UNESCO-ja shpërfill Qeverinë e Kosovës

Kur është fjala për trashëgiminë kulturore në Kosovë me të cilat merret Serbia, Ligji dhe Qeveria e Kosovës bien poshtë. Kjo është vërtetuar edhe me rastin e restaurimit të katër monumenteve të kultit ortodoks që janë në Kosovë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO, dy vjet pasi i janë ndarë fondet nga Qeveria e Rusisë, ka kontraktuar tri kompani për të kryer restaurimin e tyre.
Lajmin e ka bërë të ditur Agjencia Shtetërore e Lajmeve në Rusi, “Interfax” e cila citon Qeverinë e Rusisë, përkatësisht Departamentin e Sinodes për Marrëdhënie të Kishës me jashtë, shkruan koha.
Rusia në vitin 2010 kishte ndarë 2 milionë dollarë (1.5 milionë euro) për restaurimin e Patrikanës së Pejës, Manastirit të Deçanit e atë të Graçanicës dhe të Kishës së Shën Premtes në Prizren.
Të katër këto monumente, tash një dekadë janë nën mbrojtje të UNESCO-s si objekte serbe. As para dy vjetësh Qeveria e Kosovës nuk kishte “haber” për këtë çështje.
Vitin që lamë pas, saktësisht, në shtator, Ministria e Kulturës nuk i kishte dhënë leje UNESCO-s që të restauronte këto monumente kulturore. Arsyeja ishte se edhe Rusia, por edhe UNESCO-ja kishin kërkuar që implementimi i këtij projekti të bëhet nëpërmjet UNMIK-ut.
Asnjë nga këto autoritete nuk kanë pranuar se janë pyetur ose janë të përfshirë në këtë projekt. E Ligji për Trashëgimi Kulturore në Kosovë e thotë qartë se Ministria e Kulturës është institucioni kompetent pa lejen e të cilit nuk mund të bëhet asnjë ndërhyrje në objektet e trashëgimisë kulturore./Indeksonline/kohaislame

Artikulli paraprakMiletiq: Veriu i Kosovës, tema kryesore politike
Artikulli vijues“Jo” e madhe koalicionit të gjerë