Për shumicën e vitaminave dhe të mineraleve sot mund të gjeni mjaft literaturë, por disave ende u kushtohet më pak vëmendje, për shkak të mungesës së të dhënave apo interesimit të pamjaftueshëm.
Niacini, acidi pantotenik dhe folik janë disa nga këto, dhe që të mos mbeteni edhe ju pa dijeninë për rëndësinë e tyre për organizmin e njeriut, lexoni më shumë për secilin prej tyre.
Niacini (Vitamina B3)
I njohur edhe me emrin acidi i nikotinës vepron në organizëm si koenzim (pas kalimit në koenzime NAD dhe NADP) në proceset e përfshira në frymëmarrje qelizore, respektivisht të marrjes së energjisë në qeliza gjatë të cilave ushqimi shndërrohet në energji. Nevojat ditore të niacinit janë 14 mg për femra dhe 16 mg për meshkujt.
Është një nga pesë vitaminat që janë të lidhura me sëmundjet pandemike të mungesës së vitaminës së caktuar. Për qëllime terapeutike më së shumti përdoret te shërimi i pelagrës. Fjala ka origjinë italiane dhe vjen nga fjala “pelle agra” që do të thotë lëkurë e vrazhdë. Shkaku i sëmundjes është mungesa e niacinit në ushqim.
Sëmundja quhet edhe “3D” sepse është e theksuar me dermatit, diarre dhe dementia. Më së shpeshti paraqitet tek alkoolistët kronik, personat ushqimi i të cilëve është i varfër me proteina dhe në raste të mungesës së më shumë vitaminave nga grupi B-kompleks.
Përveç kësaj përdoret në hemoterapi tek sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut dhe migrenës tek pacientet me hiperlipidemi të konsiderueshme (nivelet e rritura të yndyrave). Dihet që niacini vepron në kolesterinën e keqe (HDL) duke e reduktuar, ndërsa rrit kolesterinën e mirë (LDL) dhe në këtë mënyrë redukton rrezikun për paraqitjen e arterosklerozës sepse rrit raportin në mes kolesterinës së mirë dhe të keqe.
Hulumtimet më të reja tregojnë rezultate të shkëlqyeshme në shërimin e akneve nëse niacini merret në mënyrë orale ose direkt në lëkurën e sëmurë. Po ashtu është dëshmuar që në mënyrë të suksesshme zmbraps skizofreninë dhe ndikon pozitivisht në shërimin e shumicës së sëmundjeve psikike. Për të pasur lëkurë të shëndetshme, nerva të forta dhe jashtëqitje të rregullt vitamina B3 është e domosdoshme dhe do ta gjeni në gjoks pule, mëlçi, ve, qumësht, peshk, patate, perime të gjelbra, tharm, drithëra integrale, fruta arrore dhe në gjalpin e kikirikut.
Acidi pantotenik (Vitamina B5)
Emri i saj është marrë nga fjala greke “panthos” që do të thotë “është kudo”, çka do të thotë që si biotinet është shumë e përhapur në natyrë. Është pjesë përbërëse e koenzimeve A që kanë rol të rëndësishëm në metabolizmin e karbohidrateve, yndyrave dhe proteinave dhe gjendet në gati të gjitha organet. Është kyç në sintezën e hormoneve dhe neuro-transmiterëve (materiet kimike që kanë rolin e mjeteve të komunikimit në mes neuroneve). Terapia me vitaminën B5 është e nevojshme te njerëzit që janë të sëmurë nga diabeti, femrat që përdorin kontraceptivë oral dhe alkoolistët. Simptomat e mungesës së saj janë lodhja, depresioni, humbja e apetitit, ngërçet, tretja e keqe dhe pagjumësia. Mungesa e kësaj vitamine gjithmonë është e përcjellë me mungesën e vitaminave tjera të B-kompleksit.
