Katërmbëdhjetë vite më parë, në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, ish-studentja e shkollës “Indiana”, Mimi Ma, pranoi Islamin. Sot banore e West Palm Beach, Mimi Ma tregon se vendimi i saj nuk ishte i vështirë, por jeta e saj prej atij moment nuk ka qenë e lehtë. Sa për fillim, besimi i kushtoi asaj ndarjen nga familja.E lindur në Vietnam nga prindër budistë, ajo u rrit nga motra e saj më e madhe dhe bashkëshorti i saj në Afrikë si e krishterë. Që prej konvertimit në Islam, ajo nuk ka pasur asnjë kontakt me familjen e saj. Kështu ajo humbi një pjesë të identitetit të saj. Kur ajo i zëvendësoi xhinset dhe bluzët sportive me hixhabin dhe mbulesën islame, disa njerëz nuk arrinin ta kuptonin veprimin e saj. Pas 11 shtatorit, ka njerëz që mendojnë se ajo është arabe e jo aziatike.
Islami po pranohet gjithnjë e më shumë nga femrat amerikane, edhe pse nuk ka statistika.
Me gjithë stereotipat që i portretizojnë femrat muslimane si të nënshtruara dhe të heshtura, shumë prej tyre e pranojnë Islamin sepse gjejnë në të liri. Për vite, femrat jomuslimane e pranonin Islamin pas martesave me muslimanët, por sot shumë femra beqare e të martuara e pranojnë Islamin vetëm në bazë të bindjeve të tyre, sidomos për shkak të mësimeve mbi barazinë gjinore.
Prehje te Kurani
Mimi Ma gjeti në Kuran prehje për shqetësimet e saj mbi barazinë gjinore. Ajo e ka zakon të sfidojë meshkujt muslimanë në diskutimet mbi të drejtat e femrës në Islam, nëse ata thonë diçka mbi të drejtat që femra gëzon në Islam.
Ma gjithashtu tregon se veshja islame i dha asaj qetësi. “Femrat muslimane e mbajnë mbulesën islame për modesti, në mënyrë që njerëzit të mos na shohin si objekte seksi”, thotë ajo. “Mund të shohim një shoqëri islame ku gratë janë të mbuluara dhe kanë të drejta dhe një shoqëri joislame ku gratë janë të zhveshura dhe nuk i kanë ato të drejta.”Të drejtat e femrës ishin arsyeja kryesore që e shtynë këtë vietnameze të pranonte Islamin. E lindur gjatë luftës së Vietnamit, Mimi u largua nga vendi i saj në moshën katërvjeçare së bashku me të motrën dhe bashkëshortin e saj, i cili punonte për Shërbimin e Jashtëm Amerikan.
Kunati i saj shkoi me detyrë në Afrikë, duke kaluar disa vjet në Çad, Kamerun, Mali dhe Mauritani. Familja e tyre praktikonte Krishterimin dhe Mimi Ma u rrit si një presbiteriane praktikante. Ajo nisi të studionte Kuranin dhe mësimet e tjera islame në shkollën Midwestern. Ajo mendoi se kjo nuk do të ishte diçka më shumë se një përvojë intelektuale, por pothuajse menjëherë në Islam ajo gjeti plotësimin e nevojave të saj shpirtërore. Ajo gjeti në Kuran vetëm se barazi.
Ftohtësia e familjes së saj
Një muaj pas studimit që ajo i bëri Kuranit, në Universitetin “George Mason” në Virginia, ajo deklaroi besimin e saj dhe u konvertua në Islam. Menjëherë pas kësaj, familja e saj e braktisi dhe i ndërpreu kontaktet. “Ky është njëri prej aspekteve më të vështira të konvertimit. Por kjo nuk më ndaloi mua. Koncepti im për Zotin nuk mund të diktohet prej tyre”, thotë vietnamezja Mimi Ma.
Nga Elizabeth Clarke, Palm Beach Post Religion Writer, 6 nëntor 2002
Përktheu: Eglantina Muça