Juncker shfaqet i drejtpërdrejtë: Mjaft me Shtetet e Bashkuara të Europës, populli nuk i do!

“Duhet të heqim dorë nga bisedat për Shtetet e Bashkuara të Europës, njerëzit nuk i duan”. Edhe pse në të shkuarën e kishte përballur këtë temë me terma të ngjashëm, këtë herë Jean-Claude Juncker ka qenë më i prerë dhe i drejtpërdrejtë se zakonisht.

Bashkimi Europian duhet ristartuar, mirëpo nuk është momenti për të nxjerrë nga sirtari ëndërrat federaliste të shkruara e zezë mbi të bardhë nga Altiero Spinelli në librin e tij “Manifesto di Ventotene”.

Juncker është i ndërgjegjshëm se bëhet fjalë për një fazë delikate: ekziston rreziku që nga shtetet anëtare të vijnë reagime në kah të kundërt. Nga Parisi, kreu i komisionit Europian ka ridizenjuar idenë e tij për Europën duke dialoguar me kryeministrin francez, Manuel Valls që nga ana e tij, është shfaqur në një mendje me Juncker, duke mbrojtur në mënyrë akoma edhe më të fortë sovranitetin e shteteve kombëtare. Megjithatë Juncker ka lënë të kuptohet që vonesat në disa vendime të Brukselit, janë të këshillit, pra të qeverive dhe jo të Komisionit: “Pas atentatave të Parisit, nëntorin e shkuar, kemi studiuar dhe propozuar një direktivë për shitjen e armëve në 15 ditë. Por kjo mbeti e bllokuar për tetë muaj në Këshill…”

Rasti për reflektime ndaj Bashkimit Europian ishte një aktivitet në kuadër të 20-vjetorit të themelimit të Institutit “Jacques Delors”.

Mes pjesëmarrësve edhe presidenti francez, Francois Hollande apo kryediplomatja e BE-së, Federica Mogherini, debate pati edhe në lidhje me strategjinë e përbashkët të mbrojtjes europiane, temë për të cilën ekzistojnë mosmarrëveshje të mëdha mes 27 vendeve të bllokut, tashmë që Britania e Madhe nuk është më pjesë e BE-së.

“Kemi nevojë për një strategji të përbashkët”, thaksoi Juncker, “nuk mund ta lëmë Francën të vetme në këtë detyrë”.

Më herët, ish-kryeministri italian, Enrico Letta kërkoi nga BE që ta realizojë këtë strategji me shumë shpejtësi. Në vitin 2017, kur do të nisin negociatat për Brexit, do të votohet edhe në Hollandë, Francë dhe Gjermani: rreziku i një viti në ngërç është tepër i madh. “Nuk mund të presim zgjedhjet gjermane për të ristartuar BE-në”, theksoi Letta. Juncker ka siguruar se nuk do të jetë kështu dhe ka njoftuar së në 12 muajt e ardhshëm do të merren vendime të rëndësishme.

Për Europën, një nga sfidat më të mëdha mbetet emigracioni. Presidenti i Komisionit Europian ka shfrytëzuar rastin për të apeluar edhe një herë vendet anëtare të bëjnë detyrën e tyre dhe të heqin dorë nga refuzimi i kuotave për refugjatët. “Nëse çdo herë që marrim një vendim, një shtet anëtar organizon një referendum, ky është fundi”.

Artikulli paraprakPD i përgjigjet Tahirit: Po bën si vrasës i penduar
Artikulli vijuesVeteranët paralajmërojnë protesta nëse s'paguhen