehur nën mbulesën e çrregulltit është thjeshtë pyetje e nënndarjes; fshehja e trimërisë nën paraqitjen e frikës presupozon pasuri të energjisë së fshehur; maskimi i forcës me dobësi influencohet prej dispozitave taktike.

19. Pra ai i cili është i shkathtë në mbajtjen e armikut në lëvizje, e mban paraqitjen e vet mashtruese, në bazë të së cilës armiku i tij do të veprojë. Ai sakrifikon ndonjë gjë, në mënyrë që armiku të provojë ta kap atë gjë.

20. Duke përdorur karrem, ai e mban armikun në lëvizje; pastaj një grup i njerëzve të zgjedhur do t’ ja zë pritën.

21. Luftëtari i mençur e konsideron efektin e energjisë së kombinuar, dhe nuk kërkon tepër shumë nga individët. Kështu që, ai e ka aftësinë ti zgjedhë njerëzit e duhur dhe ta shfrytëzojë energjinë e kombinuar.

22. Kur ai e shfrytëzon energjinë e kombinuar, njerëzit e tij do të bëhen sikurse të jenë gurë ose drunj që rrokullisen. Sepse është natyra e drurit ose gurit të mbetet i palëvizshëm në vendin e vet, dhe të rrokulliset në pjerrtësi; nëse është me katër kënde, të vihet në vend, por nëse është i rrumbullakët të rrokulliset teposhtë.

23. Prandaj edhe energjia e zhvilluar nga luftëtarët e mirë është sikurse vrulli i gurit të rrumbullakët që rrokulliset teposhtë bjeshkës së lartë disa mija hapa. Kaq sa i përket temës së energjisë.
VI. Pikat e Dobëta dhe të Forta

1. Kushdo që vjen i pari në fushëbetejë dhe e pret armikun, do të jetë më i freskët për luftim; kushdo që vie i dyti në fushë do të nxitojë për në betejë dhe kështu do të arrijë i lodhur.

2. Prandaj luftëtari i mençur do ta imponojë vullnetin e tij mbi armikun e vet, por kurrsesi nuk do ta lejojë vullnetin e armikut të imponohet mbi të.

3. Duke mbajtur përparësinë për vete, ai do të shkaktojë që armiku i tij të ofrohet sipas qejfit të tij.

4. Nëse armiku është duke u ngadalësuar për të pushuar, ai do ta ngacmojë atë; nëse armiku është i furnizuar mirë me ushqime, ai do të mund ta varfërojë atë; nëse është i kampuar në qetësi, ai do ta detyrojë atë të lëvizë.

5. Paraqituni në pikat në të cilat armiku do të duhet të nxitojë që ti mbrojë; marshoni me shpejtësi tek vendet në të cilat nuk ju presin.

6. Një ushtri mund të marshojë në largësi të mëdha pa shqetësime, nëse marshon nëpër vende në të cilat nuk është armiku.

7. Mund të jeni të sigurt në suksesin e sulmit tuaj vetëm nëse sulmoni vendet të cilat janë të pambrojtura. Mund ta siguroni mbrojtjen tuaj vetëm nëse i mbani pozitat që nuk mund të sulmohen.

8. Kështu pra, ai gjeneral i cili është i aftë në sulm, e mësynë armikun që nuk di se çka të mbrojë; dhe është i aftë në mbrojtje kur armiku i tij nuk di çka të sulmojë.

9. Lavdi artit të shenjtë të dinakërisë dhe fshehtësisë! Përmes tij ne mësojmë si të jemi të padukshëm, përmes tij mësojmë të jemi të pazhurmshëm; dhe kështu e mbajmë fatin e armikut në duart tona.

10. Mund të përparoni dhe të jeni absolutisht të parezistueshëm, nëse qaseni tek pikat e dobëta të armikut; mund të zmbrapseni në siguri nëse lëvizjet e juaja janë më të shpejta se sa ato të armikut.

11. Nëse dëshirojmë të luftojmë, armiku mund të detyrohet për konflikt edhepse ai mund të jetë i fshehur dhe i mbrojtur pas një dige të lartë dhe një kanali të thellë. Krejt çka duhet të bëjmë është të sulmojë në ndonjë vend tjetër që ai do të jetë i obliguar ta lirojë pozitën.

12. Nëse nuk dëshirojmë të luftojmë, ne mund ta pengojmë armikut për të na futur në luftime edhe nëse vijat tona janë vetëm disa vija të shënjuara në tokë. Krejt çka duhet të bëjmë është të hedhim diçka të parëndësishme dhe të pallogaritshme në këtë vijë.

13. Duke i zbuluar pozitat dhe rregullimet e armikut, dhe duke mbetur vetë të padukshëm, ne mund ti mbajmë forcat e tona të koncentruara, përderisa ato të armikut duhet ti përçajmë.

14. Ne të bashkuar mund ta formojmë një trup të vetëm, përderisa armiku duhet të përçahet në fraksione. Kështu që, do të jetë një tërësi e bashkuar kundër pjesëve të ndara të një tërësie tjetër, çka do të thotë se ne do të jemi shumë, e armiku pak.

15. Dhe nëse jemi të aftë kështu për ta sulmuar një forcë më të dobët me forcën tonë më të madhe, armiqtë e tanë do të jenë në pozitë të tmerrshme për veten e tyre.

16. Pika ku ne synojmë të luftojmë nuk bën të zbulohet; sepse armiku do të detyrohet që të përgatitet ndaj sulmit të mundshëm në shumë pika të ndryshme; dhe pasi forcat e tij do të shpërndara në shumë drejtime, numri që ne do të ballafaqohemi në cilëndo pikë do të jetë proporcionalisht i vogël.

17. Nëse i duhet armikut ta forcojë ballin, ai do ta dobësohet nga prapa; nëse i duhet ta forcojë prapavinë, do ta dobësojë ballin; nëse i duhet ta forcojë anën e majtë, do ta dobësojë të djathtën; nëse i duhet ta forcojë anën e djathtë, do ta dobësojë të majtën. Nëse dërgon përforcime gjithandej, do të jetë i dobët gjithandej.

18. Dobësia në numër, vjen nga nevoja për tu mbrojtur ndaj sulmit të mundshëm; fuqia në numër, e detyron armikun të përgatitet ndaj nesh.

19. Duke e ditur vendin e kohën e betejës së ardhshme, ne duhet të koncentrohemi qysh në largësi, në mënyrën e duhur për të luftuar.

20. Por nëse as koha e as vendi nuk dihen, atëherë krahu i majtë nuk do të mund ta ndihmojë krahun e djathtë, e i djathi poashtu i paaftë ta ndihmojë të majtin, balli i paaftë ta lehtësojë fundin, e as fundi ta përkrahë ballin. E edhe më keq nëse pjesët më të largëta të ushtrisë janë sado nën njëqind li mes veti, e edhe nëse më të afërtat janë të ndara për disa li!

21. Edhe pse, duke u bazuar në vlerësimet e mia, ushtarët e Yueh na kanë tejkaluar me numër neve, kjo nuk do ti ndihmojë ata aspak në çështjen e fitores. Unë them atëherë se ajo fitore do të arrihet.

22. Edhepse armiku mund të jetë më i fortë në numër, ne mund ta parandalojmë atë nga luftimet. Duhet bërë skicat ashtu si edhe duhet zbuluar planet e armikut dhe gjasat e tij për sukses.

23. Ngacmoni atë, dhe mësoni principet e aktivitetit ose pasivitetit të tij. Detyrojeni që ta zbulojë vetveten, poashtu edhe gjeni pikat e ndjeshme të tij.

