Turpi i raportit të Amnesty International: Nuk e përmend askund arrestimin e hoxhallarëve

Në raportin e fundit për vitin 2014 të Amnesty International, kur flet mbi të drejtat dhe liritë e njeriut askund në raport nuk e cek arrestimet e disa besimtarëve mysliman dhe disa hoxhallarëve, të cilët pas arrestimit për më shumë se 3 muaj, u shpallën të pafajshëm duke ju larguar të gjitha akuzat.
Kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, e sidomos një grupi të cilët bartin një bakground fetar. Në raport përmendet kalimthi përmenden sulmi “ekstremist” ndaj asaj që ndodhin në “natën e Sexyt” të organizuar nga Kosovo 2.0, ndërsa përgjegjësin e sulmit e kanë marrë plisat, ata etiketohen si ekstremist fetar.
Për më shumë lexojeni raportin e plotë për Shqipëri dhe Kosovë, të përkthyer nga “Zëri i Amerikës”. Raporti mbi Kosovën është futur në një kapitull me Serbinë së bashku!
 
“Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International, thekson në raportin vjetor se dhuna familjare në Shqipëri mbetet e përhapur dhe të mbijetuarit e saj rrallë përfitojnë nga drejtësia. Atje vazhdon mosndëshkimi në rastet e torturës dhe keqtrajtimit. Qasja në strehim të përshtatshëm për njerëzit që jetojnë në varfëri, përfshirë romët, mbetet shumë e kufizuar përkundër zotimeve të qeverisë. Ish kazermat e parapara për t’u shndërruar në strehim të përkohshëm për të dëbuarit, nuk i përmbushin standardet ndërkombëtare.
Në qershor, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, i miratoi Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke e kushtëzuar atë me reformat e mëtejshme në drejtësi, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e romëve, politikat kundër diskriminimit dhe zbatimin e të drejtave në pronë. Parakalimi i parë i krenarisë në Shqipëri ndodhi në muajin mars.
Amnesty vëren se vendndodhja e trupit të Remzi Hoxhës, një shqiptar etnik nga Maqedonia i cili u zhduk me forcë në vitin 1995 nga agjentët e sigurimit shtetëror, nuk iu tregua të birit, pavarësisht nga deklaratat e kryeministrit në vitin 2013 se vendndodhja e varrit të tij do të  identifikohet.
Prokurorët shqyrtuan rastin e Aleks Nikës, një demonstrues i cili vdiq pasi u qëllua gjatë demonstratave kundër qeverisë në janar të vitit 2011 në Tiranë. Në muajin maj, oficerët e policisë të cilët dyshoheshin për keqtrajtimin e disa demonstruesve gjatë dhe pas protestave, u morën në pyetje. Në korrik, prokurori shtetëror ngriti akuza kundër ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së dhe zëvendësit të tij për dështimin e arrestimit të gjashtë oficerëve të Gardës së Republikës të dyshuar së kanë shtënë kundër demonstruesve.
Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Autoriteti Kombëtar i Strehimit, propozuan shtimin e numrit të banesave sociale dhe qasjes për ata me strehim të papërshtatshëm. Në muajin shkurt, ministria paraqiti një strategji të re të strehimit për të përfshirë romët dhe egjiptasit, për të nxitur legalizimin e strehimeve joformale dhe për të përmirësuar qasjen në ujë të pijshëm  dhe kanalizime. Megjithatë, një përparim i paktë është shënuar. Në muajin mars të vitit 2014, ish kazermat në Shishtufinë afër Tiranës, formalisht u parapanë si Qendër kalimtare për viktimat e dëbimeve. Mbi 50 familje Rome, të dëbuara nga Rruga e Kavajës në Tiranë, u vendosën në Shishtufinë në tetor të vitit 2013. Kushtet në qendër, që ndodhet larg burimeve të punësimit dhe shërbimeve elementare, ishin të papërshtatshme dhe nuk ishin në pajtim me standardet ndërkombëtare të strehimit. Në ditën ndërkombëtare të Romëve në muajin prill, rreth 100 familje Rome të rrezikuara për t’u dëbuar nga Selita në Tiranë, protestuan duke kërkuar strehim alternative.
Qeveria hodhi poshtë një amendament të propozuar në ligjin për legalizimin e ndërtimeve të paligjshme në muajin maj, e kërkuar në një peticion të nënshkruar nga 6 mijë romë dhe egjiptas, që bënte thirrje për mbrojtje procedurale kundër dëbimit të detyruar dhe strehim të përshtatshëm alternativ. Në korrik, Komiteti i OKB-së për të drejtat e njeriut lëshoi një masë të përkohshme të mbrojtjes për pezullimin e prishjes së shtëpive të shtatë familjeve rome në Elbasan, në pritje të dëgjimit të ankesave dhe kërkesës për kompensim.
Qeveria dështoi të garantojë të drejtën ligjore të jetimëve të pastrehë për përparësi në strehimin social. Në muajin maj në ditën kombëtare të jetimëve, ata protestuan duke kërkuar qasje në arsim dhe strehim dhe duke e cilësuar tallëse mbështetjen sociale të siguruar nga shteti.
