Edmond Sharka
Tirana, qendra e mbarë shqiptarëve prej rreth një shekulli, ku sytë e tyre janë drejtuar për të parë ndryshimin për mirë të shqiptarëve kudo që janë, qyteti i cili pësoi një rritje të paparashikuar nga një dekadë në tjetrën gjatë gjithë shekullit XX dhe dekadën e parë të shek. XXI, sa i përket sipërfaqes, popullsisë, teknologjisë, zhvillimit, kulturës, artit, fesë, ndërtimtarisë, etj., gjithashtu dhe qyteti që më parë nga të gjithë qytetet tjera shqiptare ia fshinë memorien historike, më shpejt se çdo qyteti tjetër, dhe në këtë mënyrë vepruan me mbarë Shqipërinë veçanërisht gjatë periudhës së komunizmit, prandaj dhe zhvillimi i këtij qyteti është kaotik, jo i planifikuar.
Por më e keqja është se e njëjta gjë vërehet edhe përgjatë 20 viteve të fundit, një tendencë kaotizmi të vazhdueshëm, një fshirje e së kaluarës së saj shekullore të lavdishme, ku myslimanët e ngritën këtë qytet duke e zhvilluar ngadalë, duke i hapur derën gjithsecilit që kërkoi të jetojë në të, duke u bërë Kryeqyteti i vetëm që solli stabilitetin politik të vendit (1912-1920) etj. Ndërkohë këta myslimanë dhe objektet e tyre, vend-faljet, pra xhamitë, gjithmonë janë sulmuar, fillimisht përgjatë disa dekadave nga komunistët dhe tashmë gjatë dy dekadave të fundit nga ‘papagajt’ e mediave, që e quajnë veten ‘intelektualë’, ‘zëri i popullit’, ‘arkitektë’, ‘ambientalistë’, ‘analistë’ etj., ndërkohë përkrahin nisma të shumta degjeneruese për shoqërinë shqiptare. Kur vjen çështja te myslimanët, për të kryer ritet e tyre fetare, pikërisht këtu u prishet terezia, ankohen për minaret e xhamive kudo ku janë në mbarë trojet shqiptare duke iu përkushtuar Zotit me adhurim, se pikërisht këto na qenkan të larta dhe na paskan ndryshuar identitetin real të shqiptarëve. Zëra që dalin kundër ndërtimit të XHAMISË SË MADHE, duke u lemerisur dhe duke u tmerruar se po bëhet hataja “po ndërtohet Xhamia në truallin historik të saj”, xhami e cila po ndërtohet për nevojat imediate të myslimanëve, me financat e vetë atyre, madje me konsultim të mbarë shoqërisë që të bëhet një ndërtim sa tradicional aq dhe modern, të ruhet sa më shumë gjelbërimi dhe jo të abuzohet.
Si qëndron e vërteta mbi Xhamitë e Tiranës?!
