Zbërthim Analitik mbi Raportin e KCSS

Zbërdhim analitik mbi ”Raporti për shkaqet dhe pasojet e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak”, më tutje Raporti.

Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se ky shkrim do të mund të nxisë polemikë, e disa do të më fusin në atë apo këtë thes, për hirë të së vërtetës së dukshme duke synyar shpërblimin e Allahut xh.sh. po shpreh gatishmërinë dhe dozën e nevojshme të guximit për t’i thënë dy fjalë mbi raportin e sjellur në publik nga Shpend Kursani et al.

Controversy here I come.

Si të shihet ky raport?

  1. Pikësëpari është e rëndësishme ta kuptohet drejtë se Raporti për nga qëllimi nuk synon të nxjerr në pah anët pozitive e as negative të fesë Islame. Autorët i çasen dukurisë së ekstremizmit fetar Islam nga pikëpamjet e tyre sekulare dhe nga gatishmëria e tyre për të hulumtuar mbi këtë dukuri të përfolur në nivel global. Kur ta ketë kuptuar besimtari i rëndomtë këtë, do të jetë shumë e lehtë të mbahet një neutralitet gjatë shfletimit të një përmbajtjeje të këtillë pastaj.
  2. Trajtimi i Islamit në rrafshin akademik si shkencë shoqërore dhe atë ideologjike si praktikë e mishëruar me një individ në përditshmëri, janë dy diskurse të ndara. E para mund të trajtohet nga studiuesit e shkencave shoqërore perderisa e dyta vetëm nga njerëz kompetentë, respektivisht hoxhallarët, imamët dhe dijetaret e Islamit. Ky raport renditet në kategorinë e parë dhe për më tepër, për të qenë më qualitativ, përqëndrohet në vetëm një element të ngushtë të kësaj ideologjie.
  3. Ky raport nuk është një literaturë fetare. Në të nuk synohet sqarimi i Islamit nga këndi predikues dhe konteksti spiritual, por synohet të vihen në pah dallimet evidente grupore apo/dhe individuale tek praktikuesit e kësaj feje. Edhe pse këto sqarime kryesisht bazohen mbi literaturë bashkohore perëndimore, prapëseprapë ekziston mundësi e dukshme për t’u kthyer në referenca të materialeve shkencore islame me pranueshmeri globale nga një elitë dijetarësh Islam dhe hoxhallarë eminent vendas e të huaj.
  4. Sqarimet terminologjike, paraqitjet grafike, shifrat statistikore dhe përkufizimet mbi koncepte e gjetura brenda komunitetit te besimtareve muslimane ky hulumtimi i sjellë nga terreni dhe si të tilla këto të dhëna empirike mund të kundërshtohen vetëm me të dhëna kualitative potenciale të gjeneruara përmes një hulumtimi tjetër të ngjashëm në të ardhmen.

Anët për kritikë

  1. Konkludimet mbi BIK janë të një natyre të njëjtë me atë të para dy-tri viteve të raportit të Qendrës për Pluralizëm Islam nga Stephen Suleyman Schwartz dhe lozha e tij brenda Kosoves. Për mua një arsye shtesë për të kultivuar një grimcë dyshimi mbi influencën–sado të zbehtë–të botëkuptimeve të politikave të jashtme amerikane, që besoj së është përdorur si mjet për vlerësim në disa raste të caktuara.
  2. Shfrytezimi kryesisht i materialeve perëndimore si referencë për sqarimin e botekuptimeve, dallimeve, dhe praktikave ideologjike brendapërbrenda Islamit. Mbase mund të jetë e pritshme mbi bazën e supozimit se hulumtuesit e përfshire në këtë raport kanë mungesë të njohurisë së gjuhës arabe apo kuptimit te litaraturave origjinale të ndërlidhura në bazë të referimeve në këtë Raport.
  3. Janë jo të rralla rastet kur flitet mbi konceptin e ‘fetarizimit’ të pas luftës ku në mënyre implicite lihet hapësirë të shihet si një dukuri negative për shoqerinë Kosovare por pa u zgjeruar për ta sforcuar kete argument nëse vërtetë aludohet në këtë apo anën tjetër të këtij deklarimi.
  4. Perqafimi i fesë nga të rinjët dhe nga populli në pergjithësi, ne kete raport shpesh paraqitet si ‘shprese e fundit’ pas nje varg zhgënjimesh të njëpasnjëshme dhe ‘humbje të besimit në institucionet shtetërore’, në vend se të paraqitet si një burim paralel dhe i vazhdueshëm i edukim dhe zhvillimit të personalitetit, gjë që ndoshta mund të nxirret mes rreshtash nga pjesë tjera të Raportit.
  5. Marrja për referencë e artikujve gazetaresk, e vecanërisht citimi i Visar Duriqit si reference kyçe për argumentim mbi ekstremizmin dhe kanalet e tyre të financimit e zhvleftëson peshën dhe kualitetin e përgjithshëm të një punimi të këtij kalibri, kur dihet anshmëria që manifeston personi në fjalë.
  6. Theksimi i vazhdueshem për Talibanët duke i quajtur ‘ekstremistët e dhunshëm’ ngrit debatin për influencë të jashtme në këtë Raport, kur kihen parasysh që ekzistojnë një varg autorësh perëndimor që kultivojnë një bindje krejt tjetër karshi tyre. Yvonne Ridley një autore dhe gazetare Britanike e mbajtur në arrest nga Talibanet për 10 ditë mund të përmendet si një ndër ta.

