Turqia merr udhërrëfyesin për liberalizimin

Bruksel, 16 dhjetor – Turqia dhe Bashkimi Europian nënshkruan këtë të hënë një marrëveshje që i mundëson vendeve të bllokut riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm.

Në bazë të marrëveshjes, Ankarasë i dorëzohet edhe një udhërrëfyes për liberalizimin e vizave me BE-në.

Vlerësohet se Turqisë do t’i nevojiten 2-3 vjet për përmbushjen e kushteve që do të sjellë heqjen e vizave për vizitat e kufizuara në më pak se tre muaj qëndrim në një vend të zonës “Schengen”.

Gjithashtu, autoritetet turke pranojnë që të riatdhesojnë nëpërmjet territorit të tyre edhe shtetas të vendeve të tjera, duke lehtësuar kështu luftën e vendeve të BE-së kundër emigracionit të paligjshëm.

Kontrolli më i mirë i kufijve është një tjetër pikë në të cilën Turqia merr një angazhim serioz, pasi aktualisht vendi përdoret gjerësisht si rrugëkalim nga emigrantë arabë, aziatikë apo afrikanë që tentojnë të kalojnë për në BE.

Greqia fqinje, një prej 28 vendeve të bllokut, prej kohësh ka shprehur pakënaqësi në lidhje me numrin e madh të emigrantëve ilegalë që hyjnë në territorin e saj nëpërmjet Turqisë.

Si rrjedhojë, Athina vendosi në Gusht 2012 që të rriste në mënyrë të njëanshme sigurinë dhe patrullimet në anën greke të kufirit të përbashkët

Artikulli paraprak10 përfitimet e panjohura të aloe verës
Artikulli vijuesAshton: Serbia ka plotësuar të gjitha kushtet!