24. Me kujdes krahasoni ushtrinë e armikut me tuajën, për ta ditur se ku forca juaj është mbizotëruese dhe ku është e pamjaftueshme.

25. Kur ti bëni dispozitat taktike, lartësia më e madhe që mund ta arrini është ti fshihni ato; fshihni dispozitat (rregullimet), dhe do të jeni të sigurtë nga kurreshtja e spiunit më dinak, nga makinacionet e trurit më të mençur.

26. Si fitorja mund të arrihet, për ta, nga vetë taktika e armikut – kjo është ajo çka shumica nuk mund ta kuptojë.

27. Të gjithë njerëzit mund ta shohin taktikën se si unë pushtoj, por çka asnjëri nuk mund ta shohë është strategjia nga e cila buron fitorja.

28. Mos i përsëritni taktikat të cilat na kanë sjellur një fitore më herët, por lejoni që metodat të caktohen sipas rasteve të pakufijshme të rrethanave.

29. Taktikat ushtarake janë sikurse uji; sepse uji në rrugën e vet natyrore shkon prej lartësive dhe nxiton teposhtë.

30. Sikurse në luftë, strategjia qëndron në taktikën për t’iu shmangur çka është e fortë dhe për të goditur çka është e dobët.

31. Uji e cakton rrugën e vet sipas natyrës së shtratit në të cilin rrjedh; ushtari e arrin fitoren e tij sipas armikut që i ballafaqohet.

32. Prandaj, sikurse uji që nuk ka formë të pandryshueshme, ashtu edhe në luftë nuk ka kushte të pandryshueshme.

33. Ai i cili mund ti ndryshojë taktikat sipas armikut të tij dhe kështu të ketë sukses në fitore, mund të quhet kapiten i qiellit.

34. Pesë elementet (uji, zjarri, druri, metali, dheu) nuk mbizotërojnë gjithmonë njësoj; katër stinët i lëshojnë vendin njëra tjetrës me radhë. Ka ditë të shkurta dhe të gjata; hëna i ka periudhat e zbehjes dhe shndritjes.

 
VII. Manovrimi

1. Në luftë, gjenerali i pranon urdhrat e tij nga Sunduesi.

2. Pasi që e ka mbledhur ushtrinë dhe i ka koncentruar forcat e veta, ai duhet ti përziejë dhe harmonizojë elementet e ndryshme, para se ta ngrejë kampin e vet.

3. Pas kësaj, vjen deri te manovrimi taktik, i cili nuk është asgjë më tepër se sa i vështirë. Vështirësia e manovrimit taktik konsiston në shndërrimin e devijimit në të drejtë, dhe fatkeqësisë në dobi.

4. Pra, për të marrë një shteg të gjatë dhe qarkor, pas joshjes së armiku jashtë kësaj rruge, dhe megjithatë duke e ndjekur pas, dhe planifikuar për të arritur te caku para tij, tregon dituri të teknikës së devijimit.

5. Manevrimi me ushtri është me avantazh; me turmë të padisiplinuar, mëse e rrezikshme.

6. Nëse e vëni ushtrinë e pajisur plotësisht në marshim për të arritur përparësi, gjasat janë se do të jeni shumë vonë. Në anën tjetër, për të lëvizur një kolonë flutur për këtë qëllim përfshinë sakrificën e gjësendeve dhe rezervave të veta.

7. Kështu, nëse i urdhëron njerëzit e tu ti veshin palltot e lëkurës, dhe të bëjnë marshim të detyrueshëm pa ndalur ditë dhe natë, duke kaluar dyfishin e distancës së zakonshme të shtrirjes, duke kaluar me qindra li për ta kapur me zor një përparësi, liderët e të gjitha divizioneve tua do të bien në duart e armikut.

8. Sa më tepër njerëz që janë në fillim, aq më tepër të lodhur do të ngelin prapa, dhe me këtë plan vetëm një e dhjeta e ushtrisë do ta arrijë destinacionin e duhur.

9. Nëse marshoni pesëdhjetë li me qëllim për ta tej-manovruar armikun, do ta humbni udhëheqësin e divizionit të parë, dhe vetëm gjysma e forcës do të arrijë te caku.

10. Nëse marshoni tridhjetë li me të njëjtin qëllim, dy të tretat e ushtrisë do të arrijnë.

11. Ne mund ta marrim parasysh se ushtria pa mjetet bartëse është e humbur, pa furnizime është e humbur, pa baza të furnizimit është e humbur.

12. Ne nuk mund të hyjmë në aleanca derisa të jemi të njoftuar me strukturën e fqinjëve tanë.

13. Ne nuk do të jemi ata të zotët për ta udhëhequr ushtrinë në marshim përderisa nuk e njohim fytyrën e vendit – malet dhe pyjet, luginat dhe shkëmbinjtë, kënetat dhe moçalet.

14. Ne do të jemi të paaftë ta kthejmë përparësinë natyrale në dobi përderisa nuk përdorim udhëtregues lokal.

15. Në luftë, duhet shtirur, dhe do të kesh sukses.

16. A duhet trupat të koncentrohen ose të ndahen, duhet të vendoset sipas rrethanave.

17. Le të jetë shpejtësia juaj ajo e erës, dendësia ajo e pyllit.

18. Në mësymje dhe plaçkitje bëhu si zjarri, në qëndrim sikurse bjeshka.

19. Le të jenë planet e tua të errëta dhe të padepërtueshme si nata, dhe kur të vihesh në lëvizje, zbrit sikur rrufeja.

20. Kur të plaçkitni një pjesë të vendit, le të ndahet preja mes njerëzve tuaj; kur të zaptoni territor të ri, ndajeni në copa për të mirën e ushtarëve.

21. Konsideroni dhe shqyrtoni mirë para se ta bëni lëvizjen.

22. Do të pushtojë ai i cili e ka mësuar shkathtësinë e devijimit. I tillë është arti i manevrimit.

23. Libri i Udhëheqjes së Ushtrisë thotë: në fushëbetejë, fjala e thënë nuk shkon larg: prandaj edhe organizohen daullet dhe tupanët. As objektet e zakonshme nuk mund të shihen qartazi sa duhet: prandaj edhe duhet të bëhet organizimi i pllakateve dhe flamujve.

24. Daullet dhe tupanët, pllakatet dhe flamujt, janë vetëm mënyra që sytë dhe veshtë të jenë të fokusuar në një pikë të veçantë.

25. Kështu të bashkuar duke formuar një trup të vetëm, është e pamundur për trimat të prijnë vetëm, ose për frikacakët të zmbrapsen vetëm. Ky është arti i drejtimit të turmave të mëdha të njerëzve.

26. Në luftimet e natës, atëherë, shfrytëzoni sa të mundeni zjarret sinjalizuese dhe tupanët, dhe në luftimet e ditës, flamujt dhe pllakatet, si mënyra për të tërhequr vëmendjen e veshëve dhe syve të ushtrisë tonë.

27. E tërë ushtria mund të zhvishet nga shpirti i vet; komandanti të lihet pa prezencën e mendjes së tij.

28. Tash pra, shpirti i ushtarit është i ndezur në mëngjes; kah mesdita ka filluar të valëzojë; dhe në mbrëmje, mendja e tij është e drejtuar vetëm si të kthehet në kamp.

29. Gjenerali i mençur, pra, i shmanget ushtrisë kur shpirti i saj është i ndezur, por sulmon atëherë kur është e ngathët dhe me dëshirë që të kthehet. Ky është arti i studimit të disponimeve.

30. Të disiplinuar dhe të qetë, duke pritur paraqitjen e çrregullit dhe konfuzionit ndër radhët e armikut: – ky është arti i mbajtjes së zotërimeve.

