Sado vështirësi që të hasësh në shërbim të babait dhe nënës tënde, përsëri të drejtat e tyre ndaj teje kanë për të qenë shumë, shumë herë më të mëdha. «Mos u thuaj atyre ndonjë fjalë pakënaqësie e mosrespekti, as mos e ngri zërin (duke u thënë “uf !”) por t‘i drejtohesh atyre me shprehje nderuese e me respekt. Dhe ule mbi ta krahun e nënshtrimit, të mirësisë e të përuljes me mëshirë, dhe thuaj: Zoti im! Dhuro mbi ta përkujdesjen tënde, siç treguan ata për mua, kur unë isha i mitur.» (El-Isra 23-24 ).
Shiko foshnjën e vogël dhe dhembshurinë e prindërve të tij për të. Shiko kujdesin e tyre për shëndetin, ushqimin dhe pirjen e tij, natën dhe ditën. Kur ta bësh këtë, ke për ta kuptuar se ç’kanë hequr prindërit e tu për rritjen dhe edukimin tend, derisa u bëre burrë.
Çdo njeri dëshiron të jetë në gradë të lartë, me pozitë të madhe, i dashur tek Allahu dhe tek njerëzit. Madje ç’dokush dëshiron të jetë mbi të tjerët. Por prindi, do që fëmija i tij të jetë në pozitë më të mirë, në gradë më të lartë dhe më krenar se vetë ai. Atëherë si duhet të sillesh me dikë, që të jep përparësi mbi veten e tij dhe dëshiron për ti më tepër se ç’dëshiron për veten e tij?
Ruaju dhe bëj kujdes, që të mos i mërzitësh babanë dhe nënën tënde, sepse mërzitja e Allahut është e lidhur ngushtë me mërzitjen e prindërve. Dhe ai me të cilin Allahu mërzitet, ka humbur këtë botë dhe botën tjetër.
Bindju babait dhe nënës tënde dhe mos i kundërshto për asnjë gjë. Përveç nëse të urdhërojnë për kundërshtimin e Zotit tënd, se atëherë;«Nuk ka bindje ndaj krijesës në kundërshtim të Krijuesit.» (Hadith Sherif që e ka transmetuar Imam Ahmedi, Hakimi, Bezzari dhe Taberanij).
“Porositë e etërve për bijtë” Shejkh Muhammed Shaakir.