Përveç biotinës, kjo është e vetmja nga vitaminat sasitë e rekomanduara ditore të së cilës nuk janë të përcaktuara në mënyrën më të qartë, por rekomandohet 5 mg për personat e rritur. Kujdes të veçantë duhet të kenë femrat shtatzëna sepse sasia shumë e madhe mund të jetë e dëmshme për fetusin dhe nënën. Burim i pasur i kësaj vitamine janë mishi, bimët bishtajore, drithërat e papërpunuara, si dhe vezët, qumështi dhe pemët dhe perimet.
Nëse përdoret në formë të kremit i cili aplikohet drejt në vendin e dëmtua të lëkurës, është dëshmuar mjaft efikas te dermatozat e ndryshme sepse forcon qarkullimin e qelizave që janë të përfshira në procesin e shërimit të plagëve. Vitamina B5 është e dyta për efektivitet (pas vitaminës A) në shërimin e akneve. Dihet që vitamina B5 redukton disbalancimin hormonal i cili është shkaktar kryesor i akneve te shumica e njerëzve. Përveç kësaj, është më e forta nga vitaminat e B-kompleksit në frenimin e stresit, me çka në mënyrë indirekte zvogëlon aknet. Hulumtimet më të reja tregojnë që zvogëlon dhimbjen dhe ënjtjen te njerëzit që janë të sëmurë nga artriti reumatoid sepse dihet që të sëmurët kanë nivel të ulët të kësaj vitamine.
Acidi folik (Vitamina B9)
I njohur edhe me emrat folat dhe folacin ka rol të rëndësishëm në sintezën e eritrociteve, ndarjen qelizore dhe është i nevojshëm për krijimin e materialit gjenetik, ADN. Në disa vitet e fundit acidit folik i jepet rëndësi e madhe sepse është dëshmuar që redukton rrezikun nga shfaqja e boshtit kurrizor të dëmtuar tek të porsalindurit (spina bifida). Prandaj të gjitha shtatzënave u rekomandohet që të marrin shtesat, përbërësi kryesor i të cilave është pikërisht kjo vitaminë. Pasi që përfshihet në ndarjen qelizore, mungesa e këtij nutrienti ndihmon në krijimin e anemisë dhe ndryshimet funksionale të sistemit tretës sepse qelizat e gjakut dhe qelizat e sistemit tretës ndahen më së shpejti. Mungesa mund të çojë deri te anemitë megaloblastike. Sasitë e rekomanduara ditore janë 400 µg për meshkuj dhe femra.
Së fundi është dëshmuar që acidi folik zvogëlon rrezikun nga kanceri i zorrës së trashë. Kështu nëse vuani nga koliti ulceroz ose konsideroni që jeni në rrezik për t’u sëmurë nga kanceri i zorrës së trashë, këshillojuni me mjekun tuaj në lidhje me marrjen e shtesave që përmbajnë këtë vitaminë.
Por të jeni të kujdesshëm, dozat e mëdha të acidit folik mund të merren vetëm nën kontroll të mjekut sepse shkaktojnë anoreksi, të përziera dhe nervozizëm. Acidi folik (me vitaminat B6 dhe B12) po ashtu mund të nxisë reduktimin e rrezikut nga sëmundjet e zemrës me uljen e materieve të padëshirueshme në gjak të quajtura homocisteine. Hulumtimet e reja tregojnë që konsumimi i ulët i acidit folik rrit rrezikun për zhvillim të kancerit të gjirit, veçanërisht tek femrat që pinë alkool, (konsumimi i rregullt i më shumë se 2 gotave në ditë). Por disa hulumtime tjera kanë treguar që tek disa femra me “bazë” gjenetike edhe sasia e lartë e acidit folik e bën po të njëjtën gjë.
Acidi folik fillimisht gjendet në perimet me gjethe të gjelbra (gjethi i gjelbër lat. folium), sipas së cilit e ka marrë edhe emrin. Do ta gjeni në spinaq, lakër Brukseli, shparg, të gjitha llojet e fasules, bizele, portokaj, avokado dhe nga mishi në mëlçi dhe veshkë. Me gatimin më të gjatë të ushqimit dhe temperaturën e rritur shpërbëhet, prandaj kjo gjë duhet të kihet parasysh kur përgatiten këto ushqime.