Për nevoja të dominimit a perëndimorizimit, një komb pra krijon Orientin tek një tjetër ose edhe brenda vetes, e në proces e sipër, mund të krijojë edhe kombe të tjerë nga vetja: në rastin tonë, kosovarët dhe “shqiptaro-maqedonasit” e ndonjë plus, në ngjizje e sipër.
“A e keni vërejtur njërin prej paradokseve të mira, një prej paradokseve logjike, ku mund të shihni sesi Jugosllavia ka qenë një hapësirë totalisht histerike-fantazmike, ku secili prej kombeve, veç jush, në mënyrë që të justifikonte vetveten, është përpjekur ta prezantojë veten para Perëndimit, (…) si një metodë përfundimtare, më e mira e civilizimit, kundër të tjerëve barbarë. Serbët gjithë kohës u thoshin mediave perëndimore që ne jemi perëndimi i krishterë, ndërsa ju (i drejtohet intervistuesit shqiptar) jeni, në parim, dhe pothuajse jeni, një pararojë e al Kaida-s (…), ju dhe boshnjakët; por kjo vazhdon më tutje, prandaj më pëlqen. Kroatët thanë, ‘jo, ne jemi katolikë perëndimorë të civilizuar, serbët janë veç ortodoksë, ne jemi muri i fundit i fortesës’. Ne sllovenët, sigurisht luanim të njëjtën lojë, ne thoshim se nuk jemi fare Ballkan, jemi Mitteleuropa – kroatët janë në Ballkan (…). Pastaj mund të shkoni deri në fund: Austria thotë, (…) ‘Sllovenia është Ballkan’; gjermanët, thonë ‘Austria dhe perandoria austriake janë dy gjëra (të ndryshme)’. Franca thotë ‘ka gjithnjë diçka të dyshimtë në Gjermani’ dhe në fund kur shkoni në Britani të Madhe, pretendohet se kontinenti si i tillë është një Ballkan i madh. Ndërsa ju jeni për t’u nderuar, sepse po të ishte dikush që – nëse e shfrytëzojmë Ballkanin për këtë term – i huaji, mbi të cilin projektohet e keqja, ju jeni, do të thosha, e vetmja pjesë joballkanike e ish-Jugosllavisë. Në kuptimin që ju jeni me veten tuaj, ju nuk keni nevojë për dikë tjetër “të luajë” Ballkanin për ju” (Intervistë e Slavoj Zizek),
Në këtë përvijim të shpejtë, gjatë një interviste në Prishtinë, të hartës ballkanizuese a orientalizuese të Europës, e cila hapet në formë qepe, nivel pas niveli, Slavoj Zhizhek ndalet tek tabani kontinental i pagërmueshëm më tej a tek boshti, garanti i lojës: shqiptari – bosht bosh, në fakt, rreth së cilit organizohet duke u dendësuar qerthull europianiteti i shkallë-shkallshëm, në atë masë sa largohet; bosh, se shqiptari është brenda Europe, por nuk njihet Europë, se shqiptari është europiani që nuk është, pra, me shpinën rrafsh për ante-murale – si në pritje të një skuadre pushkatimi – ose, parë nga poshtë, me po atë shpinë pas po atij muri, ngarkuar me Europën si një lloj Atlasi a Sizifi, shqiptari hamall, “e keqja e domosdoshme në punët e ndërtimit dhe në transportin e pianove. Sepse dikush duhej të mbante tulla në katin e fundit të pallatit të kinemasë “Beograd” që po ndërtohej, dikush duhej të ngarkonte dy tonë qymyr …” (Bora Cosic); shqiptari, “zezaku ynë” (Vladimir Arsenijevic – http://www.bosnia.org.uk/news/news_body.cfm?newsid=2385)…
