TAKIMI MUSTAFA-DACI, PËRFUNDON PA REZULTAT

Ka përfunduar pa ndonjë rezultat takimi ndërmjet kreut të LDK-së, Isa Mustafa dhe atij të LDD-së, Nexhat Daci. Këtë e konfirmoi vetë ky i fundit, duke thënë se marrëveshja e vetme ishte që nuk do të ketë marrëveshje para kohe.

“Jo, na u morëm vesh për diçka që s’do të merremi vesh kurgjë para kohe”, ka thënë Daci pas takimit. Por ndërkohë, Mustafa ka thënë se nuk ishte ky një takim ku mund të pritej ndonjë marrëveshje.

“Po ne sot e kishim qëllim që të ulemi bashkërisht edhe të bisedojmë, ta kemi më tepër një ndejë, bisedë pune por, jo që të merremi vesh apo të mos merremi vesh. Unë kam dalë javën e kaluar me një ide dhe propozim dhe që të shohim proceset dhe në bazë të atyre të proceseve të bëjmë një bashkim të partive të qendrës së djathtë në mënyrë që në qeverisjen e ardhshme të veprojmë dhe punojmë bashkërisht. Ajo çfarë sot bëmë është se në biseduam, biseduam në mënyrë shumë të relaksuar dhe e lamë mundësinë që në procese të ardhshme prapë të punojmë edhe që këto procese t’i vlerësojmë”, ka thënë Mustafa, raporton K.O

Kurse, Nexhat Daci e ka quajtur sukses të madh të ulen dy shqiptarë në një tavolinë. “Unë do të thoja që është një sukses tepër i madh, shqiptarët me i bë bashkë në një tavolinë e mos të përlahen, kjo ka ngjarë ka qenë një ndejë shumë relaksuese, profesor Isa dhe kolegu jem edhe në Universitet edhe në Akademi e tha idenë e vet, unë i thashë që kjo duhet të vazhdojë në kuptimin e sqarimit të çështjeve. Bile hajde të them se ishim në një kanagjeq si sot dhe ua dhamë flakën gazetarëve nuk është mirë. Unë besoj në kryetarin e LDK-së kam qenë përkrahës i tij shumë herësh . E ka një rrugë shumë të vështirë para vetit, një rrugë të cilën të tjerët para se me ardhë e kanë bërë gropa vështirë të riparueshme”, ka thënë ai.

Por asnjëri nuk e ka thënë qartë nëse do të bëhen bashkë, në atë që Isa Mustafa doli ditë më parë si ide për bashkimin e së djathtës. “Jo jo shikoni na kemi hyrë në fillim të një procesi dhe duhet njëherë ta bëjmë diagnostikimin e procesit për mos të dhënë terapi të gabueshme. Unë nuk jam njëri që i ha fjalët e mia se ju letrat nuk mund t’i hani nesër kështu që do të shohim. Por vetë prezenca jonë dhe disponimi tregon se kurgja personale në mes të neve dyve nuk ka dhe s’ka pas kurrë”, ka thënë Daci.

Ndërsa Mustafa nuk ka mundur ta thotë nëse do të ketë bashkim apo jo, por ka shprehur besimin në fitore. “Unë besoj që së pari qytetarët e Kosovës të dalin fitues dhe ne do të punojmë për qytetarët”, ka thënë ai.

E ekspertiza dhe diagnostifikimi i procesit, sipas Nexhat Daci, do të bëhet deri para zgjedhjeve, për të cilat, kreu i LDK-së, Isa Mustafa beson se nuk është e vështirë që të bëhet reforma zgjedhore, e cila ka kohë që është bllokuar.

Takimi Mustafa-Daci vjen pak ditë pas idesë së kreut të LDK-së për bashkimin e partive të qendrës së djathtë, duke përfshirë LDK-në, LDD-në, AAK-në, AKR-në dhe demokristianët. AAK-ja e ka quajtur të vonuar këtë ide të Mustafës.kohaislame

Artikulli paraprakENDE PROBLEM ME PUNË DINJITOZE
Artikulli vijuesRIDEFINIMI I KUFIJVE SI “PLAN B”