Veseli viziton Familjen e Dëshmorit Edmond Hoxha (Foto)

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në prag të 20-vjetorit të rënies heroike të dëshmorëve Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, ka vizituar sot Familjen e Edmond Hoxhës në Junik.
Kryeparlamentari Veseli është pritur në Familjen Hoxha nga nëna e Edmondit, Zonja Nurije Hoxha.

Ajo ka falënderuar Veselin për vizitën dhe kujdesin ndaj familjeve të dëshmorëve, duke e konsideruar këtë një shenjë të përkujdesjes institucionale dhe vlerësim të veprës së të rënëve për lirinë e Kosovës.

Kreu i Kuvendit, duke çmuar lart sakrificën e heronjve, ka deklaruar se gjendet në Junikun e besëlidhjeve shqiptare, për t’u përulur para Heroit të Kombit, Edmond Hoxha, si dhe për të treguar se sa e shtrenjtë është liria dhe sa i rëndësishëm është shteti i Kosovës dhe ruajtja e sovranitetit të tij.

Veseli ka vlerësuar se ky është çmimi të cilin e pagoi Kosova, duke ia dhënë lirisë së saj djemtë më të mirë.

“Sot është obligim i të gjithëve që ta ruajmë këtë liri dhe të ecim përpara. Ky ishte edhe amaneti i dëshmorëve, të kemi një shtet të fuqishëm e të pavarur dhe të mos lejojmë që ta cenojë askush. Ky është edhe zotimi i institucioneve të Republikës së Kosovës, për ruajtjen e shtetit tonë, mbrojtjen e sovranitetit dhe zhvillimin e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Kryeparlamentari Veseli, po ashtu, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule te shtatorja e Heroit Edmond Hoxha, si dhe te varri i veprimtarit Xhavit Hoxha dhe te vendi i rënies së dëshmorit Bedri Shala./kumti.com16326203-10212670833143683-1618163226-o_1485531465-4389132

Artikulli paraprakPresidenti Thaçi ia kërkoi dorëheqjen shefit të AKI’së
Artikulli vijuesSkenari i konfliktit në Veri