31. Për të qenë afër cakut përderisa armiku është larg prej aty, duhet qetësuar dhe pritur derisa armiku është duke u munduar dhe përpjekur, duhet ushqyer mirë përderisa armiku është duke u uritur: – ky është arti i zotërimit të forcës së vet.

32. Për tu përmbajtur nga dallimi i armikut që i ka flamujt në rregull të përkryer, të përmbajturit ndaj sulmit kundër ushtrisë së qetë dhe me radhë me vetëbesim: ky është arti i studimit të rrethanave.

33. Është aksiomë ushtarake që mos ti mësyni armikut në përpjetës, e as mos ti përballeni kur ai vjen teposhtë.

34. Mos e ndjek armikun i cili aktron ikjen; mos i sulmo ushtarët vullneti i të cilëve është i zjarrtë.

35. Mos e kap karremin që të ofrohet nga armiku. Mos përziej hesape me ushtrinë që është duke u kthyer në shtëpi.

36. Kur ta rrethoni një ushtri, lëreni një dalje të lirë. Mos i shtypni armiqtë e pashpresë shumë fort.

37. I tillë është arti i luftimeve.
VIII. Variacionet në Taktikë

1. Në luftë, gjenerali i pranon urdhrat e tij nga sunduesi, mbledh ushtrinë dhe i koncentron forcat.

2. Kur të gjendeni në vend të vështirë (të rrethuar), mos ngritni kamp. Në vend ku rrugët kryqëzohen, i bashkoni duart me aleatët tuaj. Mos u vononi në pozitat e rrezikshme e të izoluara. Në situatë të të qenit të rrethuar, duhet të mbështeteni në strategem. Në pozita të dëshpëruara, duhet të luftoni.

3. Ka rrugë të cilat nuk duhet të përcillen, ushtri të cilat nuk duhet sulmuar, qytete që nuk duhet të rrethohen, pozita për të cilat nuk duhet të garohet, urdhra të sunduesit që nuk duhet përmbajtur.

4. Gjenerali i cili plotësisht e kupton përparësinë që e shoqëron, një lloj i taktikës, di si ti udhëheqë trupat e tij.

5. Gjenerali i cili nuk i kupton këto, mund të jetë mirë i njoftuar me konfiguracionin e terrenit, por ai nuk do ta kthejë këtë dituri në llogari praktike.

6. Pra, studiuesi i luftës që nuk është i mësuar ti ndryshojë planet në artin e luftës, edhe pse mund të jetë i njoftuar me Pesë Përparësitë, nuk do të arrijë ta përdorë më së miri fuqinë e njerëzve të tij.

7. Kështu në planet e liderit të urtë, konsiderimet e përparësive dhe mangësive do të jenë të përziera mes veti.

8. Nëse parashikimet tona të përparësisë do të vijnë në këtë gjendje, do të mund të kemi sukses në përkryerjen e pjesëve kryesore të skemës (planit) sonë.

9. Nëse, në anën tjetër, në mes të vështirësive jemi të gatshëm për ta zënë një përparësi, do ta lirojmë veten tonë nga fatkeqësia.

10. Poshtëroni drejtuesit e armikut duke shkaktuar dëme mbi ta; dhe shkaktojini shumë telashe, dhe e mbani gjithmonë të angazhuar; mbani joshje që duken të vërteta, dhe bëni të nxitojnë për në ndonjë pikë të caktuar.

11. Arti i luftës na mëson të bazohemi jo vetëm në mundësinë që armiku nuk do të vijë, por në gatishmërinë tonë për ta pritur atë; jo në mundësinë që ai do të na sulmojë, por përkundrazi në faktin se a i kemi bërë pozitat tona të pasulmueshme.

12. Janë pesë gabime të rrezikshme të cilat mund të bien mbi gjeneralin: (1) Papërgjegjësia, që shpie në shkatërrim; (2) Qyqarllëku, që shpie në robëri;
(3) Ngutia, që mund të shkaktohet nga thumbimet; (4) Ndjeshmëria në nder që është brengë e turpit; (5) Përkujdesja e tepërt për njerëzit e vet, gjë që e mbulon atë në brenga dhe telashe.

13. Janë pesë mëkate të sulmit të gjeneralit, shkatërrimtare në zhvillimin e luftës.

14. Kur ushtria është e mundur dhe udhëheqësi i saj i vrarë, shkaku sigurisht do të jetë njëri prej pesë gabimeve të rrezikshme. Le të jenë këto temë për të medituar.
IX. Ushtria në Lëvizje

1. Tani kemi arritur te pyetja e kampimit të ushtrisë, dhe vështrimi i shenjave të armikut. Kaloni shpejtë maleve, dhe qëndroni afër luginave.

2. Kamponi në vende të larta, me fytyrë kah dielli. Mos u ngjitni lartësive për të luftuar. Kaq sa i përket luftimeve nëpër bjeshkë.

3. Pasi ta kaloni lumin, nuk duhet të largoheni tepër shpejt nga aty.

4. Kur ushtria pushtuese e kalon lumin gjatë përparimit të saj, mos lëvizni për ta takuar atë në lum. Më së miri është ta lejoni gjysmën e asaj ushtrie ta kalojë lumin, e pastaj ta sulmoni.

5. Nëse jeni të shqetësuar sa i përket luftimit, mos shkoni për ta takuar pushtuesin afër lumit të cilin duhet ta kalojë.

6. Parkoni barkat më lartë se sa armiku, dhe me fytyrë kah dielli. Mos shkoni përpjetë lumit për ta takuar armikun. Kaq sa i përket luftimeve në lumenj.

7. Kur i kaloni vendet me ujë të kripur, e vetmja brengë e juaj duhet të jetë si ti kaloni sa më shpejtë, pa asnjë vonesë.

8. Nëse jeni të detyruar të luftoni aty, duhet të keni ujë dhe bar afër jush, dhe mbështeteni shpinën tuaj në zabele. Kaq sa i përket operacioneve në vendet e kripura.

9. Në tokë të thatë dhe të rrafshët, zini pozitën e cila është e lehtë dhe që ka të ngritura nga ana e djathtë dhe në prapavijë, kështuqë rreziku të jetë përballë, kurse siguria prapa. Kaq për kampimin në tokë të rrafshët.

10. Këto janë katër degë të dobishme të njohurisë ushtarake që i mundësuan Perandorit të Verdhë ti mundë katër sundues të ndryshëm.

11. Të gjitha ushtritë i dëshirojnë vendet e larta kundër të ultave, dhe vendet me diell ndaj të errëtave.

12. Nëse jeni të kujdesshëm ndaj njerëzve tuaj, dhe e ngritni kampin në tokë të fortë, ushtria do të jetë e paprekur nga sëmundjet e çfarëdo natyre, dhe kjo do ta shqiptojë fitoren.

13. Kur të vini tek ndonjë breg ose kodër, zini pjesën me diell të saj, me pjerrtësinë në anën e djathtë të prapavisë suaj. Kështu ju menjëherë do të veproni për të mirën e ushtarëve tuaj dhe ti shfrytëzoni përparësitë natyrore të fushës.

14. Kur, si pasojë e të reshurave të mëdha, lumi të cilin dëshironi ta kaloni është i fryrë dhe i njollosur me shkumë, duhet të pritni derisa të ulet.

15. Vendi në të cilin ka shkrepa shumë të pjerrtë me përrenj që rrjedhin ndërmjet, me shpella të thella, vende të kufizuara, me drunj dhe shkurre shumë të çrregullta, me tokë baltak dhe të çarë, duhet të kalohet me tërë shpejtësinë e mundshme dhe duhet të mënjanohet.

