Numri i përgjithshëm i votave me kusht, atyre më postë dhe personave me nevoja të veçanta, sipas të dhënave të Qendrës së Numërimit të Rezultateve (QNR) është 13,752.
Numërimi i këtyre votave, bëjnë të ditur përfaqësues të QNR-së, do të fillojë pas skanimit të të gjithë votuesve të regjistruar dhe regjistrimit të votuesve me kusht në bazën e dhënave që pritet të përfundojë në ditën e mërkurë.
Koordinatori i kësaj qendre, Burim Ahmetaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se numri i votuesve me kusht është 9,547. Në komunën e Prishtinës kemi 1824 vota me kusht, derisa në komunën e Prizrenit janë 1637 vota me kusht.
Kurse numri i përgjithshëm i votave të personave me nevoja të veçanta është 1175, derisa ato me post janë 2330, thotë Ahmetaj.
“Janë dy procese që duhet të kompletohen fillimisht pastaj të hapet rruga e numërimit të këtyre votave. Është regjistrimi i regjistrimit i votuesve me kusht në bazën e të dhënave dhe skanimi i listës përfundimtare të votuesve. Pas përfundimit të këtyre procedurave atëherë do të mund të fillojmë me numërimin e votave më kusht. Deri nesër do të mund të kompletohet ky proces i skanimit dhe regjistrimit dhe pastaj do t’i hapet rruga numërimit të këtyre votave”, thotë Ahmetaj.
Numërimi i votave me kusht mbetet përcaktues për shpalljen e fituesve në garën e balotazhit për kryetarët e komunave, sidomos në rastin e Prishtinës dhe Prizrenit, ku kandidatët kanë dallime të vogla në vota. /Rel/