100 ditët e bacës Isë

Në njëqind ditë qeverisje nën udhëheqjen e kryeministrit, Isa Mustafa njohësit e rrethanave politike nuk gjejnë shumë elemente për ta vlerësuar Qeverinë Mustafa. Ata thonë se kjo Qeveri qysh në ditët e para është përballur me protesta e pakënaqësi të ndryshme qytetare. Sidoqoftë, ata vlerësojnë vendimin për mosngritjen e pagave të punëtorëve, vendimin për uljen e shpenzimeve dhe faljen e borxheve që qytetarët dhe bizeneset i kanë pasur ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike deri në fund të vitit 2008.
E përballur me pakënaqësi shoqërore, me ikjen masive të qytetarëve, e me protesta të cilat eskaluan edhe në dhunë, Qeveria Mustafa arriti t’i përmbush 100 ditë qeverisje. 
Njohësit e proceseve politike, shohin pak rezultate të kësaj qeveri për këto 100 ditë. 

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, vlerëson disa vendime të Qeverisë Mustafa, siç është ai për faljen e borxheve për personat fizikë dhe juridikë deri më 31 dhjetor 2008, vendimi për uljen e shpenzimeve, përkatësisht shitjen e veturave të tepërta në Qeveri. Selmanaj e vlerëson pozitivisht edhe një vendim tjetër, që nuk u ka pëlqyer punëtorëve të Kosovës. “Ajo çka ndoshta mund të vlerësohet janë disa vendime që kjo qeveri i ka marrë e që them se janë institucional të përgjegjshme, siç ishte mosrritja e pagave, po mendoj në kuptimin e ruajtjes së disiplinës fiskale dhe buxhetore në Kosovë, mendoj se duhet rishikuar kjo qasje”, tha Selmanaj për Radio Kosovën. transmeton RTK.
 
Në anën tjetër, opinionisti Imer Mushkolaj thotë se edhe përpjekjet e kësaj qeveri që të jetë më ndryshe se qeveria e kaluar, kanë mbetur nën hijen e proceseve politike. “Përpjekjet kanë qenë të fokusuara kryesisht në çështjet që kanë pasur të bëjnë më shumë me krijimin e një përshtypje te qytetarët se kjo qeveri nuk është sikur ajo e mëparshme, kemi parasysh disa përpjekje për të kursyer para nga buxheti i Kosovës”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën. 
Kurse njohësi i çështjeve politike dhe të sigurisë, Naim Maloku, vlerëson tentimin e kësaj Qeverie për heqjen e monopolit kompanive të ndryshme. Por, Maloku thotë nuk ka asnjë lëvizje në atë drejtim që qytetarët kanë pritur më së shumti nga kryeministri Isa Mustafa si ekonomist. “Pritjet e qytetarëve kanë qenë kryesisht në sferën ekonomike, për këto 100 ditë nuk ka ndonjë risi, nuk hetohet që është përmirësuar gjendja në Kosovë. Presim dhe shpresojmë që do të ketë impakte kjo qeveri në përmirësimin e gjendjes, situatës ekonomike në Kosovë”, tha Maloku për Radio Kosovën. 

Qeveria Mustafa e cila ka marrë mandatin më 9 dhjetor të vitit të kaluar, është kritikuar për numrin e madh të ministrave, gjithsej 21. Nga 3 shkurti vazhdon ta ketë një ministër më pak, pasi që nuk është emëruar asnjë ministër i ri nga Lista Serbe në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, post nga i cili ishte shkarkuar Aleksandër Jabllanoviq, pas presionit qytetar, pasi që Jabllanoviq i kishte quajtur “egërsira” nënat gjakovare që nuk lejuan pelegrinët serbë të vizitonin kishën e këtij qyteti më 7 janar./KosovaSot
Artikulli paraprakNë verë Windows 10, i disponueshëm në 111 gjuhë
Artikulli vijuesPjesëtarët e arrestuar të Policisë e FSK-së dyshohen për këto vepra