Një tërmet i fuqishëm ka goditur disa pjesë të Afganistanit dhe Pakistanit në mbrëmjen mes të premtes dhe të shtunës. Sipas raporteve nga terreni paraprakisht nuk ka informacione nëse ka të vdekur, por theksohet se mbi 40 persona janë lënduar, raporton Anadolu Agency (AA).
Epiqendra e tërmetit, magnituda e së cilit ishte 6.3 ballë sipas shkallës së Rihterit, ishte në provincën verilindore afgane Badakshan, në kufi me Pakistanin dhe Taxhikistanin.
Numri më i madh i të lënduarve është në qytetin pakistanez Peshawar ku ndodhi edhe shembja e mureve të disa shtëpive. Zëdhënësi i ndihmës së shpejtë, Bilal Ahmed Faizi tha se 41 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Ende nuk ka informacione për të lënduar eventual në rajonet e tjera ku tërmeti ishte i fuqishëm.