UNHCR: Refugjatët nuk janë turistë për t’iu kërkuar vizë Schengen

IDOMENI (AA) – Sllovenia ka filluar zbatimin e regjimit të ri të hyrjes në zonën Schengen dhe nuk do t’i pranojë refugjatët pa viza të rregullta dhe pasaporta. Për këtë shkak Maqedonia ka vendosur që të mbyll kufirin e saj për refugjatët që vijnë nga Greqia, ndërkohë që në Idomeni gati 15 mijë refugjatë vazhdojnë të shpresojnë se do t’iu jepet leje për të kaluar kufirin, raporton Anadolu Agency (AA).

Koordinator i UNHCR-së në Idomeni, Babar Baloch konfirmoi për AA se në tre ditët e fundit, përfshirë edhe ditën e sotme nuk është lejuar që refugjatët të kalojnë në territorin e Maqedonisë. Ai shtoi se kjo nuk është zgjidhje, pasi që mijëra refugjatë tashmë janë të bllokuar në qendrën për pritje të refugjatëve në Idomeni.

“Duhet të kuptojmë se këto nuk janë turistë, por janë refugjatë dhe këta refugjatë vijnë në Evropë duke kërkuar mbrojtje ndërkombëtare nën ligjet ndërkombëtare. Bashkimi Evropian si bllokadë ka për detyrim të veprojë nën ligjet ndërkombëtare dhe humanitare, si dhe duhet t’iu përmbahet këtyre detyrimeve”, deklaroi Baloch.

– Nëse nuk ndërmerren masa, refugjatët do të rrezikojnë me zgjidhje të tjera –

Kushtet themelore për jetesë në këtë qendër janë të mjerueshme dhe për këtë Baloch thekson se nëse vazhdojnë kufijtë të jenë të mbyllur, do të duhet që refugjatët të shpërndahen në kampet e tjera të ndërtuara në afërsi të vendkalimin kufitar greko-maqedonas, sepse kampi në Idomeni është duke u përballur me një krizë humanitare dhe kjo do t’i detyronte refugjatët të rrezikojnë me zgjidhje të tjera.

“Kjo nuk është zgjidhje, kështu që refugjatët duhet të shpërndahen në kampe të tjera, në të kundërtën ekzistojnë burime të tjera me të cilat do të inkurajohen refugjatët të gjejnë rrugë të tjera. Duhet të marrim parasysh se nëse mbyllet lëvizja legale e kësaj popullate të dëshpëruar, ata do t’i dorëzohen kontrabandës dhe trafikimit, të cilëve nuk u intereson jeta e njerëzve, por u intereson vetëm paraja”, tha Baloch.

Baloch përsëri theksoi se këta janë azilkërkues nga vendet e përfshira nga konfliktet dhe janë persona që nuk mund të kthehen prapa, ndërsa për këtë ai apeloi që të ndërmerren përgjegjësi kolektive të të gjitha vendeve evropiane, e jo vetëm Greqia apo Gjermania.

– Refugjatët në Idomeni vazhdojnë të shpresojnë se do të hapet kufiri –

Refugjatët e vendosur në Idomeni edhe pse ndodhen në kushte të vështira për jetesë dhe me shpresë se një ditë do të hapen kufijtë thonë se do të vazhdojnë të presin në atë vend, pasi që nuk kanë se ku të kthehen prapa. Një numër i madh i tyre nuk kanë pasaporta, por me vete mbajnë vetëm një dokument i cili tregon se është “refugjatë”.

“Ne do të vazhdojmë të presim deri kur të na japin leje për të kaluar kufirin, nuk kemi ku të shkojmë prapa. Do të vazhdojë të pres këtu në baltë, në këtë papastërti dhe shpresoj që Bashkimi Evropian një ditë do të vendos që të na jap një mundësi që të vazhdojmë udhëtimin tonë”, tha një refugjatë sirian.

Disa grupe të refugjatëve kohë pas kohe në shenjë proteste bllokojnë hekurudhën ndërkombëtare që lidh Greqinë dhe Maqedoninë, duke brohoritur Angela Merkel me flamurin gjerman në dorë kërkojnë ndihmë nga Gjermania që të gjej një zgjidhje për to.

“Kufiri tashmë që prej tre ditësh është i mbyllur dhe nuk lejohet që të kalojë askush. Gjatë ditës së sotme ka patur reshje shiu dhe kushtet për jetesë vazhdimisht përkeqësohen. Nuk mund të durojmë më tepër dhe çdo ditë do të protestojmë kundër mbylljes së kufijve”, tha një refugjatë irakian.

Artikulli paraprakSiri, për 11 ditë ndalimi i luftimeve është shkelur 420 herë
Artikulli vijuesShefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Italiane vizitë në Shqipëri