Në këto pak rreshta po paraqesim fakte për një pjesëz fare të vogël të historisë së fshirë qëllimisht të qytetit të Tiranës. Michel Kiel, shkruan se: Prania e një xhamie dhe një tregu ishin dy tiparet kryesore që e dallonin ligjërisht fshatin osman nga një qytet i vogël.[1]
Me një vlerësim të çuditshëm për objektet e kultit islam dhe mënyrën se si një vendbanim bëhet qytet flasin dhe studiuesit e periudhës komuniste, edhe pse duken qartazi ngjyrat ideologjike të sulmit ndaj fesë. Po citojmë një paragraf të gjatë të këtij vlerësimi për t’i qëndruar korrekt tekstit dhe kuptimit të qartë të tij: “Ndërtimet e kultit musliman me përhapjen e tyre në tërë territorin musliman përbëjnë një fenomen arkitektural me rëndësi. Ata vazhdojnë dhe japin vlerësim e tyre real se: Gjatë shek. XVI-XVII xhamitë bëhen objekte përcaktuese në ndërtimin e qendrave të qyteteve. Ato ndërtoheshin në pjesën më aktive të qyteteve, pranë tregut dhe ndërtimeve të tjera publike të veçanta, ose në komplekset arkitekturale me objektet e mësipërme apo dhe ndërtime të tjera kulti, madje me kohë dhe me shtimin e tyre, brenda qendrës së qytetit ndërtoheshin edhe mjaft xhami të tjera. Krahas xhamive të mëdha ndërtoheshin të tjera modeste nga përmasat, mesxhidet, kryesisht në lagjet e ndryshme të qytetit të banuara nga popullsi e besimit islam. Në aspektin tipologjik xhamitë që fillojnë të ndërtohen në vendin tonë janë dy llojesh, xhami me sallën mbuluar me kupolë dhe xhami të mbuluara me çati druri.”[2] Ky ishte vlerësimi i studiuesve, ndërkohë që po në të njëjtat studime vlerësimi i Partisë për fenë Islame dhe objektet e kultit ishte se: “Pushtuesit Osmanë sollën në Shqipëri një varg ndryshimesh në sferën idologjike dhe kulturore, si islamizimin me diskriminimin e tij fetar e shoqëroro-politik ndaj masës më të madhe ndaj popullsisë vendase[3] dhe se të gjitha faltoret na kujtojnë përpjektjet qindravjeçare që zhvilluan sundimtarët e huaj dhe klasat shfrytëzuese për t’i mbajtur masat popullore në robërinë e tyre politike, në zgjedhën e shfrytëzimit feudal, dhe në hallkat e skllavërisë moderne. Por partia jonë e ka parë luftën kundër fesë si mjet të domosdoshëm për çlirimin shoqëror.”[4] Ndërkohë vlerësimi për të vetmin objekt kulti të ruajtur nga periudha osmane ishte se: “Për vlerat arkitektonike, urbanistike-historike dhe artistike, sot këtë xhami (të Et’hem Beu-t) e shohim si monument kulture edhe si një dëshmi e nivelit të lartë ndërtimor të mjeshtrave tanë duarartë popullor.”[5]
Pra duket qartazi që komunistët vërtet i vlerësonin objektet arkitekturore të ndërtuara nga osmanët si vepra me vlera të larta e të mëdha historike dhe arkitekturore, por sulmonin osmanët dhe fenë Islame, duke ia dedikuar këto ndërtime ‘popullit shqiptar’, në emër të të cilit kanë vepruar gjithmonë me krimet e tyre teoriko-ideologjike, por dhe vrasjet reale. Të njëjtën logjikë ndjekin dhe ‘pasardhësit’ e tyre sot, ku në emër të popullit kritikojnë, sulmojnë dhe vjellin vrer për gjithçka që bie ndesh me ideologjinë e tyre, apo interesat e tyre meskine.
Shumë pak shqiptarë e dinë që pikërisht Tirana ashtu si shumë qytete të tjera shqiptare, e filluan jetën e tyre urbane nga ndërtimi i Xhamisë. Ishin myslimanët të cilët ngritën faltoret e tyre dhe njëkohësisht nisën jetën e qytetit të Tiranës, më saktë për Tiranën: “Xhamia e Sulejman Pashës në vitin 1614 shënoi themelimin e qytetit të Tiranës, e quajtur ndryshe dhe si Xhamia e Vjetër, një monument i rrallë i kultit dhe kulturës.”[6]Ndërsa arkitektët objektivë japin vlerësimin se: “Për Tiranën xhamitë luajtën rol pozitiv nga pikëpamja urbanistike. Pikërisht, ndërtimi i xhamisë së Sulejman Pashës, së bashku me banjat publike (hamamin), hotelin (hanin) dhe furrën e bukës, simbolizon nga pikëpamja historiko-arkitektonike lindjen e qytetit të Tiranës.”[7] Po në të njëjtën logjikë vlerësimi dhe argumentimi është dhe historiani i njohur Kristo Frashëri, i cili në studimin e tij për Tiranën si qytet, thotë se: “Ndërtimi i katër objekteve me në qendër xhaminë nga Sulejman Pasha solli dhe kthimin e Tiranës nga fshat në qytet me datën e skalitur në hyrjen e xhamisë së vjetër në vitin 1614.”[8]
Mbështetur në të dhënat historike dhe vlerësuar nga arkitektë të urbanistikës, bërthama e parë e qytetit lindi dhe hodhi shtat së bashku me xhaminë e vjetër të Sulejman Pashës (1614), në qendër të strukturës së sotme të Tiranës, sot Partizani i Panjohur dhe sheshi para e rreth tij.
