Udhëzime dhe këshilla për sigurinë e fëmijëve nga rryma elektrike

0
1663
SIGURIA PËR FËMIJËT
Këshilla për siguri jashtë shtëpisë
 
Trafostacionet, shtyllat dhe kabllot e energjisë elektrike, mund të jenë tërheqëse për fëmijët, por është shumë e rëndësishme që fëmijët t’i dinë rreziqet që mund t’u kanosen, duke luajtur në afërsi të këtyre pajisjeve.
Rryma, nëse nuk preket, nuk është e rrezikshme, por mund të jetë, madje edhe fatale, nëse bie në kontakt me të. 
Nëse jeni duke luajtur jashtë, kurrë mos u afroni afër pajisjeve elektrike, siç janë: trafostacionet, shtyllat dhe kabllot e energjisë elektrike.
 
Trafostacionet
 
Kurrë mos luani lojëra me top afër një trafostacioni apo shtylle elektrike. Nëse ju bie topi apo diçka tjetër, brenda rrethojave të trafostacionit, atëherë:
 
Na thirrni në numrat tonë të telefonit dhe ne do të vijmë dhe t’ua marrim ato, sa më shpejt që mundemi;
Asnjëherë mos provoni t‘i merrni ato vetë, madje edhe nëse ju duket fare e lehtë;
Asnjehërë mos provoni t’i tërhiqni me ndonjë mjet, qoftë edhe me një thupër.
Shtyllat elektrike
 
Kur të luani, duhet të jeni të vëmendshëm dhe shikoni se a ka shtylla elektrike afër, nëse ka, atëherë shmangni lojën afër tyre. 
 
Asnjëherë mos tentoni të hipni në ndonjë pemë mbi të cilën kalojnë kabllot e energjisë eletrike.
Asnjëherë mos gjuani ndonjë gjë në shtyllë elektrike dhe mos luani me fluturake apo aeroplan letre afër një shtylleje elektrike.  Energjia elektrike mund t’ju zë edhe pa e prekur atë, kështu që shtyllat elektrike janë të rrezikshme edhe atëherë kur jeni afër tyre.
Nëse ndonjë lodër, fluturake, apo aeroplan letre është varur në shtyllën elektrike, atëherë:
 
Largohuni dhe mos e prekni perin ose lidhësen;
Mos e largoni perin nga përçuesit e shtyllës elektrike;
Jini të vëmendshëm edhe për të tjerët përreth;
Lajmërohuni në numrat tonë të telefonit dhe ne do ta heqim atë. Nëse peri rri i varur në shtyllë, atëherë edhe fëmijët e tjerë mund të lëndohen, madje mund t’u rrezikohet edhe jeta;
Gjatë stuhisë, nëse nuk mund të hyni brenda, atëherë shtrihuni përtokë. Nëse keni mundësi futuni në një gropë. Gjëja më e rëndesishme që të mbani në mend gjatë stuhisë është t’i shmangeni drunjve të lartë, objekteve të larta dhe të metalta.
Këshilla për sigurinë e fëmijëve nga pajisjet shtëpiake
 
Rryma është gjithandej shtëpisë tuaj, prandaj është shumë me rendësi të jeni të kujdesshëm. Kur të përdorni ndonjë pajisje elektrike ose lodër, jini të vëmendshëm:
 
Mos i fusni gishtat apo ndonjë gjë tjetër, përpos kokës së kabllos elektrike në prizën elektrike;
Kur ta hiqni kabllon nga priza, mos e tërhiqni atë, por kokën që është e futur në prizë;
Mos përdorni pajisje elektrike, si tharrësen e flokëve, nxemës të ndryshëm etj. kur jeni të lagur,  i keni duart e lagura, ose jeni brenda në ujë;
Kufizoni numrin e pajisjeve të kyçura në një prizë. Një qark i mbingarkuar shkakton rrezik nga zjarri. Shumë kabllo të kyçura në një qark do ta tejnxehin atë dhe kjo shumë shpejt mund të shkaktojë zjarr;
Shikoni rreth e rrotull nëse ndodhen priza dhe kabllo të dëmtuara. Mos i prekni ato, lajmëroni një person të rritur;
Nëse sheh ndonjë pajisje elektrike ose kabllo të përfshirë nga zjarri, mos hidhni ujë mbi të. Lajmëroni një të rritur, ai do të përpiqet ta fikë zjarrin me bombolat për fikje të zjarrit që gjendet në ndërtesën tuaj, ose do të thërrasë në ndihmë zjarrfikësit që të raportojnë incidentin dhe largohuni nga aty menjeherë;
Është e pamundur ta dimë nëse një kabllo elektrike është e kyçur apo e shkyçur; Asnjëherë mos e prekni atë nëse nuk je i sigurt që është jashtë prizes.