10 strategji për të manipuluar shoqëritë sipas Chomsky-t

10 strategjitë e manipulimit të shoqërisë, sipas filolozofit dhe historianit amerikan, Noam Chomsky:

1. Zhvendosja e vëmendjes

Zhvendosja e vëmendjes prej problemeve të rëndësishme te problemet e parëndësishme. Ta bësh opinionin të merret me valën e informatave të parëndësishme, që njerëzit të mos mendojnë dhe të mos fitojnë njohuritë themelore për të kuptuar botën.

2. Shkaktimi i problemit

Kjo metodë quhet edhe «problemi-reagimi-zgjidhja». Duhet krijuar problemin, në mënyrë që një pjesë e opinionit të reagojë ndaj tij. Për shembull: shkakto dhe bart dhunën me qëllim që opinioni më lehtë të pranojë kufizimin e lirisë, krizën ekonomike ose që të arsyetohet shkatërrimi i shtetit social.

3. Gradualizimi i ndryshimeve

Që opinioni të pranojë një masë të papranueshme, zbatoje hap pas hapi, «me lugë të vogël», me muaj e vite. Ndryshimet që mund të ngjallin kryengritje nëse do të zbatoheshin papritmas dhe në afat të shkurtër kohor, do të zbatohen me politikën e hapave të vegjël. Kësisoj, bota ndryshon me kalimin e kohës, por nuk ngjallë ndërgjegjen mbi ndryshimet.

4. Shtyrja

Një mënyrë tjetër për të përgatitur opinionin për ndryshime jopopullore është që të paralajmërohen shumë më herët, paraprakisht. Kështu njerëzit nuk e ndjejnë menjëherë tërë peshën e ndryshimeve, sepse paraprakisht adaptohen me vetë idenë e ndryshimit. Përveç kësaj edhe «shpresa e përbashkët për të ardhmen më të mirë» lehtëson pranimin e ndryshimit.

5. Përdorimi i gjuhës fëmijërore

Kur të rriturve u flasim si fëmijëve, arrijmë dy efekte të dobishme: opinioni frenon vetëdijen kritike dhe mesazhi ka ndikim ndaj njerëzve. Ky mekanizëm sugjestiv në masë të madhe përdoret edhe me rastin e reklamimit.

6. Ngjallja e emocioneve

Keqpërdorimi i emocioneve është teknikë klasike që përdoret për të shmangur analizën racionale dhe gjykimin logjik. Vetëdijen kritike e zëvendësojnë impulset emotive (mllefi, frika etj.). Përveç kësaj fjalimi emocional i hap rrugë ideologjive, nevojave, frikës dhe tensionit, impulseve dhe mënyrave të veçanta të sjelljes në nënvetëdije.

7. Padituria

Masa nuk duhet të lejohet të jetë e aftë për të dalluar metodat dhe teknikat e kontrollit. Arsimi që i afrohet shtresës së ulët shoqërore, duhet të jetë sa më i thjeshtë që të jetë e mundur në mënyrë që dija më e thellë të mos jetë e kuptueshme për këtë shtresë.

8. Lavdërimi i marrëzisë

Opinioni duhet të nxitet të pranojë mesataren. Është e nevojshme të binden njerëzit se është normale dhe bashkëkohore të jesh budalla, vulgar dhe i paditur. Njëkohësisht duhet ngjallur rezistencë kundër kulturës dhe shkencës.

9. Krijimi i ndjenjës së fajit

Duhet bindur çdo individ se ai vetë është përgjegjës për fatkeqësinë e vet, qoftë për shkak të mungesës së inteligjencës, kompetencës apo përpjekjeve. Ky «sistem» frenon rebelimin e popullsisë, duke i sugjeruar qytetarit se ai vetë është fajtor për të gjitha të këqijat dhe duke ia ulur vetëbesimin. Kjo shpie në depresion dhe bllokadë të veprimit. Pa veprim nuk ka revolucion!

10. Keqpërdorimi i dijes

Zhvillimi i shpejtë i shkencës në 50 vitet e fundit ka krijuar një hendek mes dijes, të cilën e kanë në dispozicion masat e gjëra, dhe dijes që është e rezervuar për një elitë të vogël. Falë biologjisë, neurobiologjisë dhe psikologjisë praktike «sistemi» ka qasje në dijen mbi realitetin njerëzor si në planin fizik ashtu edhe psikik.

Artikulli paraprakHULUMTIMI: BIZNESI, KORRUPSIONI DHE KRIMI NË KOSOVË: Ndikimi i ryshfetit dhe i krimit tjetër në ndërmarrjet private