Vrasja e Zejnepe Bytyçit, dështim i shtetit (Video)

Tuba Thaçi është dëshmitarja e vrasjes së 39-vjeçares Zejnepe Bytyçi, e cila u godit për 10 herë radhazi me thikë nga bashkëshorti i saj, Nebih Berisha, të premten mbrëma.
Tuba, e cila hyri në shtëpinë e çiftit vetëm disa qaste pasi ndodhi vrasja, thotë se pasi vajza e madhe tentoi t’i ndihmojë nënës së saj, tre fëmijët e tjerë arritën të fshihen nga babai i tyre, i cili u vu në ndjekje të tyre, raporton KTV.

Motrat e viktimës e përshkruajnë si shumë të rëndë jetën e Zejnepes me bashkëshortin e saj.

Si i varur nga alkooli, dorasi kishte kërcënuar bashkëshorten edhe kur ajo tentoi të fshihej në shtëpinë e babait të saj.

Ajo përjetoi gjithë këtë dhunë të ushtruar për vite të tëra. Motrat e saj thonë se disa herë bashkëshorti i saj ishte arrestuar nga policia, për t’u liruar më pas.

Policia e Kosovës është e bindur se kreu detyrat e saj ligjore në këtë rast të dhunës në familje, që filloi qysh në vitin 2002, kur viktima e paraqiti rastin për herë të parë në polici.

Policia dërgoi dy kallëzime penale për Nebih Berishën, të dytin në vitin 2012, kur Zejnepja, pas dhunës së ushtruar dhe presioneve të mëdha, nuk kishte parë zgjidhje përveç të tentonte vetëvrasjen.

Por, për rastin e parë në vitin 2002, Nebih Berisha mori një dënim me kusht prej 6 muajsh. Ndërsa për veprën penale të shtytjes në vetëvrasje të viktimës në vitin 2012, prokuroria nuk ngriti as padi, pasi që Policia i dërgoi vetëm një raport të veçantë, pa specifikuar të dyshuarin kryesor të rastit.

Në Gjykatën e Prizrenit, përveç lëndës së vitit 2002, kur Berisha u dënua me 6 muaj me kusht dhe një dënimi me gjobë për armëmbajtje pa leje në vitin 2008, nuk u dërgua tjetër padi.

Nebih Berisha, i cili të premten u arrestua nga policia për vrasjen me thikë të gruas së tij, në momentin e arrestit ishte nën ndikimin e alkoolit, thotë prokurorja. Atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, transmeton Koha.net.

Lidhur me vrasjen e Zejnepe Bytyçit, ka reaguar Rrjeti i Grave Deputete, me ç’rast ka krahasuar rastin me vrasjen e Diana Kastratit. Ky grup thotë se këto gra janë viktima të dështimit të drejtësisë.

Artikulli paraprakHaradinaj shkon te hoxha për tu penduar për rakinë!
Artikulli vijuesDëshira për protagonizëm e bën Hashim Thaçin figurë qesharake në Strasburg (FOTO)