16. Përderisa ne i mënjanohemi vendeve të tilla, duhet shtyrë armikun atje; përderisa ne i ballafaqohemi atyre vendeve, duhet shtyrë armikun ti ketë ato prapa vetes.

17. Nëse afër kampit tuaj duhet të ketë çfarëdo vendi me kodrina, liqej të rrethuar me bar, fusha të ulta të mbyllura me kallam, ose drunj të hollë, duhet me kujdes të hiqen dhe të kërkohet për ta; sepse këto janë vende ku njerëzit që zënë prita ose ndonjë spiun i pabesë ka mundësi që të fshihet.

18. Kur armiku është afër dhe është i qetë, ai është duke u bazuar në forcën natyrale të pozitës së vet.

19. Ku armiku duket indiferent dhe provon të na provokojë në betejë, ai është i shqetësuar kur ana tjetër ec përpara.

20. Kur vendi i kampimit të tij është i lehtë për ta arritur, është duke na ofruar karremin.

21. Lëvizja në drunjtë e pyllit tregon se armiku është duke lëvizur përpara. Paraqitja e shenjave të shumta në mes të barit të rritur tregon se armiku dëshiron që të na vëjë në dyshim.

22. Ngritja e zogjve për të fluturuar është shenjë e pritës. Nëse bishat janë të frikësuara atëherë kjo është shenjë se sulmi është duke ardhur.

23. Kur ka pluhur që ngritet lartë vija-vija, është shenjë se karrocat janë duke ecur; kur pluhuri është më i ultë, por gjerë në sipërfaqe, simbolizon lëvizjen e këmbësorisë. Kur degëzohet në drejtime të ndryshme, tregon se palët janë dërguar për të mbledhur drunj për zjarr. Disa re me pluhur që lëvizin andej e këndej tregojnë se armiku është duke u kampuar.

24. Fjalët e parëndësishme dhe përgatitjet e shtuara janë shenjë se armiku së shpejti do të lëvizë përpara. Fjalët e guximshme dhe lëvizja përpara sikurse do të sulmojë janë shenja se armiku do të zmbrapset.

25. Kur karrocat e lehta dalin së pari dhe vendosen anash ushtrisë, është shenjë se armiku po përgatitet për betejë.

26. Propozimet për paqe që nuk shoqërohet nga një marrëveshje me betim do të thonë komplot.

27. Kur ka shumë vrapime dhe ushtarët rreshtohen sipas gradave, kjo do të thotë se momenti kritik ka ardhur.

28. Kur disa njerëz shkojnë përpara dhe disa prapa, kjo është joshje.

29. Kur ushtarët qëndrojnë duke u mbështetur në shtizat e tyre, ata janë të lodhur nga uria.

30. Nëse ata që janë dërguar për të marrë ujë fillojnë së pari të pinë për vetvete, ushtria është duke vuajtur nga etja.

31. Nëse ushtria e vëren një përparësi që mund të arrihet dhe nuk mundohet për atë, ushtarët janë të stërlodhur.

32. Nëse zogjtë mblidhen në çfarëdo pike, është e papushtuar. Zhurmat e natës tregojnë nervozën.

33. Nëse ka turbullime në kamp, autoriteti i gjeneralit është i dobët. Nëse flamujt janë të ndryshuar, rebelimi është afër. Nëse oficerët janë të zemëruar, do të thotë se njerëzit janë të lodhur.

34. Kur ushtria i ushqen kuajt me drithëra dhe i therrë bagëtitë për ushqim. Dhe kur burrat nuk janë duke i varur enët për gatim mbi zjarret e kampit, duke treguar kështu se nuk do të kthehen në çadrat e veta, duhet ta dini se ata janë të vendosur të luftojnë deri në vdekje.

35. Shenjat e njerëzve, të mbledhur në grupe të vogla ose duke folur me tone nënçmuese, shprehin mosndjeshmëri mes gradave dhe radhëve.

36. Shpërblimet e shpeshta shënjojnë që armikut janë duke ju shterur burimet; shumë ndëshkime shprehin ndjenjën e shqetësimit të tmerrshëm.

37. Duke filluar me shpërthim, por pastaj duke u frikësuar nga numri i madh i armikut, tregon shkallën më të ultë të mungesës së inteligjencës (informatave).

38. Kur emisarët janë të dërguar me komplimente në buzët e tyre, është shenjë se armiku dëshiron armëpushim.

39. Kur trupat e armikut marshojnë përpara me zemërim dhe ndalen duke na ballafaquar ne një kohë të gjatë pa u futur në betejë ose pa u tërhequr përsëri, kjo situatë është ajo që kërkon vigjilencë shumë të madhe dhe kujdes shumë të shtuar.

40. Nëse trupat tona nuk janë në numër më tepër se ato të armikut, kjo është më se e mjaftueshme; vetëm do të thotë se nuk mund të bëjmë sulm direkt. Por çka mund të bëjmë, është thjeshtë ta koncentrojmë tërë forcën tonë, ta vështrojmë nga afër dhe me kujdes armikun, dhe të sigurojmë përforcime.

41. Ai i cili nuk bën parapërgatitje mendore më herët por e nënçmon armikun është shumë e sigurt se do të kapet nga ta.

42. Nëse ushtarët dënohen para se të jenë mësuar me ty, nuk do të jenë të dëgjueshëm; dhe, përveç nëse janë të dëgjueshëm, do të jenë të padobishëm. Nëse, atëherë kur ushtarët janë mësuar me ty, dënimet nuk aplikohen, ata përsëri do të jenë të padobishëm.

43. Kështu pra ushtarët së pari duhet të trajtohen me njerëzi, por edhe të mbahen nën kontroll sipas disiplinës së hekurt. Kjo është rrugë e sigurt për në fitore.

44. Nëse gjatë trajnimit të ushtarëve urdhrat zbatohen zakonisht, ushtria do të jetë mirë e disiplinuar; nëse jo, disiplina e tyre do të jetë e dobët.

45. Nëse gjenerali tregon vetëbesim në ushtarët e vet por edhe gjithnjë është këmbëngulës në zbatimin e urdhrave të tij, dobia do të jetë e dyanshme.
X. Terreni

1. Ne i dallojmë gjashtë lloje të terreneve për ti konsideruar: (1) Tokë e arritshme; (2) Tokë e koklavitur; (3) Tokë e përkohshme; (4) Shtigjet e ngushta; (5) Lartësirat e rrëpijshme; (6) Pozitat në largësi të madhe nga armiku.

2. Toka e cila mund të kalohet lirisht nga të gjitha anët quhet Tokë e arritshme.

3. Sa i përket tokës së tillë, pushtojeni më përpara se armiku dhe veçanërisht në pjesët e ngritura dhe ato me diell, dhe me kujdes ruani vijat e furnizimit. Pastaj do të jeni në pozitë të luftoni me avantazh.

4. Tokat që mund të braktisen lehtë por është shumë e vështirë për ti marrë përsëri quhen të koklavitura.

5. Nga një pozitë e tillë, nëse armiku është i papërgatitur, mund të mësyni përpara dhe ta mundni atë. Por nëse armiku është i përgatitur për ardhjen tuaj, dhe nuk do arrini ta mundni, atëherë, kthimi duke qenë i pamundshëm, shkatërrimi do të pasojë.

6. Nëse pozita është e tillë që asnjëra palë nuk do ketë përparësi duke e bërë lëvizjen e parë, atëherë kjo quhet Tokë e përkohshme (e vonuar).

7. Në pozitë të tillë, edhepse armiku mund të na joshë me karrem shumë atraktiv, është e këshillueshme mos me lëvizë përpara, por përkundrazi duhet zmbrapsur, duke e joshur kështu ne armikun; Pastaj, kur një pjesë e ushtrisë së tij ka lëvizur jashtë pozitës, mund ta kryejmë sulmin tonë me avantazh.

