Hedil el-Heshlemun, një tetëmbëdhjetëvjeçare palestineze, u qëllua dje për vdekje nga ushtarët izraelitë në një pikë kontrolli në Halil, të njohur ndryshe si Hebron, pranë hyrjes së rrugës esh-Shuheda.
Ajo u godit dhjetë herë nga Forcat e Mbrojtjes Izraelite dhe vdiq në spital pasi qëndroi për 30 minuta e përgjakur në rrugë. Ambulanca palestineze erdhi brenda pesë minutash, por nuk u lejua t’i jepte ndihmën e shpejtë vajzës së shtrirë përdhe.
Refuzimi për të treguar fytyrën dhe përpjekja për të sulmuar një ushtar janë arsyet e dhëna nga autoritetet izraelite. Ushtria izraelite deklaroi se vajza ishte një terroriste e se qe përpjekur të godiste me thikë një ushtar.
Por fotografitë e bëra para dhe pas ngjarjes nga një grup aktivistësh nuk i justifikojnë pretendimet e mësipërme.
Një dëshmitar në vendngjarje e përshkroi vajzën palestineze si të terrorizuar, të paaftë për ta kuptuar gjuhën e ushtarëve. Sipas tij, ajo ishte e mbuluar tërësisht, e nuk u pa thikë për asnjë moment. “Edhe sikur të kishte një thikë, ata mund ta arrestonin fare lehtë,” shpjegoi dëshmitari, i cili qe në gjendje të bisedonte me fatkeqen.
Ndërsa e plagosura dergjej në tokë, ushtarët izraelitë u panë të qeshnin e të bisedonin të pashqetësuar me njëri-tjetrin.