Sporti i skive pasioni i ri i shqiptarëve

0
196

Dimri, krahas motit të ftohtë dhe deri diku izolimit që i bën vendit, sjell për të apasionuarit e dëborës dhe sportin e skive. Vitet e fundit në Shqipëri dashamirësit e skive janë të shumtë në numër, por infrastruktura e vendit tonë për këtë sport nuk është shumë e zhvilluar. Ndonëse natyra shqiptare është shumë e përshtatshme për zhvillimin e skive, investimet janë të pakta.

Të apasionuarit pas skive në vendin tonë mund të drejtohen në Dardhë të Korcës, ku investimet e fundit ofrojnë kushte të favorshme për këtë sport, por dhe në pistën që ofron mali i Dajtit në kryeqytet.

Këtë vit me hyrjen e stinës së dimrit agjencitë turistike në vend, i kanë orientuar kryesisht ofertat e tyre drejt resorteve turistike që ofrojnë infrastrukturën për zhvillimin e sportit të skive. Sipas agjentëve të turizmit, shqiptarët zgjedhin të shkojnë më së shumti në shtetet fqinje. Më të preferuarit, sipas tyre janë Mavrova në Maqedoni, Kolashini në Mal të Zi dhe Brezovica në Kosovë.

“Këto tre destinacione janë më të parapëlqyerat nga shqiptarët, pasi ofrojnë infrastrukturë të plotë, hotelet e qëndrimit kanë kushte shumë të mira dhe njëkohësisht dhe çmimet janë më të përballueshme”, thotë Jona, agjente pranë një agjencie turistike.

Por sporti i skive kërkon dhe paisje të veçanta për kryerjen e tij. “Kohët e fundit, thotë nje pasionant i sportit, shqipatrët kanë filluar të vijnë të paisur si me veshjet e dëborës ashtu dhe me këpucët e përshtatshme, gjë që më parë nuk ndodhte”.

Nga ky pasion i ri i shqiptarëve kanë nisur të përfitojnë dhe dyqane të shumta me veshje sportive, të cilët ofrojnë kostume të përshtatshme për ski me çmime të majme.

Por dëshira për të kaluar një fundjavë ndryshe në bardhësinë e dëborës, për dashamirësit e skive, i bën çmimet të pakonsiderueshme.