Ik sa më parë sepse ka ikë edhe shpresa për një jetë më të mirë!

0
421

Ik nga Kosova, menjëherë!

Ti, që po lexon këta rreshta, a mund ta kem vëmendjen tënde vetëm për një minut?

– Nëse e do Kosovën.
– Nëse vuan për Kosovën.
– Nëse s’do ta krahasoje asnjë vend me Kosovën.
– Nëse dëshiron që Kosova të jetë ndjenja më e ëmbël e jetës sate.
– Nëse je ende nën moshën 50 vjeçare.
– Nëse e ke një trohë shkollë (nuk thashë: diplomë shkolle).
– Nëse e ke një profesion, zanat, profil, zeje…
– Nëse ende nuk je korruptuar (në masë të madhe dhe të pakthyeshme).
– Nëse ende je energjik, i shëndetshëm dhe i gatshëm për punë e për jetë.
– Nëse ende nuk je dëshpëruar e zhgënjyer thellë.
– Nëse, me ndonjë mënyrë (vëzhgim, lexim, dëgjim, kombinim të tyre apo çfarëdo mënyre), e ke aftësinë ta kuptosh – sadopak – gjendjen në vendin tone.
– Nëse ende ke pak dinjitet dhe ende je i lirë (së paku, në shpirt).
– Nëse je, apo përpiqesh të jesh, i moralshëm.
– Nëse nuk je politikan, militant, vegël dhe dorë e zgjatur e politikës.
– Nëse nuk je pjesëtar (i hapur apo – më parë- i fshehur) i ndonjë shërbimi sekret.
– Nëse nuk je hajn, kriminel, pjesëtar bande apo grupi të krimit të organizuar.
– Nëse nuk je biznismen që operon me para të pista dhe eksploaton djersën e shqiptarit të ngratë deri në nivelin absurd dhe të paimagjinueshëm.
– Nëse nuk ke blerë një titull, akademik, ushtarak apo “patriotik”.
– Nëse ende nuk je çmendur.

Atëherë, mos u vono asnjë minut:
Ik nga Kosova!
Ik menjëherë, fill, urgjentisht!
Ik nga Kosova!

Sepse, nëse nuk do të ikësh nga Kosova, ke gjasa të mira, gati të sigurta, se:

– Do të fillosh të mos e duash Kosovën.
– Do të fillosh ta harrosh ëmbëlsinë që ta jep ky vend i bekuar nga Zoti.
– Dija, arsimimi, edukimi, zanati, zeja, përgatitja jote profesionale do të shkojë dëm, do të venitet, do të zhduket….kurrë pa u shfrytëzuar, definitivisht, kurrë pa u respektuar.
– Do të korruptohesh.
– (Mos u hidhëro, mos u mrrol, mos u nervozo…prapë po të them….herëdokurdo), do të korruptohesh.
– Shëndeti, disponimi, energjia, elani për të punuar për këtë vend dhe për vete e të dashurit tuaj do të venitet, do të ligshtohet, do të zhduket.
– Do të përfundosh i dëshpëruar, ndoshta në mjerim dhe në fatalizëm.
– Do të fillosh të mos e kuptosh çfarë po ndodh rreth teje, gjendjen në vend; do të fillosh të relativizosh çdo gjë; do të fillosh të mos dallosh se çka është mirë e çka është keq, çka është e moralshme dhe çfarë jo.
– Do të humbasësh dinjitetin dhe lirinë tënde.
– Do të bëhesh, direkt apo indirekt, dorë e zgjatur, vegël, militant i politikës (politikës që nuk e ke dashur kurrë, është fjala!)
– Duke e ditur apo duke mos e ditur, do të jesh në rrezik permanent, t’i shërbesh një shërbimi që nuk ia do të mirën vendit tand.
– Do të bëhesh hajn, kriminel apo pjesëtar i krimit të organizuar.
– Do të keqpërdorësh, deri në nivel absurdi, djersën (apo, edhe gjakun) e shqiptarit ose djersa jote do të keqpërdoret deri në nivelin e absurdit.
– (Herëdokur, por me siguri) Titujt dhe ofiqet tua do të sjellin neveri dhe aversion të përgjitshëm, madje edhe vet do të ndjesh neveri dhe përbuzje ndaj atyre titujve të blerë.
– Do të çmendesh,….po do të çmendesh.