8. Sa i përket shtigjeve të ngushta, nëse mund ti pushtoni para armikut, atëherë duhet të ruhen mirë duke pritur ardhjen e armikut.

9. Nëse armiku e ka pushtuar kalimin më para nesh, nuk duhet shkuar pas nëse shtegu është i mbrojtur me roje, por vetëm nëse është dobët i mbrojtur.

10. Sa i përket lartësive të rrëpijshme, nëse jeni para armikut aty, duhet okupuar pjesët e ngritura dhe ato me diell, dhe aty duhet pritur armikun që të vijë.

11. Nëse armiku i ka pushtuar para nesh, mos e paso atje atë, por zmbrapsu dhe joshe nga aty.

12. Nëse jeni në largësi të madhe nga armiku, dhe forca e dy ushtrive është e barabartë, nuk është e lehtë për ta nxitur betejën, dhe luftimi do të jetë në disavantazh tonin.

13. Këto gjashtë janë principet e lidhura me Tokën. Gjenerali i cili ka arritur post të respektueshëm duhet ti studiojë ato me kujdes.

14. Tani, ushtria i ekspozohet gjashtë fatkeqësive të ndryshme, që nuk dalin nga shkaqet natyrore, por nga gabimet për cilat gjenerali ka përgjegjësi. Këto janë: (1) Ikja; (2) Mungesa e nënrenditjes (subordinimit); (3) Kolapsi, (4) Shkatërrimi (prishja); (5) Mosorganizimi; (6) Humbja e plotë.

15. Nëse të gjitha kushtet janë të njëjtë, por njëra forcë i është kundërvënë tjetrës dhjetë herë më të madhe, rezultati do të jetë ikja e të parës.

16. Kur ushtarët e thjeshtë janë shumë të fortë dhe oficerët e tyre shumë të dobët, rezultati do të jetë mungesa e nënrenditjes. Kur oficerët janë shumë të mirë dhe ushtarët e thjeshtë shumë të dobët, rezultati do të jetë kolapsi.

17. Kur oficerët e lartë janë të zemëruar dhe pa nënrenditje, dhe kur e takojnë armikun luftojnë në llogari të tyren nga ndjenja e përbuzjes, para se komandanti tu tregojë se a janë në pozitë për luftuar apo jo, rezultati është shkatërrimi.

18. Kur gjenerali është i dobët dhe pa autoritet; kur urdhrat e tij nuk janë të qartë dhe të dallueshëm; kur nuk ka detyra të caktuara veçanërisht për oficerët dhe njerëzit e tij, dhe radhët janë të formuara rastësisht dhe në mënyrë të pakujdesshme, rezultati është mosorganizimi i shprehur.

19. Kur gjenerali, i paaftë për ta vlerësuar forcën e armikut, lejon që një forcë e vogël ti përballet një të madhe, ose e hedh një njësi të dobët kundër një të forte, dhe lë anash ti vendosë ushtarët e zgjedhur në radhët e para, rezultati do të jetë humbja e plotë.

20. Këto janë gjashtë mënyra për ta arritur humbjen, e të cilat duhet të merren parasysh me kujdes nga gjenerali i cili ka arritur post të respektueshëm.

21. Forma natyrore e tokës është aleati më i mirë i ushtarit; por fuqia e vlerësimit të armikut, kontrollimi i forcave në fitore, dhe llogaritja me mençuri e vështirësive, rreziqeve dhe largësive, përbëjnë sfidë për gjeneralin e madh.

22. Kush i di këto gjëra, dhe gjatë luftimeve e zbaton diturinë në praktikë, do ti fitojë betejat e tij. Kush nuk i di, as nuk i praktikon, sigurisht do të humbë.

23. Nëse me luftë fitorja është e sigurt, atëherë duhet luftuar, edhe nëse sunduesi e ndalon atë; nëse luftimet nuk mund të sjellin fitoren, atëherë nuk duhet luftuar edhe nëse sunduesi propozon diçka të tillë.

24. Gjenerali i cili shkon përpara pa lakuar famën dhe zmbrapset pa u frikësuar nga turpi, mendimi i të cilit është vetëm për ta mbrojtur vendin e tij dhe të bëjë shërbim për sovranin e tij, është margaritari i mbretërisë.

25. Trajto ushtarët e tu sikurse të ishin fëmijët e tu, dhe ata do të përcjellin edhe në luginat më të thella; shikoj ata sikurse të ishin djemtë e tu të dashur, dhe ata do të qëndrojnë me ty deri në vdekje.

26. Por, nëse, je i dhënë pas kënaqësisë, dhe kështu i paaftë që ti bësh ta ndjejnë autoritetin tënd; me zemër të butë dhe kështu pa mundësi për ti detyruar urdhrat e tu; dhe i paaftë, parasëgjithash, për ta qetësuar çrregullimin: atëherë ushtarët e tu do të jenë sikurse fëmijët e llastuar; të padobishëm për çfarëdo qëllimi praktik.

27. Nëse e dimë se njerëzit tanë janë në pozitë për të sulmuar, por jemi të pavetëdijshëm se armiku nuk është i hapur për sulm, ne e kemi bërë vetëm gjysmën e rrugës për në fitore.

28. Nëse e dimë se armiku është i hapur për ta sulmuar, por nuk jemi të vetëdijshëm se njerëzit tanë nuk janë në gjendje për të sulmuar, ne e kemi bërë vetëm gjysmën e rrugës për në fitore.

29. Nëse e dimë se armiku është i hapur për ta sulmuar, dhe poashtu e dimë se njerëzit tanë janë në gjendje për të sulmuar, por nuk jemi të vetëdijshëm se terreni (gjendja e tokës) e bën luftimin jopraktik, përsëri e kemi bërë vetëm gjysmën e rrugës për në fitore.

30. Kështu pra, ushtari i sprovuar, përderisa është në lëvizje, kurrë nuk ngatërrohet; përderisa e ka prishur kampin, kurrë nuk është në humbje.

31. Prandaj edhe thuhet: Nëse e njeh armikun dhe vetveten, fitorja jote nuk do të ketë dyshim; nëse e njeh Qiellin dhe Tokën, do ta bësh fitoren tënde të plotë.
XI. Nëntë Situatat

1. Në artin e luftës njihen nëntë lloje të pozitave: (1) E shpërndarë; (2) E lehtë; (3) Kundërshtuese; (4) E hapur; (5) Aty ku kryqëzohen rrugët; (6) Kritike; (7) E vështirë; (8) E rrethuar; (9) E dëshpëruar.

2. Kur sunduesi është duke luftuar në territorin e vet, kjo është pozita e shpërndarë.

3. Atëherë kur ka depërtuar në territorin e armikut por jo shumë thellë, është pozita e lehtë (facile).

4. Pozita, pronësia e të cilës sjell përparësi të madhe tek cilado palë, është ajo kundërshtuese.

5. Pozita nga e cila kanë liri të lëvizjes të dy palët është pozitë e hapur.

6. Pozita e cila është çelës për tri vende fqinje, ashtuqë cilido që e okupon atë ka pjesën më të madhe të perandorisë në komandën e tij, është vendi i kryqëzimeve të rrugëve.

7. Kur ushtria ka depërtuar në zemër të vendit armik, duke lënë prapa një numër të qyteteve të fortifikuara pas, kjo është pozita kritike (serioze).

8. Malet, ujërat e vështira, kënetat dhe moçalet – çdo tokë që është e vështirë për ta kaluar krijojnë pozitën e vështirë.

