Zhvendosja e refugjatëve nga Idomeni në kampet e tjera në veri të vendit ende nuk ka zgjidhur gjendjen e rreth 54.000 refugjatëve të cilët ndodhen në tërë territorin e Greqisë. Duke filluar nga vendkalimi kufitar greko-maqedonas deri në Selanik, vërehen mijëra refugjatë të vendosur nëpër kampe të improvizuara në pika karburanti të cilët janë duke u përballur me vështirësi të shumta, raporton Anadolu Agency (AA).
Njëri ndër këto kampe është edhe kampi i improvizuar në Evzoni, i cili ndodhet në afërsi të Idomenit dhe janë të vendosur rreth 1.500 refugjatë dhe emigrantë nga të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore. Përveç vështirësive me kushtet themelore për jetesën, për shkak të kombësive të ndryshme të refugjatëve që jetojnë në kamp, ndodhin edhe konflikte të shumta mes refugjatëve dhe emigrantëve.
Koordinatore e organizatës “Mjekët pa kufij” në kampin në Evzoni, Katy Athersuch tha për AA se zhvendosja e refugjatëve nga Idomeni në kampet tjera në veri të vendit ishte një vendim i shpejtë, pa i informuar mirë refugjatët se çfarë i pret në të ardhmen e tyre. Siç tha Athersuch, kjo është një nga arsyet që disa refugjatë refuzuan thirrjen e autoriteteve greke dhe u drejtuan në kampe tjera të improvizuara.
Ajo shtoi se qëndrimi i gjatë në territorin e Greqisë nëpër tenda të vogla, në kushte të vështira dhe pa njohuri për të ardhmen e tyre, ndikon psiqikisht tek refugjatët, ndërsa tek fëmijët kjo gjendje mund të sjellë edhe traumë.
“Fëmijët janë të prekur më tepër nga kjo gjendje. Ditëve të fundit tek ne paraqiten persona me probleme psikologjike të cilët janë të traumatizuar nga e kaluara e tyre në luftë. Ata flasin se nuk dinë të notojnë dhe tregojnë se si kanë shpëtuar në det gjatë udhëtimit të tyre me varka të vogla”, tha Athersuch.
Siriani Mahmud Osman i cili refuzoi thirrjen e autoriteteve greke dhe nga Idomeni është zhvendos në Evzoni, tha se ka qëndruar edhe në kampet ku Greqia i transferon refugjatët, por kushtet për jetesë atje janë edhe më të vështira se Idomeni.
“Idomeni ishte shumë më i mirë se ky kamp këtu ku jetoj, por edhe se ata kampe ku Greqia i ka zhvendosur refugjatët. Në këtë kamp ka konflikte të shumta, kushtet e vështira ndikojnë edhe në psikologjinë tonë, ndërsa kampet ku u zhvendosën refugjatët me autobusë, janë edhe më të këqija se këto këtu”, u shpreh Osman-i.
Nga ana tjetër, irakiani Mansur Bardeniji tha se më shumë se tre muaj ka qëndruar në Idomeni dhe para tre ditëve është zhvendos në Evzoni. Ai shtoi se nuk ka pranuar thirrjen e autoriteteve greke, për shkak se ato janë “kampe ushtarake” dhe nuk u lejohet lëvizja e lirë.
“Kampi në Idomeni ishte i stërmbushur me njerëz, por atje ishte më mirë se këtu. Aty kishim sipërfaqe më të madhe dhe nuk kishim problem për ushqim, ujë apo banjo. Këtu tendat janë të vogla, në ditë një herë na sjellin bukë dhe ka shumë pak banjo”, tha Bardeniji.
Organizatat humanitare dhe ndërkombëtare të cilët që para fillimit të evakuimit të refugjatëve nga Idomeni deklaronin se e vetmja mënyrë për zgjidhjen e çështjes së refugjatëve në Greqi është hapja e kufijve të “rrugës ballkanike”, vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim, sepse, sipas tyre ky vend nuk ka kapacitet për t’u kujdesur për të ardhmen e një numri kaq të madh të refugjatëve.