Donald Trump është kandidati favorit republikan në garën presidenciale amerikane, dhe ky fakt ka ushqyer edhe më tej vetëbesimin e manjatit të pasurive të paluajtshme. Miliarderi shfrytëzoi një aktivitet elektoral në prag të zgjedhjeve paraprake të Nevadas, për ta cilësuar si të sëmurë rivalin e tij, Ted Cruz. Ai pati gjithashtu një reagim tejet të ashpër ndaj një protestuesi, për të cilin tha se do të donte ta qëllonte me grusht në fytyrë.
Sjellja e tij e ekzagjeruar, madje edhe për vet standardet e Trumpit, ka alarmuar ata që i druhen fuqizimit të një demagogu, i cili prin garën republikane në Nevada dhe shtete të tjera.
“Ky njeri gënjen më shumë se çdo qenie tjetër njerëzore. Ai ngre lart Biblën dhe gënjen”, tha ai për Cruz, transmeton Tch.
Trump shkoi më tej, duke e quajtur atë hipokrit dhe të sëmurë.
Cruz, i cili kërkon të konsolidojë pozicionin e tij në garë si një konservator i vërtetë, ditët e fundit ka intensifikuar sulmet kundër Trumpit, duke sugjeruar se ai nuk është një konservator.
Pasi një prej personave të pranishëm i ndërpreu fjalën biznesmenit, Trump nuk u përmbajt dot duke folur haptazi për dhunë.
“Në të shkuarën, njerëz si ai do të ishin nxjerrë jashtë me barelë”, pohoi miliarderi. Pasi vuri re se protestuesi po buzëqeshte ndërsa shoqërohej nga forcat e sigurisë, republikani tha se do të donte ta qëllonte atë me grusht në fytyrë.
Ndërkohë, senatori Ted Cruz shkarkoi nga detyra shefin e fushatës së tij elektorale, i akuzuar se ka përhapur një lajm të rremë, sipas të cilit, rivali Marco Rubio në njëfarë mënyre kishte mohuar rolin e Biblës, si burim i të gjitha përgjigjeve. Rasti tregon jo vetëm lojën e pistë që po bëhet në këtë garë, por edhe mbi çështje mjaft të nxehta në kampin republikan.