Por, shqiptarët janë edhe zezakët tanë, edhe Orienti ynë, sapo kemi mundësi të denoncojmë sikletin që na shkaktojnë, dhe të provojmë, shkencërisht po u desh, së bashku me më të bardhët prej fqinjëve, se rrotull ka disa lloje shqiptari (shqiptar dhe shiptar), se nuk jemi të gjithë njëlloj dhe mjafton që distancohemi nga ata, që ta provojmë se ata nuk jemi, mu si ajo kafsha që këput me dhëmbë këmbën e zënë, për t’u distancuar nga çarku. Ndihmon shumë për këtë formalizim të ndarjes edhe kufiri i nevojshëm shtetëror ndërshqiptar, kufiri i vjetër me Jugosllavinë (se përkufizimet në vite prej andej na vijnë), i cili ndjek sa mundet edhe kufij të tjerë, “organikë”, që nga fetarët, tek gjuhësorët, aq sa shkon e bëhet deri racial pastaj. “Në një periudhë të dominuar nga moderniteti perëndimor, çdo komb krijon Orientin e vet” (Ussama Makdisi): kësisoj, për nevoja të dominimit a perëndimorizimit, një komb pra krijon Orientin tek një tjetër ose edhe brenda vetes, e në proces e sipër, mund të krijojë edhe kombe të tjerë nga vetja: në rastin tonë, kosovarët dhe “shqiptaro-maqedonasit” e ndonjë plus, në ngjizje e sipër.
Kështu globi i rindërtuar pas këtyre të dhënave të reja, në kërthizë ka Orientin me O të madhe (atë të mongolëve, kinezëve, maurëve, persëve etj.) dhe fill pas kësaj, koncentrik, vjen ai me o të vogël, lokali, familjari, me Shkupin e Tetovën, e me Prishtinën e Kosovën në qarkun tjetër, për të vijuar me Shqipërinë e Mesme të Haxhi Qamilit mediatik, pas të cilës edhe përfundon Orienti, aty diku pranë neoneve të ish-Bllokut në Tiranë, dhe rrathët vazhdojnë pastaj hapen, kësaj here gjithnjë e më shndritshëm, prej aty ku e filluam numërimin me Zhizhekun, drejt veriut, sipas skemës së njohur me matrioshka orientaliste (M. Bakić-Hayden).
Shkupi& Tetova, Maqedonia, janë thelbi i Orientit tonë ndërshqiptar – pasojë pandehmave më të forta këtu të «arabizimit» përmes praktikimit «revolucionar» të fesë ose të «turqizimit» diakronik, sa të ngulitur prej zakoneve osmane, aq edhe të prejardhur prej kolonizimit – këtej edhe qasja racializuese, tjetërsuese, ndaj shqiptarit të Maqedonisë. Por, megjithatë, ose pikërisht prej kësaj, Maqedonia shqiptare më tepër mbetet një vend i pavizituar, i padëshirueshëm për t’u njohur, i montuar në fraza të gatshme, të përgjithshme të përforcimit të dallimit «me ne të tjerët» që jemi emancipuar nga zakonet e vjetra ose që nuk ndajmë me ta ose të njëjtën fe ose, aq më pak, të njëjtin entuziazëm për të.
Që Maqedonia shqiptare është territor mental, më tepër jashtë kronikës, këtë e vërtetojnë ende edhe kronikat prej andej të gazetarëve tanë, që vazhdojnë e botohen edhe sot në shtypin qendror të Tiranës:
« Në qendrën e Tetovës vërehet një shesh i madh, jo shumë i pastër. Disa kafene jo shumë të bukura dhe luksoze, të thjeshta. Syri të zë mjaft dyqane me mall oriental, kryesisht turk. (…) Ky është një qytet ku dominon së tepërmi feja myslimane. Në rrugët e qytetit gjenden shumë gra të mbuluara me shami, të cilat i ndjekin ritet e feve në maksimum, si falja e namazit, agjërimi apo dhe detyrime të tjera të fesë së tyre, që e adhurojnë dhe mbrojnë me fanatizëm (Anila Culi, Në Tetovën e “zymtë” të shqiptarëve, 13/04/2012 http://www.shekulli.com.al/shekulli/2012/04/13/ne-tetoven-e-zymte-te-shqiptareve/)
Një qytet ku malli është, pa humbur kohë, oriental në mjaft dyqane dhe ku feja myslimane dominon së tepërmi dhe shumë gra ndjekin me fanatizëm detyrimet e «fesë së tyre», ka pasur mundësi të jetë përshkruar deri edhe 1000 vjet para 2012-tës, kur po botohet kronika nga ndonjë udhëtar pa përkthyes ose, e kundërta; po ja që edhe këtë ta bën Maqedonia… (Gazeta e boton reportazhin së bashku me një foto të Tetovës nga e njëjta dorë e në foto, përkundër nënvizimit me shkrim, nuk shohim asnjë shami në kokat e grave të pranishme, po as edhe ndonjë shenjë ekuivalente fetare ose fanatike nëpër burrat).