Bërthama e dytë e qytetit u krijua në fillim të shek. XVIII rreth xhamisë së Firës, 600 m në Veri-Perëndim të xhamisë së parë (sot Shkolla J. De Rada). Kjo ndërtesë e amortizuar u rindërtua në themelet e saj në vitin 1859.
Bërthama e tretë ndërtohet në verilindje të bërthamës së parë, rreth xhamisë së Zaimit në 1775, e shembur për nevoja urbanistike pas Luftës së Dytë Botërore, fatin e të cilës do ta kishin shumë xhami të tjera.
Bërthama e katërt nis me fillimin e ndërtimit të xhamisë së Et’hem Beut (1794-1821), e vendosur aty ku ndodhet edhe sot. Në këtë logjikë në pika të ndryshme, gjithnjë në një distancë të afërt me bërthamën e parë vazhdojnë dhe vendosen me radhë bërthamat e tjera të qytetit gjithmonë me qendër një xhami, si ajo e Stërmasit (1840), e Kokonozit, e Bërxollit të shek. XIX, e Karapicit 1858, e Mujos, e Reçit e kështu me radhë, duke lëvizur në mënyrë centrifugale nga qendra në periferi e përsëri në qendër.[9]
Evlija Çelebiu që në shek. XVII thotë se: “Tirana bën pjesë në administratën e Ohrit, ndodhet në një fushë shumë të gjerë, ka shumë xhami, hane, hamame, dyqane e kopshte.”[10] Por të gjithë këto argumente të shumtë pjesërisht janë fshirë nga memoria e Tiranës, janë sfumuar nga kujtesa e shoqërisë, dhe ajo që ka ngelur është vetëm Arkitektura Urbane e skicuar nga italianët gjatë periudhës së Mbretërisë, dhe ndërtimet e shëmtuara të regjimit komunist gjatë viteve 1945-1990. Prandaj “Xhami që mbanin mbi vete copëza të rëndësishme të historisë së Tiranës, u shkatërruan sistematikisht, për të shkëputur lidhjet me të kaluarën dhe t’i përgjigjeshin kushteve dhe rrethanave të reja, të krijuara nga ideologjia komuniste, pranimet e kësaj ideologjie ndoqën dhe arkitektët dhe drejtuesit e urbanistikës duke shkatërruar Pazarin e Vjetër, godinën e Bashkisë, shumë xhami, duke i zhdukur dhe gurët e themelit.[11] me qëllimin e vetëm për t’i ndryshuar identitetin e vërtetë Tiranës që kishte fillimet e saja si qytet pikërisht nga fetarët, pikërisht nga myslimanët dhe pikërisht me ndërtimin e xhamisë.
Tabela e mëposhtme na freskon kujtesën për të gjitha xhamitë që Tirana ka patur që gjatë viteve 1614 – 2013, për 4 dekada me radhë, më pas gjithsecili mund të bëjë vetë vlerësimet se cili është me të drejtën dhe se çfarë meriton Tirana në të vërtetë, nëse e meriton një apo më shumë xhami, të mëdha apo të vogla ska shumë rëndësi, se sa borxhli janë pushtetarët dhe mbarë ata që shkatërruan xhamitë kundrejt këtyre xhamive dhe mbarë myslimanëve.
