Turqia mundëson arsimim për 300 mijë refugjatë sirianë

Rreth 300 mijë refugjatë sirianë të cilët kanë braktisur vendlindjen pas shpërthimit të luftës atje, janë duke vijuar procesin arsimor në Turqi, raporton Anadolu Agency duke u bazuar në deklaratat e zyrtarëve turq.

Zëvendës/sekretari në Ministrinë  e Arsimit të Turqisë, Yusuf Buyuk, për AA tha se po bëhen përpjekje të mëdha për të integruar sirianët në sistemin arsimor të Turqisë, në 81 provincat e saj.

Buyuk nënvizoi se Turqia si shtet ka strehuar rreth 2.5 milionë refugjatë dhe se ka shpenzuar rreth 8 miliardë euro.

Ai tha më tej se studentët sirianë vijojnë shkollat publike dhe qendrat e përkohshme të arsimit që janë instaluar në kampet e refugjatëve dhe nëpër qytete.

“Ata janë mysafirët tanë. Ata kanë të drejtë për arsimim, dhe kjo është e garantuar me ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha Buyuk, për të shtuar se Turqia dëshiron të integrojë të gjithë fëmijët sirianë.

“Deri në mbarim të vitit shkollor, do të integrojmë edhe 150 mijë fëmijë sirianë në shkollat tona”, tha ai për të sqaruar se studentët nga Siria janë të liruar nga pagesa e taksës për hyrje në universitet.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB) së paku 250 mijë njerëz janë vrarë në Siri që nga fillimi i luftës në vitin 2011.

Artikulli paraprakMbreti Salman: Assad ka ndihmuar ngritjen e grupit ISIS
Artikulli vijuesSacramento, xhamia lokale ofron ushqim për të pastrehët