Është hapur në Skenderaj “Panairi i produkteve bujqësore dhe artizananateve Skenderaj 2016”, aktivitet ky tashmë tradicional i organizuar nga Shoqata e grave “Okarina e Runikut”, përkrahur nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Komuna e Skenderajt.
Panairi, ka mbledhur gra fermere nga regjioni i Mitrovicës si dhe gra ndërmarrëse që merren me prodhimime artizanale. Në këtë këtë aktivitet promovues, gratë fermere do t’i ekspozojnë për dy ditë rresht produktet e tyre në të dy fushat e veprimtarisë.
Në hapje të këtij panairi Zëdhënësi i Komunës së Skenderajt Hajriz Koci në emër të Komunës së Skenderajt ka shprehur përkushtimin e institucioneve lokale për përkrahje të fermerëve në fushën e prodhimit të pemëve. Ai më këtë rast përmendi dy fushat ku Komuna e Skenderjt po përkrah fermerët, në atë të subvencionimit të kultivimit të mjedrës dhe fushën e këshillimit profesional për kultivuesit e pemëve në përgjithësi.
Ndërsa Sabit Ferizi zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë foli për rëndësinë që ka përkrahja në ngritjen e kapaciteteve të fermerëve në kultivimin e prodhimeve bujqësore, pa harruar edhe rëndësinë që ka puna që po bëjnë gratë fermere në kultivim të produkteve bujqësore dhe në artizananate.
Ndërsa Fetije Smakaj udhëheqëse e Shoqatës “Okarina e Runikut” e falenderoi Ministrinë e Bujqësisë dhe Komunën e Skenderajt për përkrahjen e aktiviteteve promovuese për gratë fermere. Sipas saj panairet si ky i sotmi kanë shumë rëndësi pasi mundësojnë prezentimin e punës së këtyre grave të vyeshme.
Në dy vitet e fundit Komuna e Skenderajt ka subvencionuar femerët në mbjelljen dhe kultivimin e mjedrës. Falë punës dhe përkushtimit të fermerve, tashmë produktet e tyre me cilësi shumë të lartë janë plasura në treg.
Disa prej grave fermere perfituese të ketyre subvencioneve, produktet e mjedrës i kanë ekspozuar me shuë sukses edhe në panairin e sivjetëm.