Ndërsa, nëse do të ikësh sot, sonte, menjëherë, sa më shpejt që mundesh, nga Kosova, ke gjasa shumë trë mira, gati të sigurta, se:

– Do të vazhdosh ta duash Kosovën.
– Do të vazhdosh të kesh ëmbëlsinë e emrit të Kosovës së bekuar.
– Do të respektohet (dhe ti do ta shfrytëzosh e do t’i vjelësh frytet) dija jote, zanati, profesioni, djersa.
– Do të kesh mundësinë të shohësh dhe të jetosh një jetë, ku korrupsioni të mos jetë pjesë e përditshme dhe absolute e çdo hapi.
– Shëndeti, disponimi, energjia, elani për të punuar do të jenë pjesë e jotja deri në pleqërinë e thellë.
– Do të jesh plot vullnet dhe disponim për punë dhe për jetë.
– Do ta mbash kthjelltësinë e mendjes, së paku për të dalluar të mirën nga e keqja, të moralshmen nga e pamoralshmja, të dobishmen nga e kota.
– Do ta mbash dinjitetin njerëzor dhe lirinë tënde.
– Do të kesh mundësi reale të jetosh jetën tënde, larg politikës, spiunllëkut, militantizmit shterp dhe pozicionimit permanent në politikë.
– Do të jesh (nëse do) larg hajnisë, korrupcionit, krimit të organizuar.
– Do të kesh mundësi reale që djersën tënde ta përkthesh në vlerë, monetare, nëse është e mjaftueshme kjo.
– Nëse ti dhe fëmijët tuaj do të fitojnë një titull apo ofiq, do të shohësh vlerën e vërtetë të tyre në jetën e njeriut.
– Do të kesh mundësi të ruash shëndetin mendor.

Edhe një herë, nëse do të ikësh nga Kosova, do të vazhdosh ta duash Kosovën,
Do të jesh pjesë e diasporës – më mirë, gjuhësisht, të thuhet, mërgatës shqiptare, e cila është, paradoksalisht ende, çelësi i ekzistencës së shqiptarëve në Ballkan.
Dhe, ç’është me rëndësi, do të vazhdosh të punosh, edhe atje larg ku je, për Kosovën.

Dhe, kjo nuk do të ishte hera e parë për shqiptarët.
Studiuesja e njohur, Nathalie Clayer në librin e saj monumental “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar” tregon qartë, me qindra faqe dhe me mijëra fakte se pa diasporën shqiptare – atëherë të shtrirë ndryshe gjeografikisht – nuk do të kishte komb shqiptar, nuk do të kishte çështje shqiptare, nuk do të kishte Shqipëri.

Sado paradoksale dhe anakronike, jam i bindur se diaspora është garanca edhe për Kosovën.
Një herë, diaspora e shpëtoi Kosovën që të mos zhduket emri i saj.

Tash, kur gjithçka është kalbur në këtë vend dhe kur kontributi, përpjekja, djersa e gjaku i diasporës bashkë me djersën, gjakun, shpresën e ëndrrën e shqiptarëve të Kosovës, është tradhtuar, shpëtimi dhe shpresa e vetme është diaspora jonë.
Për shkak se Kosova është tradhtuar, nga diaspora duhet të rilindë gjithçka.
Nga fillimi!

Prandaj, ti që po lexon këta rreshta:
Ik nga Kosova!
Ik, menjëherë, sepse, s’ka patriotizëm më të madh se sa të ikësh nga Kosova!
Dhe, po e përsëris:
Kështu si rrodhën gjërat, e vetmja mundësi që ta duash Kosovën, është të largohesh, të ikësh nga ajo.
Menjëherë!

 

Shkruan: Blerim Gashani (prej zemrës t’plastë)