9. Pozita që arrihet duke kaluar nëpër shtigje të ngushta, dhe nga e cila mund të largohemi vetëm nëpër kanale torturuese, ashtuqë një numër i vogël i armikut do të mjaftonte për ta shkatërruar një pjesë të madhe të njerëzve tanë: kjo është pozita e rrethuar.

10. Pozita nga e cila mund të shpëtojmë nga shkatërrimi vetëm duke luftuar pa asnjë vonesë, është pozita e dëshpëruar.

11. Në pozitë të shpërndarë mos luftoni. Në pozitën e lehtë mos u ndalni. Në pozitën kundërshtuese mos sulmoni.

12. Në pozitën e hapur, mos provoni ti bllokoni rrugët armikut. Në pozitën ku kryqëzohen rrugët, shtrëngoni duart me aleatët.

13. Në pozitën kritike, bashkohuni në sulm. Në pozitën e vështirë, qëndroni vazhdimisht në lëvizje përpara (marshim).

14. Në pozitën e rrethuar, bazohuni në strategem. Në pozitë të dëshpëruar luftoni.

15. Ata që janë quajtur liderë të shkathtë të kohëve të vjetra, kanë ditur si të shqyejnë mes ballit dhe prapravisë së armikut; të parandalojnë bashkëpunimin mes divizioneve të mëdha dhe atyre të vogla; të pengojnë trupat e mira nga shpëtimi i atyre të dobëtave, dhe oficerët nga bashkimi i njerëzve në urdhrat e vet.

16. Kur njerëzit e armikut kanë qenë të bashkuar, ata ja kanë arritur ti mbajnë ata të çrregullt.

17. Kur ka qenë përparësia në anën e tyre, ata kanë lëvizur përpara; në të kundërtën, ata kanë qëndruar fort.

18 Në pyetjen si duhet vepruar me armik në numër të madh dhe me radhë të rregullta që po mësyn për të sulmuar, unë do të thosha: filloni duke marrë diçka që armikut tuaj i pëlqen; atëherë ai do të jetë i ndikuar nga vullneti i juaj.

19. Shpejtësia është esenca e luftës: shfrytëzoni papërgatitjen e armikut, shkoni rrugëve që nuk ju presin, dhe sulmoni pikat e pambrojtura.

20. Në vazhdim janë principet që duhet të vëzhgohen nga forca pushtuese: Sa më thellë që hyni në tokën e armikut, aq më i madh do të jetë solidariteti mes trupave tuaja, dhe kështu mbrojtësit nuk do të mund t’u përballojnë.

21. Bëni sulme në arat e bukës ashtuqë ta furnizoni ushtrinë me ushqime.

22. Me kujdes vëzhgo mirëqenien e njerëzve tu, dhe mos i mbingarko ata. Koncentroje energjinë dhe mblidhe fuqinë tënde. Mbaje ushtrinë vazhdimisht në lëvizje, dhe zhvillo plane të pakuptueshme.

23. Dërgo ushtarët tuaj në pozita nga e cila nuk ka largim, dhe ata më përpara do të vdesin se sa të ikin. Nëse ballafaqohen me vdekjen, nuk ka asgjë që nuk do të mund ta arrijnë. Oficerët dhe ushtarët njësoj do të shtrëngohen dhe japin fuqinë e tyre më të madhe.

24. Ushtarët kur janë në pozita të pashpresa e humbin ndjenjën e frikës. Nëse nuk ka mundësi për të ikur, do të qëndrojnë të fortë. Nëse janë në vend të armikut, do të bëjnë një qëndresë kokëforte. Nëse nuk ka ndihmë do të luftojnë ashpër.

25. Pra, pa pritur për tu organizuar (rreshtuar) ushtarët do të jenë përherë dhe vazhdimisht në pyetje për jetën; pa pritur që të pyeten, ata do ta respektojnë vullnetin tënd; pa kufizime, ata do jenë besnikë; pa ju dhënë urdhra, do të jenë të besueshëm.

26. Ndaloni parashikimet e të ardhmes me fall, dhe largohuni nga dyshimet prej besimeve të kota. Pastaj, derisa vetë vdekja nuk vjen, nuk ka rrezik që duhet frikësuar.

27. Nëse ushtarët tanë nuk janë tepër të preokupuar me të holla, nuk është sepse ata nuk kanë dëshirë për pasuri; nëse jetërat e tyre nuk janë të gjata, nuk është sepse ata nuk e dëshirojnë jetëgjatësinë.

28. Në një ditë ata urdhërohen për në betejë, ushtarët e tu mund të qajnë, disa të rrinë të ulur duke i lagur veshjet e tyre, dhe disa të shtrirë duke ju rrjedhur lotët faqeve. Por posa të sillen tek fushëbeteja, ata do ta tregojnë trimërinë e Qu ose Kuei.

29. Taktikani i shkathtë mund të ngjasohet me shuai-jan. Shuai-jan është gjarpër gjë gjendet të malet Qung. Nëse e godet në kokë, ai do të të sulmojë me bisht; godite në bisht dhe do të të sulmojë me kokë; godite në mes dhe do të të sulmojë edhe me kokë edhe me bisht.

30. Nëse më pyetni a mundet ushtria ta imitojnë shuai-jan, unë do të përgjigjesha: Po. Sepse njerëzit e Vu dhe Jueh janë armiq, por nëse janë duke e kaluar lumin në të njëjtën barkë dhe i kapë stuhia, ata do ti ndihmojnë njëri tjetrit sikurse dora e majtë të djathtës.

31. Kështuqë nuk është e mjaftueshme për t’ia besuar dikujt që ti lidhë kuajt, dhe vendosjen e rrotave të qerreve në dhe.

32. Principi në bazë të së cilit udhëhiqet ushtria është vendosja e një standardi të kurajës e trimërisë të cilin të gjithë duhet ta arrijnë.

33. Për ta bërë që edhe të fortit edhe të dobëtit ta japin më të mirën nga vetja e tyre – është pyetje e përfshirjes së shfrytëzimit të pozitës së favorshme.

34. Kështu gjenerali i aftë udhëheq ushtrinë e tij sikurse është duke e udhëhequr një njeri të vetëm, dashur pa dashur, me dorën e tij.

35. Është punë e gjeneralit të jetë i heshtur dhe kështu ti ruajë fshehtësitë e tij; të qëndrojë drejtë dhe të jetë i drejtë, dhe kështu ta mbajë rendin.

36. Ai duhet të jetë i aftë për ti magjepsur oficerët dhe njerëzit e tij me deklarata dhe paraqitje të rrejshme, dhe kështu ti mbajë ata të painformuar.

37. Duke i ndryshuar rregullimet e veta dhe duke ndryshuar planet e veta, ai e mban armikun pa dituri (informacione) definitive. Duke e larguar kampin e vet dhe duke shkuar shtigjeve qarkore, ai e parandalon armikun nga mundësi që t’ia parashikojë qëllim e tij.

38. Në momente kritike, udhëheqësi i ushtrisë sillet sikurse dikush që është ngjitur në lartësi dhe e heq shkallën pas tij. Ai i udhëheq njerëzit e tij thellë në territorin e armikut para se ta tregojë dorën e tij.

39. Ai i djeg barkat e tij dhe i thyen enët e ushqimit; sikurse bariu që e dirigjon tufën e deleve, ai i dirigjon njerëzit e tij në këtë mënyrë, dhe askush nuk e di se kah ai po shkon.

40. Ti mbledhë njerëzit e tij dhe ti shpijë ata në rrezik: kjo pra është detyra e punës së gjeneralit.

41. Matje të ndryshme duhet të pajtohen sipas nëntë llojeve të pozitave; urgjenca e taktikës agresive ose defensive; dhe ligjet fundamentale të natyrës njerëzore: këto janë gjëra që duhet patjetër të studiohen.