Pse është më e heshtur dhe më në hije se Shqipëria e Kosova, për arsye të shumta (e më së shumti për faj të statusit prej minoriteti) vendi që zë Maqedonia shqiptare në imagjinar është më tepër ai i një zone fetare që aktualizon dhe përafron rrezikun global të Islamit radikal, duke qenë në mënyrë komode afër sa për të të trembur shumë, aq edhe duke mbetur në hije sa për të të trembur edhe më shumë. Laboratorikisht, së largu, në këtë zonë mund të aplikosh gjithë paradigmat mbi rolin e Islamit në histori, gjithë qëndrimet ndaj fesë, osmanëve, arabëve, prapambetjes, sido që t’i kesh, pa problem, se tanimë dy dekada është krijuar, paragraf pas paragrafi, figura fetare e Maqedonisë shqiptare, ikona islamike e saj, që bllokon gati krejt llojet e pamjeve të tjera.
Me rastin e botimit të enciklopedisë problematike maqedone, ku shqiptarët përkufizoheshin në mënyra të padenja e të pabaza, kolumnisti dhe studiuesi Ardian Ndreca do të vërente:
“Njerzve të thjeshtë me të drejtë u ngjallin revoltë dhe indinjatë tezat e Akademisë maqedonase, po pse nuk u ngjallë po aq revoltë dhe indinjatë arabistanizimi i ethshëm i këtyne 20 viteve të fundit i nji pjese shumë të madhe të shqiptarëve të Maqedonisë?(…)
Por ajo që duhet të shqetsonte politikanët e intelektualët e Maqedonisë dhe të Shqipnisë asht fakti se shqiptarët e Maqedonisë po bjerrin përditë e ma tepër gjuhën e tyne amtare, veshjet tradicionale, emnat, zakonet e lashta, vetë specifikën e islamit shqiptar e si rrjedhoj e këtyne humbjeve po zbehet gjithnji e ma tepër vetë ndërgjegja kombtare.
Në qoftë se punët kanë me ec me ketë ritëm, çka kanë me shkrue mbas 50 vjetësh akademikët maqedonas? Si do t’i trajtojnë shqiptarët e Maqedonisë: si pakica turke apo si refugjatë palestinez (Ardian Ndreca, Kur historinë e shkruejnë anmiqtë e saj, 06.10. 2009,
http://albanovaonline.unishk-history.com/index.php?option=com_content&task=view&id=742&Itemid=67 ?”
Një gjë dihet shumë mirë: këto dy dekada, fryma kombëtariste shqiptare në Maqedoni, është vetëm në rritje e jo në ulje (monumentalisht e skematikisht dëshmuar me statuja të reja të Skënderbeut në sheshe), emrat e shqiptarëve janë gjithnjë e më shqip, si kurrë më parë, dhe po ashtu gjuha, veshjet e zakonet janë shumë herë më të «shqiptarizuara» (sipas standartit tiranas) se para kësaj periudhe (po nëse është fjala për zhdukje «veshjesh tradicionale » të leshta e «zakonesh të lashta», këto i ka zhdukur i njëjti mot në Maqedoni a kudo në kontinent). Kjo dukuri kombëtarizimi dëshmohet se rri paralel ose përthyhet në sektorë të shoqërisë me një fuqizim dhe përditësim të idesë e praktikës fetare, meqë shoqëritë nuk ecin në monopat, u nënshtrohen zhvillimeve të ndryshme, deri edhe kontradiktore; por, duket se përshkrimi i Ndrecës nuk ka vend për shfaqjet shqiptare nëpër kronikën e Maqedonisë së sotme, sa për thjeshtëzime të dinamikave libreske të fesë në bibliotekën e tij ose, më tej, për ekzaltimin e një dallimi revoltues, deri në prag të raciales, midis shqiptarëve.