Mosndëshkimi përgjithësisht ka përshkuar edhe akuzat për keqtrajtime nga ana e oficerëve përgjegjës për zbatimin e ligjit. Në maj, parlamenti prezantoi një shërbim të ri për çështjet e brendshme dhe ankesa për të luftuar korrupsionin në radhët e policisë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Në gusht, shefi i sektorit të Rendit Publik e Policisë së Shtetit në Kukës, u akuzua për shpërdorim të detyrës, privim të paligjshëm nga liria dhe për keqtrajtimin e një të burgosuri.
Ish të burgosurit politik organizuan një grevë urie për shkak të dështimit të qeverisë për kompensimin e drejtë për burgosjen e tyre nga qeveria komuniste ndërmjet viteve 1944 – 1991, kur mijëra veta ishin burgosur apo dërguar në kampe të punës ku u ishin nënshtruar torturave dhe keqtrajtimeve.
Në qershor Këshilli i Lartë i Drejtësisë publikoi një përmbledhje të rasteve të dhunës në familje nga 38 gjykata dhe ndryshimet e rekomanduara në ligjin dhe praktikën gjyqësore. Ai gjeti se procedurat penale ishin të ngadalshme dhe gjykatat shkelnin afatet procedurale shqyrtimin e urdhrave të mbrojtjes dhe dhënien e vendimeve. Deri në fund të muajit shtator, 3 mijë e 94 incidente të dhunës familjare janë raportuar në polici, ku gratë ishin viktima në shumicën dërmuese. Vetëm një e treta e rasteve (rreth 1 mije e 200) iu nënshtruan procedurave penale.
Deri në fund të shtatorit, një mijë e 882 gra kishin kërkuar masa mbrojtëse në procedura civile, por në Gjykatën e Qarkut në Tiranë, për shembull, më shumë e dy të tretat e kërkesave janë tërhequr apo ndërprerë. Ndërsa në rastet kur janë lëshuar urdhrat e mbrojtjes, shpesh nuk janë zbatuar.
Nën trysninë e Bashkimit Evropian, Shqipëria zhvilloi një strategji të re të menaxhimit të kufirit. Mbi 500 migrues të paligjshëm dhe refugjatë, përfshirë sirianët, janë arrestuar në periudhën ndërmjet janarit dhe qershorit. Të tjerë janë kthyer në Greqi pa qasje në procesin e strehimit. Deri në fund të muajit shtator, mbi 12 mijë shqiptarë kanë paraqitur kërkesa për strehim në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, duke paraqitur si shkak dhunën familjare dhe diskriminimin ndaj komunitetit LGBT dhe romëve, thuhet në pjesën për Shqipërinë në raportin e Amnesty International.
Gjendja në Kosovë
Amnesty International shkruan se pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në qershor, Partia Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Hashim Thaçi, nuk arriti të fitojë një shumicë mbi një koalicion të partive të opozitës, duke çuar kësisoj në një bllokadë politike. Në dhjetor, u formua një qeveri koalicioni me Isa Mustafën e Lidhjes Demokratike të Kosovës si kryeministër. Atifete Jahjaga, vazhdoi punën si presidente. Nga qershori, bisedimet me Serbinë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, vazhduan vetëm në nivel teknik. Mandati I EULEX-it ua vazhdua deri në qershor të vitit 2016. Sipas marrëveshjes së re, gjykatësit ndërkombëtarë nuk paraqesin shumicën e trupave gjyqësore në rastet e krimeve të rënda. Përfaqësue
sja e lartë e BE-së në nëntor njoftoi hapjen e një hetimi të pavarur për akuzat për korrupsion kundër një gjyqtari të EULEX-it.
Në raport thuhet se tensionet ndëretnike kanë vazhduar, posaçërisht në veriun e banuar me shumicë serbe. Disa politikanë serbë nuk janë lejuar të hyjnë në Kosovë, ndërsa serbët e Kosovës, përfshirë edhe të kthyerit në komunën e Klinës, ishin cak i sulmeve, përfshirë zjarrvëniet në pronat e tyre, sulmet në varreza dhe objekte fetare, që u shtuan pas ndeshjes së futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë në tetor. Në qershor, pas përleshjeve ndërmjet policisë së Kosovës dhe shqiptarëve që demonstronin kundër mbylljes së urës mbi lumen Ibër, që shënon vijën ndarëse ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Mitrovicë, policët e EULEX-it përdorën plumba gome. Përdorimi i tyre ishte ndaluar nga Misioni i OKB-së në Kosovë, pasi që dy veta kishin vdekur nga pasojat e tyre në Prishtinë në vitin 2007.