42. Gjatë invadimit të territorit të armikut, principi gjeneral është se, duke depërtuar thellë e më thellë vjen deri te uniteti dhe solidariteti; duke depërtuar shkurtë do të thotë shpërndarje.

43. Kur ta lëni vendin tuaj prapa, dhe e udhëheq ushtrinë përqark territorit fqinj, do ta gjeni vetveten në pozitë kritike. Kur ka mundësi të komunikimit mes katër anëve, kjo është pozitë e kryqëzimit të rrugëve.

44. Kur depërtoni thellë në ndonjë vend, është pozita serioze. Kur depërtoni por vetëm shkurtazi, është pozitë e lehtë.

45. Kur i keni qendrat e armiqve në prapavijë, dhe shtigjet e ngushta përballë, kjo është pozita e rrethuar. Kur nuk ka asnjë vend për të ikur, kjo është pozita dëshpëruese.

46. Kështu pra, në pozitën e shpërndarë, unë do ti inspiroja njerëzit e mi me qëllimin e përbashkët. Në pozitë të lehtë, unë do të kisha vërejtur se nuk ka lidhje të afërt mes pjesëve të ndryshme të ushtrisë.

47. Në pozitën kundërshtuese, do ta kisha ngutur prapavinë.

48. Në pozitë të hapur, do të kisha mbajtur vigjilencë në mbrojtjet e mia. Në pozitën e rrugëve që kryqëzohen, do ti kisha konsoliduar aleancat e mia.

49. Në pozitën serioze, do të kisha provuar të siguroj furnizime të rregullta. Në pozitë të vështirë, do të kisha shtyrë përpara përgjatë rrugës.

50. Në pozitën e rrethuar, do të kisha bllokuar çdo rrugë të zmbrapsjes. Në pozitë të dëshpëruar, do tu kisha kumtuar ushtarëve të mi pashpresën e shpëtimit të jetëve të tyre.

51. Është rregull e ushtarit që të ofrojë rezistencë kokëforte kur rrethohet, të luftojë ashpër kur nuk mund ta ndihmojë vetveten, dhe të përgjigjet menjëherë kur të bie në rrezik.

52. Nuk mund të hyjmë në aleanca me princat fqinjë përderisa nuk jemi të njoftuar me planet e tyre.

53. Të qenit injorant ndaj cilido nga katër principet në vazhdim nuk i shkon për shtati princit luftarak.

54. Kur princi luftarak e sulmon një shtet të fuqishëm, komandimi i tij tregon veprimin e parandalimit të koncentrimit të forcave të armikut. Ai i tmerron kundërshtarët, dhe aleatët e tyre parandalohen për tu bashkuar kundër tij.

55. Kështuqë ai nuk mundohet të bashkohet me të gjithë dhe të ndryshëm, as nuk i nxitë fuqinë e shteteve të tjera. Ai i mban planet e veta të fshehta, mban antagonistët e tij në frikë. Kështu ai është i aftë ti kapë qytetet e tyre dhe ti përmbysë mbretëritë e tyre.

56. Jep shpërblime pa pasur parasysh rregullat e mëparshme, jep urdhra pa marrë parasysh aranzhimet e mëhershme; dhe kështu do të jesh në gjendje ta udhëheqësh tërë ushtrinë sikurse të kesh të bësh me një njeri të vetëm.

57. Konfrontoni ushtarët tu me vepra; kurrë mos ju trego planet e tua. Kur perspektiva është e qartë, shpalose atë para syve të tyre; por mos u trego asgjë atyre kur situata është e mjegullt.

58. Vendose ushtrinë tënde në rreziqe vdekjeprurëse, dhe ajo do të mbijetojë; zhyte në përrenj të pashpresë, dhe do të kthehet përsëri në siguri jashtë rrezikut.

59. Sepse është e saktë se kur një forcë ka rënë e dëmtuar dhe se është e mundur të godet për fitore.

60. Suksesi në luftime fitohet duke e përshtatur veten tonë me kujdes ndaj qëllimeve të armikut.

61. Duke i varur vazhdimisht krahët e armikut, ne do të kemi sukses në aspektin afatgjatë për ta vrarë komandantin e tyre.

62. Kjo quhet aftësi për ta arritur qëllimin vetëm me mashtrim të pastër.

63. Në ditën që e pranon komandën, blloko vendkalimet në kufi, shkatërro vendimet zyrtare, dhe ndalo kalimet e të gjithë emisarëve.

64. Ji i fortë (ashpër) në odën e këshillimeve, në mënyrë që ta kontrollosh situatën.

65. Nëse armiku e ka lënë një derë hapur, duhet nxituar në të.

66. Pamundësoje armikun duke ja marrë gjërat që i konsideron të dashura për veti, dhe me dinakëri planifiko kohën kur do të vijë ai në pozitë.

67. Ec në shtegun që është definuar sipas rregullave, dhe përshtatju armikut derisa do të luftoni betejën vendimtare.

68. Së pari, edhe pastaj, paraqit turpërimin e vashës së re, derisa armiku ta ofron një hapje; pastaj kopjoje shpejtësinë e vrapimit të lepurit, dhe do të jetë shumë vonë për armikun të kundërshtojë.

 

XII. Sulmi me Zjarr

1. Janë pesë mënyra për të sulmuar me zjarr. E para është duke i djegur ushtarët në kampin e vet; e dyta duke i djegur depot; e treta duke i djegur karrocat e bartjes; e katërta duke i djegur arsenalet dhe magazinat; e pesta duke hedhur zjarrin në vetë armikun.

2. Për të sulmuar, duhet ti kemi të gjitha mundësitë gati. Materiali për ta ndezur zjarrin duhet të jetë gjithmonë në gjendje gatishmërie.

3. Ka stinë të duhura për ta realizuar sulmin me zjarr, dhe ditë të veçanta për ta filluar zjarrvënien.

4. Stina më e mirë është atëherë kur koha është shumë e thatë; ditët e veçanta janë kur hëna e ka formën e shoshës, murit, krahut ose tullës; sepse këto të katërta janë ditë me erëra që fryjnë.

5. Duke sulmuar me zjarr, duhet të jemi gati për pesë zhvillime të mundshme:

6. (1) kur zjarri plasë brenda kampit të armikut, duhet reaguar menjëherë me sulm edhe nga jashtë.

7. (2) Nëse ka përhapje të zjarrit, por ushtarët e armikut janë të qetë, pritni dhe mos sulmoni.

8. (3) Kur forca e flakëve ka arritur lartësinë e vet, pasojeni me sulm, nëse është praktike; nëse jo, rrini aty ku jeni.

9. (4) Nëse është e mundur për të sulmuar me zjarr nga jashtë, mos pritni që ai të plasë nga brenda, por sulmoni në momentin më të favorshëm.

10. (5) Kur e filloni zjarrin, duhet të jeni kah ana e erës ndaj tij. Mos sulmoni përballë erës.

11. Era që ngrihet gjatë ditës zgjatë shumë, mirëpo flladi i natës shumë shpejt bie.

12. Në çdo ushtri, pesë zhvillimet të lidhura me zjarr duhet të dihen, lëvizja e çdo ylli e llogaritur mirë, dhe ora të mbahet për ditët e duhura.

13. Kështu pra ata që e shfrytëzojnë zjarrin për të sulmuar tregojnë inteligjencë; ata të cilët e shfrytëzojnë ujin për të sulmuar fitojnë arritje të forcës.

14. Me mënyrën e ujit, armiku mund të kapet, por nuk mund të plaçkitet nga të gjitha zotërimet e tij.

15. I hidhur është fati i atij që provon ti fitojnë betejat e tij dhe të ketë sukses në sulmet e tij pa e kultivuar shpirtin e ndërmarrjes; sepse rezultati është humbje e kohës dhe është stagnim i gjeneralit.