Benefitet kry
esore te nxjerrura nga ky Raport.

  1. Dëshmohet se në Kosovë ekziston konsideratë serioze ndaj institucionit fetar.
  2. Demistifikimi i miteve të shumëta karshi besimtarëve të fesë Islame.
  3. Theksimi tek rekomandimet se hoxhallarët konservativ janë elementi më kredibil për de-ekstremizimin e individëve.
  4. Sqarimi i dallimeve terminologjike nje herë e mirë për opinion e gjërë qytetarë, shoqërinë civile dhe shtresën akademike.
  5. Sfocimi i rëndësisë së të kuptuarit të dallimit substancial në mes të qëndrimeve ideologjike, perkatesisht ekstremizëm kundrejt konservatorizëm.
  6. Sforcimi i qëndrimit se persekutimi dhe shtypja e një anëshme ndaj një komuniteti të caktuar stimulon rrymat ekstreme.
  7. Citimi i shkollarëve modern perëndimor si Jon Hoover dhe Natana DeLong-Bas të cilët shquhen për studime neutralite dhe konstruktive në studimet e tyre mbi Islamin.
  8. Nxitje e gjërë qytetare dhe institucionale për të shfletuar dhe për t’u pajisur me njohuri të prekshme mbi Islamin dhe dukuritë e ndryshme që mund të thirren në emër të kësaj feje.
  9. Vendosja e theksit te vecant mbi përgjegjësinë kryesore dhe njeherit dështimet në nivel institucional shtetërorë dhe pjesërisht atë fetar.
  10. Kundërshtimi i standardeve të dyfishta dhe hedhja në dritë e rendësisë së çasjes me paanshmëri institucionale ndaj komunitetit musliman për shkak të praktikave fetare, si p.sh. privimi i vajzave me mbulesë nga shkollimi dhe mos pranimi i djemve me mjekër në puna.
  11. Ndriçimi i rëndësisë së marrjes së dijes shkencore fetare nga burime kredibile dhe konsultimi i ideve për përputhje me mesimet parimore fetare Islame.
  12. Neutraliteti i kultivuar në përgjithësi bën që autori dhe hulumtuesit e përfshirë në këtë raport të paraqesin nje korrektësi në trajtimin e shumë fenomeneve dhe përgjithësisht nuk mbështeten në etiketime, kësisoji duke ofruar argumentet pro dhe contra mbi një element të caktuar (ka përjashtime kur ky rregull shkelet natyrisht).
  13. Potencimi i qartë se përpos në raste të izoluara, përjgithësisht Xhamitë janë një vend me një rol kritik dhe kyç në kalitjen ideologjike të të rinjëve dhe grupmoshave të tjera. Në saje të kësaj mund të thuhet së verehet që mungesa e xhamive mund te jetë një faktor me ndikim në procesin e de-ekstremizimin.
  14. Citoj raportin: ‘Mustafa Tërniqi, imam në Durrës: nëse imamët nuk u qëndrojnë afër ndjekësve, këta lehtë mund të shkëputen dhe të tërhiqen prej imamëve tekfirë të cilët ofrojnë përgjigje të thjeshta për pyetje të ndërlikuara, dhe sillen shumë mirë në prenë e mundshme.’ Edhe pse kjo mund të duket e papëlqyeshme, mendoj se ka shumë rëndësi sepse në një mënyrë i sjellë si faktorë hoxhallarët në sferën shoqërore dhe atë të sigurisë në këtë kontekst që të rrisin përkushtimin e tyre të përgjegjësisë shoqërore.