Nr. | Emërtimi | Vendndodhja | Viti i ndërtimit | Gjendja aktuale |
1 | Kompleksi i Xhamisë Sulejman Pasha | Partizani i Panjohur | 1614 – 1950 | Monument-shesh |
2 | Xhamia e Balit (mesxhid) | Rr. Mihal Grameno | fund shek.XVII – 1967 | Banesë private |
3 | Xhamia e Met Firës (e Beshirëve) | Rr. Barrikadave | 1707 – 1960 | shkolla Sami Frasheri |
4 | Xhamia e Mujës (e Sherif) (mesxhid) | Rr. Budi pranë Q. Studenti | 1737 – 1970 | Banese shumëkateshe |
5 | Xhamia e Kokonozit | Xhamia e Pazarit të Ri | 1750/60 -1930 * 1933- | Xhami |
6 | Xhamia e Zajmit | Rr. Thanas Ziko | 1777 – 1967 | Banese shumëkateshe |
7 | Xhamia e Stërmasit (e Pazarit) | Rr. Barrikadave | 1840 – 1960 | Lulishte pranë qendrës |
8 | Xhamia e Sherif Mëhallës (Tabakëve) | Xhamia e Tabakëve | Shek. XVIII – | Xhami |
9 | Xhamia e Karrapicëve (e Esnafit) | Sheshi Skëderbej VP | shek.XVIII – 1930 | Muzeu Historik Kombëtar |
10 | Kompleksi i Xhamisë Et’hem Beut | Po aty | 1821 – | Xhami |
11 | Xhamia e Vathit (mesxhid) | Rr. Qemal Stafa | gjysma e dyte shek.XIX–1966 | Banese shumëkateshe |
12 | Namazgjaja | Po aty | Shek. XIX – | tokë e lire |
13 | Xhamia e Haxhi Jasës | Blv. Zogu i Pare | ? – 1930 | Materniteti GERALDINE |
14 | Xhamia e Islam Allës | Rr. Fortuzi | ? – 1966 | Shkolla Jeronim De Rada |
15 | Xhamia e Bamit | Te Varri i Bamit | ? – 1967 | Banesë 5 kateshe |
16 | Xhamia e Bërxollit | Rr. Ali Pashë Gucia | ? – 1967 | Banese shumekateshe |
17 | Xhamia e Sheh Zelës (mesxhid) | Rr. Shyqyri Bërxolli | ? – 1967 | Shkolla Kostandin Kristoforidhi |
18 | Xhamia me Teneqe (e familjes Sharofi) | Rr. Hoxha Tahsini | ? – 1967 | Banese shumekateshe |
19 | Xhamia e Sheh Voglit (mesxhid) | Rr. Vllazën Huta | ? – 1967 | Banese shumekateshe |
20 | Xhamia e Merjes | Te Sanatoriumi i Vjetër | Nga të vjetrat (?) | ( ? ) |
21 | Xhamia e Sheh Muharremit | Në lagjen ‘Islam Efendi’ | Nga të vjetrat (?) | ( ? ) |
22 | Xhamia e Toqit (Tocit) | Në lagjen Abdullah Bej | Nga të vjetrat (?) | ( ? ) |
23 | Xhamia pa emër | Nga të vjetrat (?) | (?) | |
24 | Xhamia ‘Dine Hoxha’ ose (H. Mahmud Dashi) | Po aty | 1933- | Xhami |
25 | Xhamia e Çullhajve | Kombinat | Përfundoi ndërtimi në1993 | Xhami |
26 | Kompleksi i Xhurës | Ku është dhe sot | Përfundoi ndërtimi në1996 | Xhami |
27 | Xhamia në Bllokun Al-Mak | Laprakë | Përfundoi ndërtimi në1998 | Xhami |
28 | Kompleksi i Medresesë | Te Medreseja sot | 1924 kompleksi -2001 xhamia | Medrese |
29 | Xhamia Manallari | Unaza e Re | Përfundoi ndërtimi në 2007 | Xhami |
30 | Xhamia te Kopshtit Zoologjik | Prane Kopshtit Botanik | Qershor 2013 | Xhamia më e re në Tiranë |
31 | Komuniteti Musliman Shqiptar | godina e sotme e KMSH-s është e treta që nga 1923 |
Nga kjo tabelë e nxjerrë mbas një hulumtimi të gjatë rezulton se:
– Nga viti 1614 – 1920, janë ndërtuar dhe kanë funksionuar mbi 24 xhami dhe Namazgjaja. Nuk është prishur për asnjë arsye asnjë xhami, janë rrënuar nga amortizimi disa por që janë rikonstruktuar apo ndërtuar nga e para nga xhemati, fise apo dhe individë, emrin e të cilëve ka marrë xhamia më pas.