16. Prandaj edhe thuhet: sunduesi i ndritshëm i bën planet e tij mirë më përpara; gjenerali i mirë i kultivon burimet e tij.

17. Mos lëvizni përderisa nuk e vëreni ndonjë përparësi; mos i shfrytëzoni trupat përderisa nuk ka diçka që do të fitohej; mos luftoni përderisa pozita nuk është kritike.

18. Asnjë sundues nuk duhet ti shpijë trupat në fushëbetejë vetëm për ta kënaqur shpirtin e tij; asnjë gjeneral nuk duhet të luftojë në betejë thjeshtë për shkak të mendjemadhësisë.

19. Nëse është përparësia në anën tonë, lëvizni përpara; nëse jo, rrini aty ku jeni.

20. Zemërimi pas një kohe mund të ndërrojë në gëzim; pas inatit mund të pasojë përmbajtja.

21. Por mbretëria që njëherë është shkatërruar kurrë më nuk do të ekzistojë përsëri; as i vdekuri kurrë nuk do të mund të kthehet në jetë.

22. Kështuqë sunduesi i shkëlqyeshëm është i vëmendshëm, dhe gjenerali i mirë plot me kujdes. Kjo është mënyra për ta mbajtur vendin në paqe dhe ushtrinë e paprekur.

 
XIII. Përdorimi i Spiunëve

1. Ngritja e njëqind mijë njerëzve dhe marshimi i tyre për në rrugë të gjatë shkakton humbje të mëdha tek njerëzit dhe i shterrë burimet e Shtetit. Shpenzimet ditore do të ngritën deri në njëmijë monedha të argjendit në ditë. Do të ketë pakënaqësi brenda dhe jashtë, dhe njerëzit do të bien të lodhur në rrugë. Aq sa edhe shtatëqindmijë familje do të ketë punë shumë të vështirë me pengesa.

2. Ushtritë armiqësore mund ta takojnë njëra tjetrën me vite, duke u përpjekur për një fitore e cila vendoset në një ditë të vetme. Duke qenë kështu, të mbetesh në injorancë për gjendjen e armikut thjeshtë sepse dikush është koprrac për ti shpenzuar njëqind monedha të argjendit në nder dhe paga, është kulminacioni i panjerzishmërisë.

3. Ai që vepron kështu nuk është lider i njerëzve, kurrfarë ndihme për sovranin e tij, kurrfarë zotëruesi i fitores.

4. Prandaj, çka i mundëson një sovrani të urtë dhe një gjenerali të mirë të sulmojë dhe pushtojë, dhe ti arrijë gjërat që janë larg për tu arritur nga njerëzit e thjeshtë, është dija (informata) e mëhershme.

5. Tani, kjo dije nuk mund të nxirret nga shpirtrat; as nuk mund të fitohet nga përvoja, e as nga ndonjë llogaritje e zbërthyer.

6. Informata për vetitë e armikut mund të fitohet vetëm nga njerëzit e tjerë.

7. Prandaj edhe nevojitet shfrytëzimi i spiunëve, e nga të cilët janë pesë klasa: (1) Spiunët lokalë; (2) Spiunët e brendshëm; (3) Spiunët e konvertuar; (4) Spiunët e dështuar; (5) Spiunët e mbijetuar.

8. Kur të pesë llojet e këtyre spiunëve janë në veprim, asnjëri nuk do të mund ta zbulojë sistemin e fshehtë. Kjo quhet manipulimi i shenjtë i fijeve. Është aftësia më e shtrenjtë e sovranit.

9. Për të pasur spiunë lokalë do të thotë punësimi i shërbimeve të banorëve të asaj pjese.

10. Për të pasur spiunë të brendshëm, duhet shfrytëzuar zyrtarët e armikut.

11. Për të pasur spiunë të konvertuar, duhet zënë spiunët e armikut dhe shfrytëzimi i tyre për qëllime tonat.

12. Për të pasur spiunë të dështuar, duhet bërë me qëllim disa gjëra haptazi për shkak të mashtrimit, dhe duhet lejuar ata spiunë ti shohin këto gjëra dhe ti raportojnë te armiku.

13. Spiunët e mbijetuar, përfundimisht, janë ata që arrijnë të sjellin lajme nga kampi i armikut.

14. Kështu që, nuk ka asnjë në ushtri që duhet dhe e meriton të ketë raporte më të afërta se sa me spiunët. Askush nuk duhet të shpërblehet më lirisht. Në asnjë punë tjetër nuk duhet të ruhet fshehtësi më e madhe.

15. Spiunët nuk mund të punësohen pa një dituri intuitive.

16. Ata nuk mund të udhëhiqen si duhet pa zemërgjerësi dhe sinqeritet.

17. Pa një gjenialitet dhelparak të mendjes, askush nuk mund të jetë i sigurt nga vërtetësia e raporteve të tyre.

18. Bëhu dinak! Bëhu dinak! Dhe përdori spiunët për të gjitha llojet e punëve.

19. Nëse një pjesë e lajmit të fshehtë është shpalosur nga spiuni para se të ketë ardhur koha, ai duhet të dënohet me vdekje së bashku me atë të cilit ju ka shpalosur fshehtësia.

20. Pa marrë parasysh a është qëllim shkatërrimi i armikut, pushtimi i ndonjë qyteti, ose vrasje e ndokujt, është gjithmonë e nevojshme të fillohet me gjetjen e emrave të pjesëmarrësve, ndihmëtarëve (këshilltarëve), dhe portierëve dhe rojave të gjeneralit që është në komandë. Spiunët tanë duhet të caktohen për ti qartësuar këto.

21. Spiunët e armikut që kanë ardhur për të na spiunuar duhet të zbulohen, të joshen me ryshfet, të drejtohen larg nga aty dhe të vendosen në kushte shumë të mira. Kështuqë ata do të bëhen spiunë të konvertuar të gatshëm për të na shërbyer.

22. Vetëm sipas informatave që fitojmë nga spiunët e konvertuar do të jemi në gjendje ti gjejmë dhe punësojmë spiunët lokalë dhe ata të brendshëm.

23. Përsëri vetëm sipas informatave të tij, ne mund ta shkaktojmë që spiuni i dështuar ti dërgoj sihariq të rrejshëm armikut.

24. Së fundi, sipas informatave të tij që spiuni i mbijetuar do të mund të përdoret në situata të caktuara.

25. Fundi dhe qëllimi i spiunimit të pesë llojeve është dija (informatat) për armikun; dhe kjo dije mund të rrjedhë vetëm, së pari, nga spiuni i konvertuar. Prandaj është themelore që spiuni i tillë të trajtohet me zemërgjerësinë më të madhe.

26. Nga të vjetrit, ngritja e dinastisë Jin është shkaktuar nga Aj Qih që ka shërbyer nën Hsia. Njëlloj, ngritja e dinastisë Qou ka qenë për shkak të Lu Ja që ka shërbyer te Jin.

27. Pra nuk është vetëm sundimtari i shkëlqyeshëm dhe gjenerali i mençur që duhet ta shfrytëzojë inteligjencën më të lartë të ushtrisë për qëllime të spiunimit dhe kështu të arrijë rezultate të mëdha. Spiunët janë element më i rëndësishëm se uji, sepse nga ta varet mundësia e ushtrisë për të lëvizur.

Shkelqim Veselaj

Artikulli paraprakMediat si zotërues të kohës
Artikulli vijuesLufta kundër korrupsionit nga zyrtarët brenda kompanisë apo institucionit