Thirrja për të rishikuar historinë

Historiani i njohur shqiptar, Kristo Frashëri, e vlerësoi si të panevojshme thirrjen e autoriteteve për të rishikuar historinë. Profesori 92-vjeçar tha se historianët janë vetë të kujdesshëm për këtë çeshtje dhe të gjithë kanë reflektuar, veçanërisht tani në 100-vjetorin e Pavarësisë.

“Shpallja e pavarësisë është një ngjarje e rëndësishme historike, madje mund të them si historian se ajo është ngjarja më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Shpallja e pavarësisë është si lindja e një fëmije, është rezultat i një procesi të gjatë ekonomik, politik, shoqëror dhe kulturor. Është dalja e një populli në arenën e historisë si një popull i pavarur me vlerat, meritat edhe me dobësitë e veta”, tha Frashëri në një intervitë për Zërin e Amerikës.

I pyetur se cili është komenti juaj lidhur me debatet dhe kërkesat që dëgjohen në qarqet shtetërore, politike dhe akademike për nevojën e një rishikimi të historisë, veçanërisht për disa ngjarje dhe figura të caktuara në historinë e Shqipërisë, Frashëri ka thënë se thirrja për të rishikuar historinë është krejt pa vend.

“Historia qysh kur ka lindur ka ndjerë nevojën e rishikimit. Jo sot, por qysh në kohën antike gjenden tekste që e rishikojnë historinë. Aq më tepër sot kur historiografia, si mjeshtëri e të shkruarit, ka edhe kërkesat e veta që ndryshojnë sipas kohës. Prandaj, kërkesa apo thirrja për të rishikuar historinë nuk më duket e drejtë. Ose më mirë të them, është pa vend. Historinë e shkruajnë historianët në të njëjtën kohë në mënyra të ndryshme”.

“Tjetër punë është historia që mësohet në shkollë. Ajo është unike. Atë duhet ta miratojë jo qeveria, por duhet ta miratojë akademia, e cila supozohet që të jetë jashtë politikës. Sepse edhe qeveria ka preferencat e veta për të kaluarën, për partitë, për njerëzit. Nuk është nevoja që t’u bëhen thirrje historianëve. Unë e kam rishikuar historinë pa më thirrur kurrkush. Edhe kolegët e mi e rishikojnë historinë pa i thirrur kurrkush”.

“Prandaj, do të bëjë mirë politika, dhe e ka për detyrë, të mos ndërhyjë në shkrimet historike; të mos thotë kjo vlen, ajo s’vlen. Qeveria nuk ka për detyrë ky vlen dhe ai nuk vlen; se për shembull Fan Noli është figurë e madhe, ose është një figurë jo e madhe. Këtë nuk i takon ta vlerësojë një qeveria demokratike. Qeveritë që flasin për këto dhe ndërhyjnë, e shkelin parimin demokratik të paanësisë së historisë si shkencë”.kohaislame

Artikulli paraprakASADI “NUK MERITON TË JETOJË”
Artikulli vijuesShqiptari në krye të armatës maqedonase