Zhbogar: Themelimi i Gjykatës Speciale nuk mund të ndalet

Gjykata Speciale do të themelohet, qoftë përmes Kuvendit të Kosovës apo Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Këtë porosi e la sot Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, në një konferencë rreth themelimit të kësaj gjykate e cila si qëllim të vetëm e ka hetimin dhe gjykimin e dyshimeve për krime të kryera nga ish Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
 
“Sa po dëgjoj nga miqtë, themelimi i Gjykatës Speciale nuk mund të ndalohet… Mos themelimi i gjykatës do të ishte dëmi më i madh dhe nga kjo do të kisha frikë më së shumti”, u shpreh Zhbogar në konferencën e organizuar nga Grupi për Studime Politike e Juridike në Prishtinë.
 
Ai e pranoi se njerëzit në Kosovë janë skeptikë rreth punës së kësaj gjykate, ideja për themelimin e së cilës lindi pas një raporti që senatori zviceran Dick Marty e dorëzoi në Këshillin e Evropës, e në të cilin bëhej fjalë për përfshirje të krerëve të ish UÇK-së në krime ndaj civilëve serbë.
 
Zhbogar thotë se tani është koha që Kosova “ta largojë këtë re të zezë”.
 
“Gjykata nuk do ta dëmtojë imazhin e Kosovës por do ta pastrojë atë… Kur flasim për raportin e Martyt apo dyshimet për krime të luftës, kjo ka të bëjë me dyshimet për krime të disa individëve. Tash ka ardhur koha që këto akuza t’ia hedhim individëve e jo Kosovës”, u shpreh Zhbogar.
 
Sipas tij, procesi i themelimit të gjykatës duhet të jetë kredibil, i paanshëm dhe ta shpalosë të vërtetën për akuzat e shfaqura.
 
Dhe pas themelimit të gjykatës, Zhbogar beson se Kosova do të mund ta nisë një proces të ri i cili “do të kishte ndikim në marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë”.
 
Por për analistin Dukagjin Goranin, është e pamjaftueshme të thuhet vetëm se “gjykata duhet të themelohet.
 
“Asgjë nuk dihet për këtë gjykatë, vetëm dihet se ajo do të themelohet. Kjo krijon paqartësi”, u shpreh Gorani.
 
Por edhe ambasadori i Holandës, Robert Bosch, thotë se procesi i themelimit të kësaj gjykate është i pandalshëm.
 
“Nëse dikush nuk ka çka të fshehë, atëherë nuk mund të jetë kundër kësaj gjykate”, tha ai.
 
Shteti që përfaqëson Bosch, Holanda, pritet të jetë selia e kësaj gjykate, por diplomati thotë se kjo gjë nuk është vendosur ende.
 
“Holanda nuk është e përfshirë tash për tash sepse ky është proces evropian. Vetëm kur të kompletohet procesi atëherë mund të jemi aty ne”, tha Robert Bosch.
 
Ndërsa deputetja e Kuvendit të Kosovës nga LDK, Teuta Sahatqija, tha se institucionet e shtetit të Kosovës duhet të jenë në gjendje të ballafaqohen me sfida të tilla, siç është ajo e themelimit të Gjykatës Speciale.
 
Ajo la të kuptohet se pret që kompetencat e kësaj gjykate t’i përfshijnë edhe hetimin e gjykimin e vrasjeve të disa zyrtarëve të LDK-së pas luftës.
 
“Sa i përket LDK-së qe unë e përfaqësoj, mjafton të përmendën atentatet dhe vrasjet dhe kjo tregon që kjo periudhë duhet të trajtohet seriozisht”, tha Sahatqija. /kallxo.com/
Artikulli paraprakDeputetja italiane: Mbytni anijet në nisje, siç bëmë me shqiptarët
Artikulli vijuesDeri në dhjetëmijë ankesa për statusin e veteranit