Zgjidhje për brengat e jetës

Virtytet e durimit

Imam Ahmedi (v.241 H) ka thënë: “Allahu e ka përmendur sabrin (këmbënguljen me durim) në më shumë se 90 vende në librin e Tij.[2]
Dhe thuhet në një hadith të saktë: “Sabri (durimi) është dritë.“[3]

Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) gjithashtu ka thënë : “Nuk i është dhënë ndokujt ndonjë gjë më e mrekullueshme (më e mirë) dhe më gjithë-përmbledhëse sesa sabri.”[4]

Umeri (radijAllahu anhu) ka thënë: “Ne e konsideronim si pjesën më të mirë të jetës sonë atë në të cilën kishte sabër (durim).“[5]
Aliu (radijAllahu anhu) ka thënë: “Vërtetë që sabri është prej imanit (besimit). Pozita e tij është si koka në raport me pjesën tjetër të trupit.” Pastaj ai e ngriti zërin dhe tha: “Me të vërtetë, nuk ka iman (besim) për atë që nuk ka sabër (durim).”[6]

Kuptimi i durimit

Fjala sabër (në gjuhën arabe) vjen nga ‘sabera’ – të jesh i durueshëm dhe të jesh këmbëngulës, do të thotë ta frenohesh dhe përmbash veten. (Në kuptimin sheriatik) nënkupton: të përmbajturit e shpirtit nga të qenit i shqetësuar; të përmbajturit e gjuhës nga ankimi dhe të përmbajturit e duarve nga goditja e faqeve, grisja e rrobave dhe të bërit e veprimeve të tjera të ngjashme me këto. Kjo është përmendur nga Ibnul Kajimi (v.750H).[7]

Dhe dije se sabri (durimi) është tri lloje:

[1] durimi në (përmbushjen) e urdhrave të Allahut,

[2] durimi (në braktisjen dhe largimin) nga ndalesat e Allahut dhe

[3] durimi në caktimin e Allahut sa i përket vuajtjeve dhe vështirësive.

Udhëzim për zemra

Allahu, më i Larti, thotë: “Çdo fatkeqësi që i bie njeriut, ndodh me vullnetin e Allahut. Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij. Allahu di mirë çdo gjë” [8]
Ky ajet fillon me: “Çdo fatkeqësi që i bie njeriut, ndodh me vullnetin e Allahut.” Për këtë ajet Ibën Abasi ka thënë: “Me vullnetin e Allahut – që nënkupton: ‘me vullnetin dhe Fuqinë e Tij.”[9]

Pra, kuptimi i këtij ajeti është: Asnjë e keqe nuk ndodh veçse me Meshijenë (vullnetin), Iradenë (dëshirën) dhe Hikmenë e Tij (urtësinë), siç thotë Allahu: “S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfudh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë!” [10]

Dhe thotë Allahu: “Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi! Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre, ata janë në rrugën e drejtë!” [11]

Dhe thënia e Allahut: “Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij” nënkupton: “Kushdo që goditet me ndonjë të keqe, e di se është me vendimin (caktimin) e Allahut dhe Fuqinë e Tij, dhe ata të cilët me durim i dorëzohen (nënshtrohen) asaj (caktimit të Allahut), atëherë Allahu personat e tillë i shpërblen duke ua udhëzuar zemrat e tyre në të drejtën. Po ashtu, ky është shkaku kryesor i të gjitha lumturive, dhe bazë (themel)­ i përsosmërisë në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu një personi të tillë i premton (shpërblim) për atë që Ai e ka marrë prej tyre.” [12] Dhe thënia e Allahut: “Allahu di mirë çdo gjë.” është një përkujtues se ngjarjet e tilla (ndodhitë e tilla) janë nga Dija e Tij të cilën e kërkon Urtësia e Tij, e që e obligon sabrin dhe të qenit i kënaqur me caktimin e Tij.
Ebu Dhibjani ka thënë: ‘Ishim me Alkamen [13] kur ky ajet iu recitua atij :“Dhe kushdo që beson në Allahun, Ai ia udhëzon zemrën e tij (në të) drejtë.” E ai tha: ”Është njeriu i cili, kur goditet me ndonjë të keqe, e di se ajo është nga Allahu, kështu që ai është i kënaqur me atë dhe i nënshtrohet asaj.” [14]

Transmetimi i lartpërmendur është argument që veprat janë pjesë e Imanit (besimit).

Se’id ibën Xhubejri (v.104H) ka thënë për: “Dhe kushdo që beson në Allahun, Ai ia udhëzon zemrën e tij (në të) drejtë.” Ai ka thënë: ”Kur (në kohën e ndonjë sprove) njeriu thotë: Vërtetë të Allahut jemi dhe te Ai do të kthehemi.”

Në ajetin e lartpërmendur ka një shpjegim se të kesh sabër (durim) është shkak për udhëzimin e zemrës; duke qenë kjo shpërblim për durimtarin.

[1] Redaktuar dhe përshtatur nga Fet’hul-Mexhid li Sherh Kitabit-Teuhid (2/603-615); Kapitulli: Nga imani (besimi) në Allahun është të kesh sabër (durim) në caktimin e Allahut.

[2] Përcillet nga Ibnul Kajimi në Medarixhus-Salikin (2/152).

[3] Transmetohet nga Muslimi (nr.223) dhe Ahmedi (5/343), nga Ebu Malik el-Esh’ariu radijAllahu anhu.

[4] Transmetohet nga Buhariu (nr.1469) dhe Muslimi (nr.1053), nga Ebu Seid el-Hudriu radijAllahu anhu.

[5] Transmetohet nga Buhariu (11/303) në formën ta’lik, dhe është transmetuar në zinxhir lidhës nga Imam Ahmed në ez-Zuhd me sened (zinxhir transmetuesish) Sahih – siç e përmend edhe Hafidh Ibën Haxheri në Fet’hul Bari (11/303).

[6] Transmetohet nga el-Lalika’i në Sherh Usul I’tikad Ehlus-Sunneh uel-Xhema’ah (nr.1659), Bejhekiu në Shuabul-Iman dhe Ebu Shejbani në Kitabul-Iman (nr.130), me formulim pak më ndryshe.

[7] Medarixhus Salikin (2/156) nga Ibnul Kajimi.

[8] Surja Et-Tegabun 64:11

[9] Tefsiri i Kuranit të Lartë (6/164) të Ibën Kethirit.

[10] Surja El-Hadid 57:22

[11] Surja El-Bekare 2:155-157

[12] Tefsiri i Kuranit të Lartë (8/163)

[13] Transmetohet nga Ibën Xherir et-Taberiu në Xhami’ul-Bejan an Te’uilil-Kuran (28/123), Abdurrezaku në Tefsirin e tij (3/95) dhe gjithashtu edhe Sujutiu në ed-Durul-Menthur (8/183), siç është transmetuar gjithashtu edhe nga Buhariu në formën ta’lik (8/652) nga Ibën Mesudi.

[14] Teh’dhibut-Tehdhib (7/276) e Ibën Haxher el-Eskalanit.

Nga Imam Abdurrahman ibën Hasen Alu Esh-Shejh (v.1285H)
Al Ibanaah Issue no.2 / Marrë nga: Fet’hul-Mexhid li Sherh Kitabit-Teuhid (2/603-615);

Artikulli paraprakSi të jesh i butë me njerëzit
Artikulli vijuesSi mund të mërzitesh dhe me ty është Allahu?!