Berisha “i tërheq veshin” Spahisë për homoseksualët

Kreu i qeverisë, Sali Berisha, i ka “tërhequr veshin” zv.ministrit të mbrojtjes Ekrem Spahia për deklaratën që ka dhënë javën e kaluar për homoseksualët.

Shefi i mazhorancës komentoi sot debatet që kanë nisur për aktivitetet e paralajmëruar nga komuniteti homoseksual në Tiranë për 17 Majin, Ditën Botërore kundër Homofobisë. Berisha e cilësoi deklaratën e Spahisë si një përgjigje aspak mbretërore.

“Orientimi seksual është një realitet sa vetë lashtësia, realitet që ekziston pavarësisht nga besimet apo bindjet politike. Tirana është një qytet i tolerancë dhe i qëndrimeve të garantuara”, theksoi Berisha. Sipas tij, asnjë parti nuk ka dajakun në platformën politike. “Ky është një vend i lirë ku njerëzit duhet ta ndiejnë veten të lirë me qëndrime dhe bindje të ndryshme të përcaktuara në kuadrin ligjor të vendit”, tha Berisha.

Pak ditë më parë, kryetari i partisë Lëvizja e Legalitetit njëkohësisht edhe zv/ministër i mbrojtjes Ekrem Spahia, ka deklaruar për një të përditshme shqiptare, se e vetmja deklaratë që mund të japi për homoseksualët është: “ti kap në hu”. Deklarata e zyrtarit të qeverisë solli reagimet e institucionit të Avokatit të Popullit dhe disa shoqatave që veprojnë në mbrojtje të interesave të homoseksualëve, të cilat kërkuan që Spahia të kërkojë falje publike. Madje dy shoqatat joqeveritare kërkuan largimin e tij nga posti i zv.ministrit të mbrojtjes dhe politika. Ndërkaq Spahia ende nuk ka dhënë një prononcim publik për debatet që ka ngjallur deklarata e tij. /gazeta-Shqip/kohaislame

Artikulli paraprakLarja e dhëmbëve mban zemrën të shëndetshme
Artikulli vijuesBie mbështetja për luftën në Afganistan