Vazhdojnë sulmet ajrore nën udhëheqjen e Arabisë Saudite në Jemen kundra Husive

Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite ka kryer sulme ajrore gjatë natës në kryeqytetin jemenas, Sana dhe provincën veriore të vendit, Saada, kundra objektivave të lëvizjes Husi, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Sipas informacioneve sulmet ajrore janë fokusuar në Saada, ku janë shkatërruar depo të armëve që i përkasin militantëve të lëvizjes Husi. Gjithashtu sulmet ajrore kanë patur për shënjestër edhe objektiva të tjerë strategjikë të Husive. Operacionet ushtarake ajrore të emërtuara si “Stuhia e Vendosmërisë”  janë ndërmarrë gjatë  orëve të mbrëmjes të së shtunës, për të vazhduar deri në orët e para të mëngjesit të ditës së dielë.
 
Sulmet ajrore kanë patur në shënjestër disa objektiva ushtarake nën kontrollin e lëvizjes Husi, duke përfshirë një bazë ushtarake në Sana, një vend për lëshimin e raketave, etj. Ndërkohë që militantët e lëvizjes Husi iu janë përgjigjur sulmeve ajrore të koalicionit me armë të rënda.
 
Disa shtete arabe janë bashkuar në një ofensivë të armatosur, udhëhequr nga Arabia Saudite, që nisi të mërkurën me disa sulme ajrore kundër pozicioneve të lëvizjes Husi në Jemen, duke përfshirë edhe objektiva në kryeqytetin e vendit, në Sana.
 
Jemeni po përjeton prej një kohe të gjatë një krizë politike, ku pas dorëheqjes së qeverisë në muajin janar, Husitë morën nën kontroll kryeqytetin Sana dhe më 6 shkurt ata shpërndanë parlamentin. Ndërhyrja e armatosur e Husive ndaj institucioneve shtetërore u cilësua si “grusht shteti”.
 
Gjatë kësaj kohe Husitë mbajtën nën survejim Hadin në shtëpinë e tij në Sana, ku më pas më 21 shkurt Hadi vajti në qytetin Aden dhe që nga aty ai pati njoftuar se do vazhdojë detyrën e tij si president dhe se qyteti Aden do të jetë qendra drejtuese e përkohshme e qeverisë.
 
Arabia Saudite ndërmori operacionet ushtarake ajrore të emërtuara si “Stuhia e Vendosmërisë” pas thirrjes së presidentit legjitim të Jemenit Hadi për ndërhyrje ushtarake në vend.
Artikulli paraprakÇifutët vendosin të rrënojnë një fshat palestinez në jug të Bregut Perëndimor
Artikulli vijuesRumania dorëzon dy ish-policë turk të cilët akuzohen për vendosjen e përgjuesve në zyrën e Erdoganit