Të Dhëna Interesante

  • Një koincidencë interesante është klasifikimi grafik në piramidën e Raportit për kosovë dhe emërtimet përkatëse. Në saje të përkrahjes që i jepet ideve konservatore–të padhunshme në këtë raport, ky grup gjendet i vendosur edhe në mes të piramidës. Nuk e sjell këtë si argument por për ta lidhur sa për kuriozitet me ‘mesataren’ e rekomanduar në Islam, që i bië se konservatorët apo sic njihen në xhematë si ‘pasuesit e sunnetit’ gjenden po edhe në mes të kësaj paraqitje sekulare.
  • Interesante gjithashtu ishte lidhja logjike e ideve tekfiriste si element joshës për personat me prapavijë kriminale përmes praktikave intimiduese që tekfirët i veprojnë, si p.sh. vjedhje, sulme, mashtrime. Ne njefare menyre raporti e sjell kete se bashkangjitja e ISIS-ave eshte nje terren i gatshem per te ushtruar aktivitetin e meparshem per keta individ.
  • Me terhoqi vemendjen–edhe pse skajshmërisht qesharake–se një dokument si ky sjellë rekomandime për një tolerancë interpersonale brenda domejnit të familjes, pra uljes se tensionit në mes të familjarëve laik dhe fetar. Kjo nuk me habit se gjendet ne brendësi të ketij hulumtimi, por një predikim që parreshtur hoxhallaret e ngrisin në piedestalin më të lartë të etikës bazë të mirësjelljes individuale e që rezulton të jetë injoruar në masë.
  • Ngritja e rëndësisë së BIK-ut si institucion qëndror për koordinim të plotë brenda komunitetit musliman. E veçanta është se vërehet nevojë për BIK-un që të përqendrohet në zgjedhjen e imamëve të kualifikuar. Citoj nga Raporti: “Ahmed Kalaja, një imam në Tiranë, thotë se disa imamë (jotekfirë) duhet të mbahen po aq përgjegjës, sepse shkojnë dhe merren me ‘fjalë të kota’ dhe ceremoni xhenazesh në vend se të përqëndrohen në mësimet e duhura dhe themelore islame, të cilat ofrojnë përgjigje për pyetjet praktike dhe teologjike që adhuruesit zakonisht i kanë.”

Përfundim

Për t’i vënë pikën gjithë këtij shkrimi, personalisht mendoj që studimi i këtillë është jashtëzakonisht i mirëseardhur për ta ngritur në nivel akademik diskursin shoqërorë, respektivisht për t’i bërë një nderë fesë tonë Islame në këtë kontekst kësisoji duke e betonuar rëndësinë e argumentit përmbi interpretetimet emocionale, kjo e fundit diçka që
parapëlqehet nga që të dy kampet ekstremiste, ajo islamofobe dhe fetare.

Ajo çfarë marr me vete nga ky raport janë këto tri pika

  1. Në momentin e parë që raporti u lansua në publik, trajtesa e fenomeneve shoqërore të ndërlidhura me fe është ngritur në një dimension krejt tjetër, i cili besoj është tejet më i favorshëm për të gjithë palët e përfshira. Ky Raport duhet të shërbejë si material stabil për mediumet vendore që shkallën e debatit sa herë që është e nevojshme ta përqëndrojnë në nivel të njëjtë me cilësinë e të dhënave të këtij Raporti. Ky Raport do të duhet t’i shukat shumë zëra që shpalosin vrulle emocionale islamofobe dhe antiteiste në Kosovë sa herë që flitet për këto tema. Të tillët gjer më tani kanë provuar ta etiketojnë tërë komunitetin e gjërë musliman me termet që shumë bukur u sqaruan për herë të parë nga një punim i këtillë serioz. Nga këtu e tutje trajtimi i Islamit si bazë teologjike, apo të themi më shumë si shkencë shoqërore u bartë edhe tek shtresa tjetër e studiuesve serioz dhe jo vetëm tek imamët apo brenda BIK-ut siç ka qenë kryesisht deri më sot.
  2. Sa i përket institucionit të Hoxhës, besoj fuqimisht se nga tash e tutje duhet të konsiderohen dhe të mirren parasysh dy pika serioze. E para) Hoxha duhet të jetë kalibër i squar akademik. Çfarë nënkuptoj me këtë është se një Bachelor ne Shkencat Islame për t’u ballafaquar në diskursin publik nuk është më e mjaftueshme. E dyta) deri më tani hoxhallarët janë akuzuar me pretekstin se kinse po përzihen në tema politike dhe të tjera që ‘nuk iu takon’ të mirren me to. Me faktorizimin që i bëhet personalitetit të hoxhës si faktor me rol kyç nxjerrur nga ky studim, vlerësoj se kjo perde tash më nuk duhet të ekzistoj. Dmth. Hoxha si njeri i gjendur në mes të popullit, do të duhej të pajisej me njohuri të përgjithshme kredibile për ti qëndruar në ballë në debate të ndryshme polemizimit të fenomeneve te caktuara që ndikojnë komunitetin që ata përfaqësojnë.
  3. Së fundi, duke qënë që si shoqëri është thënë shumë herë se nuk ka një nivel të kënaqshëm të leximit, frika ime bie mbi atë se ky Raport mund të shndërrohet lehtësisht si një doracak esencial për disa individ mendjelehtë dhe disa injorantë, që në baze të pervojave të tyre ditore të arsyetohen nesër, duke iu referuar ketij Raporti dhe duke e përdorur si vegël per t’i klasifikuar besimtarët si të atillë apo të këtillë. Kjo, ja që do të ishte një pasojë problematike e vërtetë.

Dhe Zoti na ndihmofte të gjithëve.
Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të gjithë ne.

Arian Xhezairi

 

* Qëndrimet janë të autorit

Artikulli paraprakGërxhaliu: Pala serbe nuk na ndihmon në gjetjen e Ukshin Hotit
Artikulli vijuesNë vendet e Ballkani Perëndimor, PBB e “varfër” në krahasim me vendet e BE-së