Zhdoganimi “pa letër” lehtëson të bërit biznes

Projekti i ri i Doganës së Kosovës, zhdoganimi pa letra, i cili është promovuar sot në Terminalin Doganor në Prizren, është kontribut i rëndësishëm në lehtësimin e të bërit biznes në vendin tonë, ka thënë sot kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
 
Duke folur në këtë solemnitet, ai tha se kjo është një ditë e veçantë, jo vetëm për shkak të dimensionit ekonomik, por edhe pasi po promovohet partneriteti publiko-privat, dhe po thellohet partneriteti me ShBA-në dhe Bashkimin Evropian.
 
“Kjo që është duke bërë Dogana e Kosovës është për t’u çmuar dhe respektuar. Vet fakti që do të ndikojë në lehtësimin e të bërit biznes në Kosovë, fakti që do të ulen mundësitë për dukuri negative, do të reflektojë vetvetiu në krijimin e ambientit për të bërit biznes. Do të ndryshojë perceptimi për Doganën dhe vet Kosovën. Ky është një motiv shtesë për investitorët e huaj që të vijnë në Kosovë”, tha Gërxhaliu.
 
Duke folur në këtë ceremoni, drejtori i Doganës, Lulzim Rafuna, tha se ndodhet këtu që ta demonstrojmë në praktikë reformën e re që ka bërë Dogana – fillimin e zhdoganimit pa letër të fortë fizike, një koncept ky i ri evropian.
 
“Për ne është një hap i madh që e zhvillon doganën tonë dhe iu afrohemi standardeve të Bashkimit Evropian. Me këtë, do ta ulim koston e të bërit biznes dhe koston administrative; më pas do ta ulim burokracinë që ka ekzistuar në ndarjen në administratë të dokumentacionit me letër fizike. Po ashtu, ky është një lehtësim për tregti, pasi në kohë të shkurtër, malli do të shkoj te konsumatori”, deklaroi Rafuna, në deklaratë për media.
 
Projekti është mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë. Megan Naylor, zyrtare për ekonomi dhe tregti, tha se do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur efikasitetin në Doganë.
 
Ajo theksoi se ky është një hap i madh përpara, pasi Kosova bëhet vendi i parë në Ballkan që aplikon sistemin e zhdoganimit “pa letra”. /koha/.kohaislame
Artikulli paraprakHungaria vendos ta ndërtojë murin në kufi me Serbinë
Artikulli vijuesO’Connell: Asociacioni me shumicë serbe veç me ligje të Kosovës