Në korrik, grupi i posaçëm hetues i ngritur nga EULEX-i për të hetuar dyshimet ndaj ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bëri të ditur se individë do të akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasjet e paligjshme, rrëmbimet, burgosjet e paligjshme, krime të dhunës seksuale kundër civilëve serbë e shqiptarë të transferuar me forcë në Shqipëri në vitin 1999. Të dyshuarit do të akuzohen dhe gjykohen nga një gjykatë e posaçme që duhet të ngrihet jashtë Kosovës në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e dëshmitarëve. Në muajin tetor, dy dëshmitarë të mbrojtur, ndryshuan dëshmitë e tyre origjinale gjatë rigjykimit të shtatë anëtarëve të ish-UÇK-së, të njohur si grupi i Drenicës, të akuzuar për krime lufte kundër shqiptarëve në burgun e Likocit në vitin 1998.
Në shtator u hap rigjykimi ndaj Fatmir Limajt dhe nëntë të akuzuarve të tjerë për torturimin dhe keqtrajtimin e civilëve shqiptarë në burgun e Kleçkës në vitin 1999. Ata ishin liruar në shtator të vitit 2013, pas vetëvrasjes së një dëshmitari të mbrojtur në të cilën prokuroria kishte mbështetur rastin.
Politikani lokal serb Oliver Ivanoviç, i arrestuar në janar, u akuzua në muajin gusht për krime të luftës në vitin 1999 dhe nxitje për vrasje të rëndë në muajin shkurt të vitit 2000.
Në muajin mars, presidentja Atifete Jahjaga, themeloi Këshillin Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, për të trimëruar viktimat që të kërkojnë dëmshpërblim, çështje që u bë pjesë e një ligji të miratuar nga parlamenti më vonë gjatë muajit mars. Në qershor, Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin për lirimin e dy serbëve të Kosovës të dënuar për krime të luftës përkatësisht për  përdhunimin e një vajze 16 vjeçare në prill të vitit 1999. Ata u dënuan me 12 dhe 10 vjet heqje lirie.
Deri në muajin nëntor, një mijë e 655 njerëz ende llogariteshin të zhdukur gjatë luftës. Trupat e 53 shqiptarëve të Kosovës të zhvarrosura në Rashkë të Serbisë u kthyen në Kosovë dhe iu dorëzuan familjeve. UNMIK-u dështoi t’u ofrojë dëmshpërblim të afërmve të serbëve të zhdukur, siç rekomandohet nga Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut.
Qeveria dhe agjencitë shtetërore kanë ndikuar padrejtësisht mbi mediet përmes reklamave si burime për të ardhurat e tyre. Sulmet mbi gazetarët hulumtues kanë vazhduar. Visar Duriqi, gazetar i të përditshmes Express, ka marrë kërcënime serioze me vdekje pas raportimeve mbi grupet ekstreme islame. Asociacioni I gazetarëve të Kosovës, shfaqi shqetësimin se EULEX-i ka ushtruar trysni ndaj gazetarit të Kohës Ditore, Vehbi Kajtazi, që kishte raportuar mbi dyshimet për korrupsion në radhët e EULEX-it. Në muajin maj, kaloi pa incidente parakalimi i parë në Ditën ndërkombëtare kundër homofobisë.
Në mars, tre veta u dënuan me kusht për “shkelje të statusit të barabartë të banorëve të Kosovës” në lidhje me përfshirjen e tyre në një sulm në vitin 2012, ndaj revistës Kosovo 2.0 e cila publikoi shkrime mbi orientimin seksual. Askush nuk u vu para drejtësisë për një sulm ndaj një qendre LGBT një ditë më pas apo për kërcënimet e bëra në vitin 2013 kundër veprimtareve për te drejtat e njeriut për shkak të mbështetjes së ligjit për dëmshpërblimin e të mbijetuarave të përdhunimeve.
Romët, ashkalitë dhe egjiptasit, vazhdojnë të përballen me diskriminim sistematik në shkallë të gjerë, ndonëse janë marrë pak masa për integrimin e tyre. Rreth 360 familje (me rreth një mijë e 700 anëtarë) raportohet se kanë migruar nga Kosova deri në nëntor duke kërkuar strehim në Hungari. Planet për të ndërtuar shtëpi për romët ne fshatin Hereq të komunës së Gjakovës janë kundërshtuar nga banorët lokal.
Sipas Komisariatit të lartë të Kombeve të Bashkuara për refugjat, 17 mijë e 227 veta, shumica serbë të Kosovës, vazhdojnë të mbeten të zhvendosur që nga përfundimi i konfliktit të armatosur. Deri më 30 nëntor, vetëm 404 pjesëtarë të komuniteteve pakicë janë kthyer vullnetarisht në Kosovë, ku kushtet për ri integrimin e tyre mbeten shumë të papërshtatshme.
Deri në tetor, 11 mijë qytetarë të Kosovës kanë kërkuar strehim në Bashkimin Evropian, thuhet në raportin e Amnesty International.”
 
Artikulli paraprakAKP shpërndan mbi 1.3 milionë euro për 466 punëtorë
Artikulli vijuesTURQIZIMI I ARMIKUT TEK SHQIPTARËT