– Nga viti 1920 – 1939, është ndërtuar vetëm 1 xhami e re, janë rindërtuar jo më shumë se 3 xhami, janë prishur si shkak i planifikimit urban 2 xhami. Kjo qe periudha në të cilën filloi amortizimi i xhamive, moskujdesja nga shteti për to, madje kemi për herë të parë prishjen e xhamive nga vetë shteti me preteksin e planifikimit urban.
– Nga viti 1939 – 1970. Gjatë Luftës së Dytë Botërore si shkak i bombardimeve kemi shkatërrimin e plotë apo të pjesshëm të disa xhamive. Partia e Punës e ardhur në pushtet mbas Luftës (1945) gjënë më të mirë që ka bërë gjatë qeverisjes së saj, normalisht për syfaqësi, ishte rindërtimi apo rikonstruktimi i 2-3 xhamive, me iniciativën e myslimanëve apo individëve që kishin reputacion në instancat shtetërore, por kjo do të ishte vetëm fillimi pasi deri në 1967 PPSH që drejtonte Shtetin Shqiptar, prishi e shkatërroi gjithçka nga Tirana e Vjetër, duke ia ndryshuar identitetin fetar dhe fizionominë që e karakterizonte që nga themelimi.Rreth 20 xhami u shkatërruan totalisht dhe në to u ndërtuan shkolla, banime të reja, lulishte, etj. Fatin më të mirë e kishin ato xhami që nuk u prishën por iu ndryshua funksioni, si: Xhamia e Et’hem Beut, Xhamia e Tabakëve, Xhamia e Dine Hoxhës, Xhamia e Kokonozit, Namazgjaja dhe Medreseja ku është dhe sot.
Nga viti 1990 – 2014. Nga xhamitë e ndërtuara që para Luftës së Dytë Botërore mundën të riktheheshin pas një gjendje të mjerueshme që kishin kaluar vetëm 5 nga mbi 20 xhami që kishin ngelur në Tiranë pas Luftës, ndërsa të gjitha xhamitë e tjera të shkatërruara nga sistemi komunist, rrënojat e të cilave u mbuluan nga pluhuri i harresës. Gjatë dy dekadave të fundit (1990-2013) në Tiranë, janë ndërtuar vetëm 6 xhami të reja. Pra kryeqyteti me një popullsi prej 1 milion banorësh, që gurëthemelin e tij si qytet kishte pikërisht xhaminë, ka sot në total jo më shumë se 10 xhami dhe 2-3 mesxhide (salla të vogla për falje), i përpjestuar në numër popullsie rreth 100.000 banorë kanë vetëm 1 xhami. Ndërkohë sipas Teki Selenicës nga të dhënat e marra në vitin 1927, Rrethi i Tiranës kishte 82 xhami dhe 95 hoxhallarë, 24 xhami ka patur vetëm qyteti i Tiranës, ndërsa popullsia ishte jo më shumë se 35.000 banorë,[13] prej të cilëve 33.329 ishin myslimanë, dhe raporti xhami popullsi ishte një xhami për rreth 1.400 banorë.
Mbas këtyre rreshtave, mbi këtë çështje gjithkush që dëshiron më shumë informacion të konsultojë literaturën e cituar, dhe se tashmë gjithsecili është i aftë të japë gjykimin e tij; Nëse vërtet Xhamia e Madhe është e dëmshme për Tiranën apo pushtetarët ia kanë borxh mbi 15 xhami kësaj Tirane, dhe se ndërtimi i kësaj xhamie ka 20 vite që pengohet dhe pikërisht penguesit duhet të njohin kontributin e myslimanëve për qytetin e Tiranës, dhe minimalisht t’’i kthejnë apo t’i kompensojnë vendet-sipërfaqet e xhamive.