Të njëjtin fiksion të indinjuar me «arabistanizimin» prej fesë të shqiptarëve të Maqedonisë (dhe Kosovës), si nevojë për të theksuar dallimin e këtyre me banorët e Shqipërisë, gjejmë kryesisht në formë fyerjesh e urrejtjeje në ekstremistë (anti)fetarë të blogosferës, por shfrimet kanë mundur të filtrohen edhe në shtypin e respektuar, si në rastin e artikullit famëkeq të Maks Velos, tek «Shekulli» i para ca viteve:
“(Q)arqet politike apo akademike, në Shqipëri janë bërë koshientë për dëmin e madh që i vjen Shqipërisë nga deklarimet e papërgjegjshme se Shqipëria është shtet mysliman dhe po bëjnë ç’është e mundur për të sqaruar opinionin evropian dhe atë amerikan. Dhe pikërisht në këtë moment që ka filluar të kuptohet dhe të pranohet kjo e vërtetë, është ky reaksion kaq i ashpër i qarqeve fondamentaliste myslimane në Prishtinë apo në Shkup, që kohët e fundit kanë marrë barrën që të na tërheqin zvarrë drejt lindjes. Drejt Lindjes. Nëse ata quajnë epiqendër etnike dhe kulturore etnitetin arab dhe kulturën islamike, sigurisht Tirana nuk u a siguron dot më këtë qendër. Tirana është kryeqytet evropian dhe i tillë do të mbetet.”
Vetëm pak vite pas botimit të këtij artikulli, Velo arriti të bëhej i njohur në mediumet e urrejtjes kundërshqiptare në rajon, me cilësimin e minareve të Maqedonisë si raketa të Iranit, një krahasim dembel lëshuar gjatë një programi popullor në televizonet tiranase – prova e radhës për europianitetin panballkanik të shqiptarëve, karshi aziatizmit shiptar. Edhe artikullin e sipërcituar Velo e mbylli duke dëftyer se në rast referendumi për bashkim me Kosovën do të votonte kundër.
Nuk është fare interesante të dimë se si do të shpreheshin për bashkimin kombëtar të gjithë aktorët që në vijim racializojnë, dramatizojnë dallimet midis shqiptarëve, por, për të bërë edhe unë një parashikim, me këtë ritëm që vazhdon gërvishtja e dasisë, duket se s’do këtë nevojë fare për ndonjë referendum të tillë. Sigurisht, një komb që përkiska tashmë në dy kontinente e dy qytetërime të ndryshme, nuk mund të jetë më tej një komb, nuk mund të ketë më as të njëjtin emër – lëre më të njëjtin shtet…
Skema e tensionit kulturor me islamiken, pjesë e konsiderueshme e asaj që studiuesi Enis Sulstarova e ka quajtur « arratisje nga Lindja », jetësohet fjalëpërfjalshëm me vullnetin për t’i ikur Kosovës e trojeve të tjera të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, troje që tashmë përbëjnë «Shqipërinë Orientale» (siç ia gjeti termin saktë e thjeshtë vite më parë Ardian Klosi) – territore të padëshiruara, meqë përmbajnë shumica të patolerueshme fetarisht; shumica që duhen lyer me të zezë, që bojaxhiu, vetiu, të duket më i bardhë./almakos.com/
Autor: Ervin Hatibi