U incizuan duke kërkuar ryshfet

Biznesmenët Agim Ademi dhe Muharrem Rama nga Prishtina, janë kapur në një incizim duke kërkuar ryshfet në emër të kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamitit.

Burime brenda hetuesisë kanë bërë të ditur se incizimi është bërë nga Dritëro Kadolli, pronar i kompanisë “Capital Ring”, i cili kishte kërkuar leje ndërtimi në Komunën e Prishtinës për ndërtime në lagjen Sofalia të Prishtinës, shkruan “Tribuna”.

Hetimet e nisura ndaj kryesuesit të Kuvendit Komunal, Sami Hamitit dhe dy biznesmenëve të tjerë, me dyshimin se kanë kërkuar 2 shtëpi dhe një veturë BMW, me kusht që të ndërrohet plani urbanistik i lagjes Sofalia në Prishtinë, për t’i lejuar “Capital Ring” ndërtimet, janë bazuar pikërisht në incizimet që kishte bërë Dritëro Kadolli, ka thënë burimi i gazetës me kusht anonimiteti.

Prokuroria e EULEX-it, megjithëkëtë, ende nuk ka ngritur aktakuzë për rastin e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamitit, i cili më 12 shtator të vitit 2012 u arrestua me dyshimin për zhvatje dhe vepra të tjera lidhur me korrupsion së bashku me dy biznesmenët, Muharrem Rama dhe Agim Ademi.

Artikulli paraprakAeroporti ushtarak i Sllatines (VIDEO)
Artikulli vijuesRiformatizimi, kur të kthehen nga New Yorku