Turqia dhe Kosova ofrojnë mundësi për fëmijët me dhunti të veçanta

Shoqëria civile dhe qeveritë ndërmarrin hapat e parë për të ushqyer talentet e tyre.

Fëmijët me dhunti konsiderohen një pasuri për rajonin, por në Turqi dhe Kosovë mbështetja institucionale për zhvillimin e tyre ka dalë në pah vetëm kohët e fundit.

Radio televizioni shtetëror turk nisi në tetor një program javor mbi historitë e suksesit të fëmijëve me dhunti të veçanta për të rritur ndërgjegjësimin për ta dhe familjet e tyre.

Ndërkohë, komisioni për kërkimet mbi fëmijët me dhunti i parlamentit turk së fundi propozoi ndryshime ligjore që lejojnë nxënësit e jashtëzakonshëm të fillojnë kurset universitare me herët sesa zakonisht.

Halide Incekara, e cila ishte drejtuese e komisionit, tha për SETimes se mbështetja e të rinjve të talentuar është një përparësi për asamblenë.

“Komisioni ynë nënvizoi nevojën për nisjen e programeve të reja dhe efikase të çertifikimit për edukuesit në mënyrë që të mund të punojnë në mënyrë më efikase me këta fëmijë,” tha ajo.

Ekzistojnë 66 qendra të arsimit të veçantë në pronësi shtetërore, së bashku me një numër në rritje nismash të sektorit privat që synojnë fëmijët me dhunti të veçanta.

Megjithatë, ekspertët thonë se vendi ka nevojë për më shumë personel të specializuar dhe module arsimore për të plotësuar nevojat e tyre të veçanta. Paraqitja e një kuadri ligjor që rregullon statusin e fëmijëve me dhunti të veçanta do të ishte gjithashtu i dobishëm, thonë ata.

Në Kosovë, fëmijët me dhunti të veçanta kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen si të shoqërisë civile, ashtu edhe të qeverisë në vitet e fundit.

Tashmë, në shkollat publike nuk ka programe të përparuara arsimore për fëmijët me dhunti të veçanta, sipas Arbër Morinës, një këshilltar pranë ministrit të arsimit të Kosovës. Megjithatë, ministria e arsimit ka krijuar partneritete me Qendrën për Studime dhe Shërbime Psikologjike e Shoqërore jo-qeveritare, për të mbështetur programet për nxënësit e jashtëzakonshëm.

Programi, i quajtur ATOMI, synon të identifikojë dhe mbështesë fëmijët më të zgjuar të Kosovës nga klasa 8 deri 12. Ekzistojnë plane për t’a zgjeruar projektin derisa të mbulohen të gjitha fazat e arsimit deri në universitet.

Memorandumi i mirëkuptimit që drejton këtë partneritet përcakton se punonjës nga ministria dhe OJQ-ja duhet të bashkëpunojnë dhe ministria ofron hapësira për shkolla dhe klasa verore, por jo para.

“Ministria e Arsimit mbështet projektin ATOMI në forma të ndryshme, por jo financiarisht,” tha për SETimes Jusuf Berisha, i cili mbikqyr projektin.

Shkelzen Dragaj, zëdhënës për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, tha për SETimes se zyra e tij ka shtuar mbështetjen për atletët e rinj të talentuar në vitet e fundit.

“Kemi organizuar dy herë Milan Junior Camp në futboll, ku të rinjtë tanë janë testuar nga trajnerë të mirënjohur dhe pas kësaj, 10 prej tyre janë zgjedhur për faza të mëtejshme trajnimi në Itali, së bashku me shumë të rinj të tjerë nga e gjithë bota,” tha ai.

Ai shtoi se ministria po harton një rregullore të re dhe një program bursash për të mbështetur sportistët e rinj të talentuar.

Jehona Xhaferri, vajza e së cilës frekuenton Qendrën Krijuese të Kosovës, një qendër private për fëmijët e talentuar me kurse të specializuara për fëmijët 5 deri 10 vjeç, i bëri thirrje qeverisë të ofrojë ndihmë financiare për nxënësit premtues.

“Jam unë që financoj kurset e saj. Nuk ka financim nga qeveria apo institucionet për fëmijët, me sa di unë,” tha ajo për SETimes.

Mbështetja më e madhe do të ndihmojë fëmijët si Roderika të arrinin maja më të larta, thonë vëzhguesit. Në mbarë botën, rreth 2 përqind e fëmijëve konsiderohen me dhunti, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë./set

Artikulli paraprakSerbia mund të lejojë hyrjen e Kosovës në OKB
Artikulli vijuesPsikiatria forenzike