Të punësuarit në “Jugohrom” bllokojnë autostradën Tetovë-Shkup

Ata kërkojnë nga Qeveria që të tërheq vendimin për ndalesë të punës së furrave të kombinatit dhe në të njëjtën kohë paralelisht të punohet në vendosjen e filtrave

Të punësuarit në kombinatin “Jugohrom” në Jegunovcë të Tetovës, në organizim të Sindikatës “Jugohrom Alzar” rreth dy orë mbajtën të bllokuar autostradën Tetovë-Shkup në të dy drejtimet, duke kërkuar nga organet qeveritare që të tërheqin vendimin për pezullimin e punës së këtij kombinati, i cili qëndron i mbyllur që nga 2 nëntori i vitit të kaluar për shkak të mosrespektimit të afatit për vendosjen e filtrave, raporton Anadolu Agency (AA).

Të punësuarit e tubuar në pikë pagesën në fshatin Zhelinë, thonë se mbyllja e kombinatit “Jugohrom” është i pajustifikuar, pasi që rreth 700 të punësuar në këtë kombinat aktualisht nuk kanë të ardhura dhe nuk mund të kujdesen për familjet e tyre. Pavarësisht analizave të shoqërisë civile që tregojnë se ajri është për 40 përqind më i pastër pas mbylljes së kombinatit, Sindikata mbron qëndrimin se Jugohrom edhe pa vendosjen e filtrave nuk është ndotësi kryesorë i ajrit në zonën e Pollogut.

Ata kërkojnë nga Qeveria e Maqedonisë që të tërheq vendimin për ndalesë të punës së furrave të kombinatit dhe në të njëjtën kohë paralelisht të punohet në vendosjen e filtrave, sepse sipas tyre ekziston mundësi ligjore i cili parashikon të vazhdojë puna deri në muajin e katërt të vitit 2019.

Kryetari i Organizatës Sindikale “Jugohrom Alzar”, Bajram Amiti, tha se ata si të punësuar në Jugohrom nuk kërkojnë që të kombinati të punojë pa filtra deri në vitin 2019, por kërkojnë vazhdimin e afatit për vendosjen e filtrave për një kohë 18 mujore, në të cilën siç theksoi ai, do të arrijnë t’i vendosin filtrat.

“Apeloj tek organet kompetente që në mënyrë pozitive të marrin vendime për fatin e Jugohrom-it, por të marrin parasysh edhe fatin e 700 të punësuarve në këtë kombinat, familjet e tyre, përfshirë edhe kontributin e kombinatit në ekonominë lokale dhe kombëtare”, tha Amiti.

Amiti shtoi se në mënyra të ndryshme do të vazhdojnë të kërkojnë nga Qeveria tërheqjen e vendimit për pezullimin e punës së këtij kombinati, por nuk tregoi detaje se në çfarë mënyrë do të shprehin revoltën e tyre.

Kombinati “Jugohrom” qëndron i mbyllur që nga 2 nëntori i vitit të kaluar për shkak se Inspektorati i Mjedisit Jetësor vendosi ndalesë për punën e furrave të kombinatit në afat prej 90 ditësh për mosrespektimin e afatit për vendosjen e filtrave. Ditën e djeshme, inspektorati solli vendim për vazhdimin e ndalesës për punë edhe për 90 ditë të tjera.

Para mbylljes së kombinatit, qytetarët e Tetovës të revoltuar nga gjendja e keqe ekologjike në qytet, disa herë dolën në rrugë për të kërkuar nga organet kompetente të ndërmarrin masa për zvogëlimin e ndotjes së ajrit në këtë rajon, ku kombinatin “Jugohrom” i cili punonte pa filtra ata e konsideronin si ndotës më të madh në rajonin e Pollogut.

Kombinati “Jugohrom” i cili prodhon çelik, hekur dhe legura hekuri funksionon që nga viti 1952 dhe sipas ekspertëve që nga ajo kohë ky kombinat konsiderohet ndotësi më i madh për rajonin e Pollogut.

Në vitin 2005 Qeveria e Maqedonisë miratoi ndryshime ligjore, ku ndotësit duhet të plotësonin standardet ekologjike me afat deri më 1 prill të vitit 2014, ndërsa “Jugohrom” disa ditë para skadimit të afatit kërkoi më shumë kohë nga qeveria, e cila vendosi afatin e fundit për plotësimin e standardeve ekologjike deri më 31 tetor 2014.

Pas kësaj date, autoritete kompetente Jugohrom-it i dhanë edhe disa afate të tjera, mirëpo kombinati vazhdoi punën deri më 2 nëntor të vitit të kaluar, kur Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor solli vendim t’i ndërpriten të gjitha furrat për shkak të mosrespektimit të afatit të fundit për vendosjen e filtrave.

Artikulli paraprakMeta: Jam i shqetësuar për situatën në Maqedoni
Artikulli vijuesIrani nuk jep viza për amerikanët